
Ashtu si çdo ditë, edhe këtë të mërkurë qytetarët janë grumbulluar në sheshin "Skënderbej", në ditën e 39-të të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Me flamuj kombëtarë në duar, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalimet e përnatshme. Më pas, ata pritet të vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, në shenjë revolte ndaj klasës politike dhe qeverisë Rama.
Prej më shumë se një muaji, protestuesit janë mbledhur çdo mbrëmje duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e modelit politik, që sipas tyre ka mbajtur peng zhvillimin e vendit.
Edhe në protestën e djeshme, pjesëmarrësit përsëritën kërkesat që i konsiderojnë të panegociueshme: dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore, reformimin e sistemit politik dhe shfuqizimin e ligjeve që favorizojnë interesat klienteliste.
Protesta e sotme shënon ditën e 39-të radhazi të tubimeve, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Një pensionist ka protestuar në një mënyrë të veçantë, duke i dhënë “kartonin e kuq” kryeministrit Rama si një shenjë për t’u larguar.
“Protestojmë për një mijë e një të zezat e Ramës. Kemi vendos me i dhënë një karton të kuq Edi Ramës. Është i përjashtuar për mos me luajtur më kurrë më për Shqipërinë. Është i dënuar prej popullit shqiptar, prej Europës dhe gjithë botës. Zbatoni ligjin e kartonit të kuq, ta vëmë në jetë. Pensionistët shqiptarë janë të lodhur. Janë edhe të frikësuar. Paratë e pensionit nuk na dalin as për ilaçe”, u shpreh qytetari.
Prej më shumë se një muaji, shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe fundin e modelit politik që ka mbajtur peng vendin.
Lini një Përgjigje