TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Qershor 2026, 18:52

Grupet kriminale shqiptare, arma e re e 'Ndrangheta-s; roli i fshehur në tregun 31 mld euro të kokainës

Shkruar nga Pamfleti
Grupet kriminale shqiptare, arma e re e 'Ndrangheta-s; roli i fshehur
Ilustrim

Dokumenti evidenton bashkëpunimin e ngushtë mes rrjeteve kriminale shqiptare dhe mafias italiane 'Ndrangheta, ndërsa paralajmëron se këto organizata po funksionojnë si korporata ndërkombëtare të krimit...

Një raport i fundit i Europol hedh më shumë dritë mbi atë që konsiderohet si “perandoria e kokainës”, teksa nxjerr në pah lidhjet mes grupeve transnacionale për të realizuar trafikun e drogës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Europës, që konsiderohet edhe konsumatori më i madh i narkotikëve.

Europol evidenton se krimi i organizuar në Bashkimin Evropian po transformohet me ritme të shpejta, duke u bërë më i sofistikuar, më fleksibël dhe më i aftë për t'iu shmangur goditjeve të autoriteteve.

“Edhe pse policitë evropiane kanë arritur të çmontojnë qindra organizata kriminale gjatë viteve të fundit, rrjetet e reja po zënë menjëherë vendin e tyre, duke e mbajtur të pandryshuar nivelin e kërcënimit ndaj sigurisë në continent”, evidentohet në raportin më të fundit të Europol, "Decoding the EU's Most Threatening Criminal Networks – Issue 2: The Blueprint of Criminal Opportunism", i cili analizon mënyrën se si funksionojnë organizatat më të rrezikshme kriminale në Evropë dhe evidenton rolin gjithnjë e më të madh të teknologjisë, biznesit të ligjshëm dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në aktivitetet e tyre.

Grupet shqiptare, hallkë kyçe në trafikun ndërkombëtar të kokainës

Një nga pjesët më domethënëse të raportit lidhet me rolin që Europol i atribuon grupeve kriminale shqiptare në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Sipas raportit, familjet kriminale shqiptare kanë ndërtuar një bashkëpunim të konsoliduar me mafian kalabreze 'Ndrangheta, e konsideruar prej vitesh si organizata më e fuqishme në trafikun botëror të kokainës. Bashkëpunimi shtrihet deri në Amerikën Latine, ku grupet shqiptare veprojnë drejtpërdrejt në terren së bashku me kartelet e Brazilit dhe Kolumbisë.

Europol thekson se shqiptarët nuk kufizohen vetëm në transportimin e drogës drejt Evropës, por janë vendosur në vendet prodhuese dhe tranzite të Amerikës Latine, ku menaxhojnë marrëdhëniet me kartelet lokale, organizojnë logjistikën e dërgesave dhe mbikëqyrin marrëveshjet për blerjen e sasive të mëdha të kokainës. Kjo u jep atyre një rol strategjik në të gjithë zinxhirin e trafikut, nga burimi deri te shpërndarja në tregun evropian.

Raporti nënvizon se kjo prani e grupeve shqiptare në Amerikën Latine është rezultat i viteve të ndërtimit të marrëdhënieve transnacionale me kartelet e drogës, duke i bërë ato partnerë të rëndësishëm në një treg që Europol e vlerëson me rreth 31 miliardë euro vetëm për kokainën në Evropë.

Europol e konsideron mafian italiane 'Ndrangheta si organizatën kriminale më të fuqishme në trafikun e kokainës në Evropë.

Raporti thekson se kjo organizatë ka krijuar prej kohësh lidhje të forta me rrjetet kriminale shqiptare, të cilat operojnë në Amerikën Latine. Sipas Europol, pikërisht ky bashkëpunim u lejon të kontrollojnë pothuajse të gjithë zinxhirin kriminal, nga blerja e kokainës në vendet prodhuese, transporti ndërkontinental dhe deri te shpërndarja në tregjet evropiane.

Përveç grupeve shqiptare dhe 'Ndrangheta-s, raporti rendit edhe organizata të tjera me ndikim global.

Mes tyre është karteli kolumbian Clan del Golfo, organizata më e madhe kriminale në Kolumbi, e cila kontrollon eksportin e kokainës nga portet e Karaibeve.

Një tjetër grup i rëndësishëm është Primeiro Comando da Capital (PÇ) nga Brazili, i cili sipas Europol ka lidhje të ngushta me organizatat kriminale evropiane dhe po përpiqet të krijojë qeliza të përhershme në territorin e Bashkimit Evropian.

