Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të diele në zonën turistike të Jalës, në Himarë, ku një pushues ka humbur jetën pasi dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht brenda dhomës së hotelit ku po qëndronte.
Sipas të dhënave paraprake, viktima dyshohet se ka rrëshqitur dhe është goditur me forcë në kokë gjatë rënies, duke pësuar lëndime të rënda.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërriti personeli mjekësor, i cili i dha ndihmën e parë të dëmtuarit dhe e transportoi me urgjencë drejt Spitalit të Himarës. Megjithatë, për shkak të traumave të rënda në kokë, përfshirë fraktura në kafkë dhe dëmtime cerebrale, ai nuk mundi t'u mbijetonte plagëve.
Forcat e Policisë së Himarës kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri në këtë fazë, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një aksidenti, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve procedurale.
Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik nga autoritetet.
Lini një Përgjigje