TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 22:19

"Njerëzit i ka nxjerrë halli në shesh", Dervishi: Këtu bëhesh i pasur vetëm me lidhje me qeverinë!

Shkruar nga Pamfleti
"Njerëzit i ka nxjerrë halli në shesh", Dervishi:
Lutfi Dervishi

Gazetari Lutfi Dervishi tha se protesta qytetare, e cila sot shënoi ditën e saj të 30-të, është një pasqyrim i pakënaqësisë së thellë sociale dhe ekonomike që kanë qytetarët ndaj mënyrës se si funksionon shteti dhe ekonomia në Shqipëri.

Sipas Dervishit, elementi që bashkon të gjithë protestuesit është halli i përditshëm dhe ndjenja se qytetari është lënë jashtë vëmendjes së institucioneve. Ai theksoi se ekziston një hendek i madh mes premtimeve të qeverisë dhe realitetit që përjetojnë familjet shqiptare.

"Kur dëgjon një protestuese me fëmijën në krah që thotë se merr një pagë 400 mijë lekë, ndërsa po aq paguan edhe qiranë, kupton menjëherë se emëruesi i përbashkët i njerëzve që kanë dalë në shesh është halli. Ata nuk i ka nxjerrë as Turqia dhe as Greqia, por pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh. Kjo është një revoltë që buron nga realiteti i përditshëm i qytetarëve", tha ai për "A2 CNN"

Dervishi vlerësoi se protesta shkon përtej kritikave ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një reagim ndaj modelit ekonomik që, sipas tij, favorizon klientelizmin dhe lidhjet me pushtetin.

"Kjo është një protestë kundër kapitalizmit të keq shqiptar, kundër një sistemi ku nuk bëhesh i pasur sepse je novator, i aftë apo i zgjuar, por sepse ke lidhje të shkurtra me qeverinë. Pakënaqësia nuk është vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj elitës politike dhe ekonomike që ka ndërtuar këtë model", vijoi ai.

Gazetari shtoi se pakënaqësia prek shtresa të ndryshme të shoqërisë, duke përfshirë të rinjtë, administratën publike dhe ish-mbështetës të mazhorancës.

"Ndoshta kjo është edhe një pakënaqësi ndaj nesh dhe me të drejtë, sepse njerëzit thonë se na kanë parë për 35 vite pa sjellë ndryshimin që prisnin. Është pakënaqësia e një brezi të ri që nuk dëshiron të largohet nga Shqipëria, por e ka të pamundur të ndërtojë jetën këtu. Shoh edhe njerëz të administratës, ish-socialistë e qytetarë të zakonshëm. Të gjithë i bashkon pakënaqësia, por problemi ende nuk po adresohet", tha ai.

Në përfundim, Dervishi u shpreh se zgjidhja kërkon një "reset" të sistemit politik dhe institucional, duke theksuar se përgjegjësia bie mbi qeverinë, opozitën dhe elitën shqiptare.

Lini një Përgjigje