
Ironia, satira dhe akuzat ndaj qeverisë u pasqyruan në dhjetëra pankarta, të cilat u bënë një nga elementët më të spikatur të protestës së 30-të antiqeveritare.
Protesta e 30-të antiqeveritare nuk u karakterizua vetëm nga marshimi dhe fjalimet para Kryeministrisë, por edhe nga pankartat e mbajtura nga qytetarët, të cilat përcollën mesazhe të drejtpërdrejta, ironi dhe akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej", protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku mbajtën fjalimet e radhës, për të vijuar më pas marshimin në rrugët kryesore të Tiranës. Por edhe këtë herë, ishin pankartat ato që tërhoqën vëmendjen më shumë se gjithçka tjetër.
Një nga mesazhet më të forta u shfaq nga studentët, të cilët varën në një godinë një banderolë gjigante me mbishkrimin "Studentët: Ju erdhi fundi!!", të shoqëruar me sloganin në anglisht "Albania is not for sale", duke kundërshtuar projektet që, sipas tyre, po tjetërsojnë pronat dhe pasuritë publike.
Akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë kishte edhe në pankartën ku renditeshin, njëra pas tjetrës, fjalët "Arrogancë", "Nepotizëm", "Korrupsion", "PPP", "Shëndetësi e kapur", "Varfëri" dhe "Drejtësi e kapur", ndërsa në qendër të saj dominonte thirrja: "Boll, dorëhiqu!"
Një tjetër pankartë vinte në shënjestër mungesën e transparencës mbi investimet në vend, me mesazhin: "Pronarët e fshehur? Jo në Shqipëri. Investime po, pronësi e paqartë jo." Përmes saj protestuesit kërkonin identifikimin e pronarëve përfitues të projekteve strategjike dhe kundërshtonin përdorimin e kompanive me pronësi të fshehur.
Ironia nuk mungoi as ndaj kryeministrit. Në një pankartë shkruhej: "Problemi i Ramës nuk është korrupsioni. Problemi i Ramës janë protestuesit", duke ironizuar, sipas organizatorëve, mënyrën sesi qeveria po i trajton qytetarët që dalin në shesh.
Një tjetër mesazh i drejtohej debatit politik të ditëve të fundit: "Nuk na bashkojnë 13 emrat. Na bashkon Shqipëria", ndërsa në një pankartë tjetër lexohej: "Nuk jemi 13. Jemi mijëra", në përpjekje për të theksuar se protesta, sipas organizatorëve, nuk përfaqëson një grup të vogël individësh, por një pakënaqësi më të gjerë qytetare.
Me humor politik u paraqit edhe një poster i titulluar "Ed Kishoti i Surrelit dhe Sali Pança", ku Edi Rama dhe Sali Berisha ishin paraqitur si personazhe të frymëzuar nga romani "Don Kishoti", shoqëruar me mbishkrimin ironik "Një bestseller i letërsisë shqiptare".
Një tjetër pankartë krahasonte protestën me një ndeshje simbolike: "Ndeshja nr. 30 – Aleanca e Shqipërisë së Re kundër Aleancës së Qelbësirave të Ramës", ndërsa poshtë shkruhej se beteja zhvillohej "për liri, dinjitet dhe të ardhmen e Shqipërisë", përballë, sipas protestuesve, "pushtetit, korrupsionit dhe shkatërrimit të Shqipërisë".
Nuk munguan as mesazhet në anglisht, të drejtuara institucioneve europiane. Në një prej tyre shkruhej: "EU, I didn't know you welcomed dictators. Is this your values?", ndërsa në një tjetër lexohej: "30 Days. No Fear. No Silence. Only Democracy", duke iu referuar faktit se protesta ka hyrë në ditën e 30-të dhe, sipas organizatorëve, do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Një tjetër pankartë godiste mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike, me mesazhin: "Lubia gëlltiti miliona në tunel dhe beton, arsimi ynë lëngon!", duke akuzuar qeverinë se po favorizon projektet infrastrukturore në kurriz të arsimit.
Mes pankartave u shfaqën edhe kërkesa konkrete politike, si dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe shfuqizimi i disa ligjeve të miratuara nga mazhoranca, ndërsa protesta vijoi më pas me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.















Lini një Përgjigje