
Të pajisur me pankarta dhe flamuj, ata kanë përsëritur thirrjet "Rama dorëhiqu", "Shqipëria është e rinisë, jo e partisë", "Revolucion", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi"...
Ka nisur dita e 39-të e protestës qytetare e cila kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama. Pas grumbullimit të zakonshëm në Sheshin Skënderbej, qindra qytetarë kanë marshuar në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës kundër qeverisë.
Të pajisur me pankarta dhe flamuj, ata kanë përsëritur thirrjet "Rama dorëhiqu", "Shqipëria është e rinisë, jo e partisë", "Revolucion", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".
Protestës i janë bashkuar qytetarë të moshave të ndryshme, nga të rinjtë deri te familjarët me fëmijë. Pavarësisht se gjatë ditëve të fundit disa pjesëmarrës janë shoqëruar dhe arrestuar nga Policia, e më pas janë lënë të lirë, organizatorët thonë se kjo nuk ka ndikuar në vijimin e protestës, e cila prej 39 ditësh zhvillohet çdo mbrëmje në Tiranë.
Edhe pse protesta nisi më shumë se një muaj më parë si një revoltë kundër projektit turistik në Zvërnec, ajo është shndërruar tashmë në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë klasës së vjetër politike. Organizatorët dhe pjesëmarrësit këmbëngulin se protesta nuk është më vetëm kundër një projekti të caktuar, por për ndryshimin e sistemit politik në vend.
Gjithashtu, organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.
Lini një Përgjigje