TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2026, 20:13

Dita e 39 e protestës/ Lika: Rama gjeti 4 milionë euro për Kanye West, por jo për shqiptarët

Shkruar nga Pamfleti
Dita e 39 e protestës/ Lika: Rama gjeti 4 milionë euro për Kanye
Vijon protesta

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 39, ndërsa dhjetëra qytetarë u mblodhën edhe këtë mbrëmje para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, protestuesit marshuan drejt godinës së qeverisë, duke brohoritur "Shqipëri e Re", "Rama në burg, Berisha në burg", "Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar" dhe "Rama jep dorëheqjen".

Një nga organizatorët e protestës, aktivisti Edison Lika, deklaroi se tubimet do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit.

"Jemi në shesh më të vendosur se kurrë për të kërkuar dorëheqje. Protesta do të vazhdojë pavarësisht kushteve atmosferike. Më e rëndësishme për ne është Shqipëria. Këtu jemi në mbrojtje të Shqipërisë. Kryeministrit tonë i erdhi urgjenca për të akorduar 4 milionë euro për koncertin e Kanye West. Kjo qeveri, që ka akuzuar protestuesit, fton një këngëtar që është i ndaluar në shumicën e vendeve të Europës", tha Lika.

Aktivisti krahasoi financimin e koncertit me mungesën e fondeve në raste fatkeqësish natyrore.

"Ky vend ka kaluar tërmete, përmbytje dhe zjarre masive dhe nuk i kemi pasur 4 milionë euro për t'ua dërguar njerëzve të prekur, por i gjejmë për një koncert që nuk i duhet askujt. Shumë nxënës po merren me zor që të shkojnë në koncert, është e turpshme. Jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e kanë bojkotuar atë koncert. Rama dhe Partia Socialiste do ta mbushin me të njëjtët patronazhistë që mbushën Piazza Italia. Edhe këtë të shtunë do të jenë të detyruar të shkojnë. Kushdo që të jetë atje, le të këndojë himnin e shqiptarëve: 'Rama jep dorëheqjen'", u shpreh ai.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Lini një Përgjigje