TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Qershor 2026, 20:51

“Mos u provokoni”, qytetari thirrje protestuesve: Rama ka vendosur të hyjë në luftë frontale me ne

Shkruar nga Pamfleti

“Mos u provokoni”, qytetari thirrje protestuesve: Rama ka vendosur

Në Tiranë po zhvillohet protesta e 29-të qytetare kundër Kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkohet dorëheqja, ndërsa Kreu i Qeverisë ka përjashtuar mundësitë e largimit, me justifikimin se në zgjedhjet e fundit mori mbështetjen e 800 mijë shqiptarëve.

Mijëra qytetarë kanë marshuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe janë stacionuar para godinës së Kryeministrisë, atje ku prej orës 19:30 po flasin qytetarë të huaj.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubim, një prej qytetarëve tha se protesta ka rrëzuar paragjykimet se shqiptarët nuk bashkohen për kauza të përbashkëta, duke theksuar se qëndresa disajavore ka forcuar besimin mes qytetarëve.

Ai iu drejtua edhe efektivëve të policisë me një apel që të shmangin çdo veprim provokues ndaj protestuesve. Sipas tij, roli i policisë është të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe jo të mbrojë interesat e pushtetit.

Në fjalën e tij, protestuesi u kërkoi pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të mos reagojnë ndaj provokimeve. Ai tha se gjatë javës së fundit, sipas tij, janë shtuar përpjekjet për tensionim të situatës, duke pretenduar se në turmë ndodhen edhe persona të infiltruar për të nxitur incidente.

Në përfundim, ai theksoi se protesta do të vazhdojë në mënyrë paqësore, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.

Kjo protestë rrëzoi njëherë e përgjithmonë paragjykimin, sidomos ndaj brezit të ri, sepse ishim mësuar të na thoshin se ne nuk çohemi, shqiptarët nuk bashkohen, nuk ngrihen për problemet.

Pas kësaj qëndrese, tashmë besimi te njëri-tjetri është rritur dhe duket se shqiptarët e kanë mendjen të mos i ndahen bulevardit derisa qeveria të japë dorëheqjen.

Para se çdo qytetar të marrë fjalën për të shprehur mendimin e tij ashtu siç e ndjen, dua t’i bëj një thirrje policisë që të mos provokojnë qytetarët dhe, nëse merr urdhër për t’i provokuar, të mos i zbatojë kundër popullit të vet. Pasi ju jeni këtu për të siguruar popullin, nuk jeni këtu për të siguruar pushtetarët.

Gjithashtu e kam një thirrje për të gjithë qytetarët që ndodhen në shesh, që të mos bien pre e provokimeve. Javën e fundit janë intensifikuar provokimet dhe mund të themi që kryeministri ka vendosur të hyjë në një luftë frontale me protestuesit.

Mos bini pre e provokimeve të patronazhistëve të futur në turmë si qytetarë.

Ne jemi të vendosur, siç kemi qenë për 29 ditë, që ta vazhdojmë qëndresën në mënyrë paqësore derisa kjo qeveri të japë dorëheqjen", tha i riu.

 

protesta thirrja qytetari

Lini një Përgjigje