Disa persona janë shoqëruar në polici gjatë ceremonisë së Vidovdanit në Gazimestan, pranë Prishtinës, pasi brohoritën "Kosova është Serbi" dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.
Ceremonia, e cila organizohet çdo 28 qershor për të përkujtuar Betejën e Kosovës të vitit 1389, u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe me prani të madhe të Policisë së Kosovës. Në hyrje të kompleksit memorial, efektivët u shpërndanë pjesëmarrësve një njoftim ku paralajmërohej se nuk do të toleroheshin simbole apo veprime që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike.
Pas shoqërimit të disa pjesëmarrësve, reagoi Lista Serbe, e cila pretendoi se personave të ndaluar nuk u është paraqitur asnjë dokument me shkrim që të shpjegonte arsyet e shoqërimit. Në deklaratën e saj, partia e cilësoi veprimin si një përpjekje për frikësim dhe bëri të ditur se ka njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për lirimin e të shoqëruarve.
Deri në publikimin e këtij lajmi, autoritetet e Kosovës nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi ngjarjen.
Shënimi i Vidovdanit në Gazimestan është shoqëruar edhe në vitet e kaluara me tensione. Edhe në vitin 2025, Policia e Kosovës shoqëroi disa persona për marrje në pyetje nën dyshimet për nxitje të urrejtjes dhe përdorim të simboleve apo veshjeve provokuese.
Lini një Përgjigje