Mbi 1.300 viktima janë lidhur me valën e të nxehtit që ka goditur Evropën që nga 21 qershori, ndërsa temperaturat ekstreme vazhdojnë të thyejnë rekorde.
Evropa vazhdon të përballet me një valë të zgjatur të të nxehtit, e cila po shkakton pasoja të rënda në disa vende. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se mbi 1.300 vdekje janë lidhur me temperaturat ekstreme që kanë prekur kontinentin që nga 21 qershori.
Sipas OBSH-së, temperaturat mbi 35 gradë Celsius pritet të prekin të paktën 191 milionë banorë në Evropë.
Në Gjermani, ku temperaturat kanë arritur nivele rekord, autoritetet në Berlin po përdorin automjete me topa uji për të freskuar qytetarët në hapësirat publike.
Ndërkohë, në Francë, një video që është bërë virale tregon dhjetëra persona që vrapojnë drejt një dyqani të pajisjeve elektrike sapo hapen dyert, në përpjekje për të blerë kondicionerë dhe ventilatorë. Pamjet tregojnë njerëz që shtyhen dhe përleshen për të siguruar pajisjet e ftohjes.
Fransa'da insanlar vantilatörler ve klima alma yarışında birbiriyle kavga etti.pic.twitter.com/KqvOItbT4G
— BRİEFLY JOURNAL (@BrieflyHaber) June 26, 2026
Skenat kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa kërkesa për pajisje ftohëse vazhdon të rritet për shkak të temperaturave të larta.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi në platformën X se që nga 21 qershori janë regjistruar mbi 1.300 vdekje shtesë të lidhura me temperaturat e larta në Evropë.
"Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë në kushte të nxehtësisë ekstreme. Qindra persona kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet elektrike po përballen me presion të madh", tha ai.
Në Republikën Çeke u regjistrua një rekord i ri kombëtar prej 41,1 gradë Celsius në Doksany, në veri të Pragës.
Edhe Gjermania shënoi një rekord të ri absolut të temperaturës, me 41,7 gradë Celsius në Koschen, në landin e Brandenburgut, pranë kufirit me Poloninë, sipas të dhënave paraprake të Shërbimit Meteorologjik Gjerman (DWD).
Germany faces record-breaking heat as Berlin endures its hottest temperatures ever during an intense Europe-wide heatwave.
— Al Jazeera English (@AJEnglish) June 28, 2026
Al Jazeera’s Rebecca Collard reports from Berlin. pic.twitter.com/ETmCQZFwA9
Temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në transport. Në landin e Nordrhein-Westfalen janë reduktuar shërbimet hekurudhore në një linjë të rëndësishme, ndërsa në Leipzig është pezulluar qarkullimi i tramvajeve. Mediat gjermane raportojnë se shumë banorë kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi deri në perëndimin e diellit.
Në Romë, Papa Leoni XIV falënderoi besimtarët që morën pjesë në lutjen e së dielës në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht temperaturave të larta.
Në Francë, megjithëse vala e të nxehtit po jep shenja dobësimi, ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, deklaroi për gazetën La Tribune se ndikimi i saj mund të zgjasë deri në 10 ditë edhe pas rënies së temperaturave.
"Ky episod nuk ka përfunduar ende", paralajmëroi ajo në një intervistë për rrjetin televiziv BFM.
Ndërkohë, stuhitë që goditën pjesë të Francës mbrëmjen e së dielës lanë pa energji elektrike mijëra familje.
Lini një Përgjigje