Raporti përmend gjithashtu organizatën kriminale skoceze The Lyons, e lidhur me familjen irlandeze Kinahan dhe e përfshirë në luftëra të dhunshme për kontrollin e tregut të drogës në Skoci.

Grupet kriminale shqiptare, arma e re e 'Ndrangheta-s; roli i fshehur

Si funksionon rruga e kokainës

Sipas Europol, kokaina transportohet nga vendet prodhuese në Amerikën Latine drejt porteve evropiane përmes rrugëve detare të konsoliduara.

Një pjesë e dërgesave realizohet me të ashtuquajturat "go-fast boats", mjete lundruese me fuqi të lartë që transportojnë ngarkesa të mëdha droge drejt pikave të tranzitit. Më pas, droga mbërrin në porte strategjike si Antëerp dhe Zeebrugge në Belgjikë, të cilat prej vitesh konsiderohen ndër portat kryesore të hyrjes së kokainës në Bashkimin Evropian.

Sipas raportit, kontrolli mbi këto korridore i jep organizatave kriminale shqiptare dhe partnerëve të tyre mundësinë të dominojnë një pjesë të rëndësishme të tregut evropian të kokainës.

Një nga konkluzionet kryesore të Europol është se organizatat kriminale nuk funksionojnë më si banda tradicionale, por si kompani shumëkombëshe.

Ato investojnë fitimet, analizojnë tregjet më fitimprurëse, krijojnë struktura ndërkombëtare, rekrutojnë specialistë dhe përdorin teknologjinë për të zgjeruar aktivitetin.

Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, i përshkroi këto organizata si "korporata të krimit", që ndjekin të njëjtën logjikë ekonomike si kompanitë legjitime.

Nga AI te kriptomonedhat dhe bizneset e ligjshme

Sipas Europol, 85 për qind e organizatave kriminale më të rrezikshme përdorin biznese të ligjshme për të fshehur aktivitetin e tyre.

Kompani ndërtimi, agjenci transporti, restorante, hotele, kazino, firma import-eksporti, agjenci të pasurive të paluajtshme dhe institucione financiare shfrytëzohen për pastrimin e parave, fshehjen e pronësisë së aseteve dhe transportimin e mallrave të paligjshme.

Raporti evidenton gjithashtu rolin e profesionistëve si avokatë, kontabilistë, ekspertë logjistike, këshilltarë financiarë dhe specialistë të teknologjisë së informacionit, të cilët ndihmojnë organizatat kriminale të krijojnë struktura komplekse financiare dhe t'i shmangen hetimeve.

Europol paralajmëron se organizatat kriminale po investojnë gjithnjë e më shumë në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë digjitale.

Sipas raportit, AI mund të përdoret për krijimin e dokumenteve të falsifikuara, identiteteve sintetike, mashtrimeve online, fushatave phishing dhe analizimin e dobësive të institucioneve ligjzbatuese.

Ndërkohë, kriptomonedhat vazhdojnë të përdoren gjerësisht për pastrimin e parave dhe transferimin anonim të fitimeve kriminale.

Raporti evidenton se janë identifikuar 731 rrjete kriminale me nivel të lartë kërcënimi në Bashkimin Evropian. Rreth 400 mijë persona, me 118 kombësi, janë pjesë e këtyre organizatave. Nga 821 rrjetet e analizuara në raportin e vitit 2024, 198 mbeten ende aktive, ndërsa 533 janë organizata të reja ose të pazbuluara më parë. Mbi një e treta e organizatave merren me trafikun e drogës, por aktiviteti i tyre shtrihet edhe në trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e emigrantëve, mashtrimet financiare, krimin kibernetik dhe pastrimin e parave.

Paralajmërimi i Europol

Drejtori ekzekutiv në detyrë i Europol, Jürgen Ebner, deklaroi se goditja e individëve nuk mjafton për të shkatërruar krimin e organizuar. Sipas tij, sa herë që një organizatë çmontohet, një tjetër shfaqet për të zënë vendin e saj, për sa kohë që ekzistojnë fitimet e mëdha dhe kërkesa në tregjet kriminale.

Për këtë arsye, Europol rekomandon një strategji më të gjerë që synon jo vetëm arrestimin e drejtuesve të grupeve kriminale, por edhe goditjen e pastrimit të parave, sekuestrimin e pasurive, shkatërrimin e infrastrukturës financiare të organizatave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Raporti përfundon se sfida më e madhe për Evropën nuk është vetëm çmontimi i organizatave ekzistuese, por pengimi i krijimit të rrjeteve të reja kriminale, të cilat po përshtaten me shpejtësi me zhvillimet teknologjike dhe ekonomike globale. /Pamfleti/

 

 

 

grupet shqiptare droga ndragheta kokaina

Lini një Përgjigje