Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin rrugor Fier–Levan, pranë zonës së njohur si "Qafa e Koshovicës", duke lënë të plagosur dy persona.
Raportohet se, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në rrethana që ende nuk janë sqaruar. Si pasojë e goditjes së fortë, të dy drejtuesit e mjeteve kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare për gjendjen e tyre shëndetësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa po merren edhe masa për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Aksi Fier-Levan konsiderohet prej vitesh një nga segmentet më problematike për aksidentet rrugore, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm.
Lini një Përgjigje