Gjatë protestës së 30-të të zhvilluar para Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj mbajti fjalën e saj para protestuesve, ku iu referua librit "The Albanian Files", për të cilin deklaroi se do t'i dorëzohet Prokurorisë së Posaçme (SPAK) si provë për hetim.
Sipas saj, libri do të firmoset nga qytetarët që marrin pjesë në protestë, si shenjë se nuk pajtohen me përmbajtjen dhe me mënyrën se si, sipas saj, po qeveriset vendi. Vatnikaj u shpreh se nisma synon t'i drejtohet SPAK-ut, duke kërkuar hetimin e kryeministrit Edi Rama.
Aktivistja akuzoi gjithashtu kreun e qeverisë se, sipas saj, synon të përqendrojë pushtetin, ndërsa theksoi se protesta do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë.
“Rama kujton se mund të bëhet mbret, me këtë libër.Ky libër është arma e krimit.
Secili të firmosë duke thënë se nuk është dakord me të dhe armën e krimit do t'ia çojmë SPAK-ut ta hetojë. Jemi në mbështetje të drejtësisë së re, hetoni Ramën”, tha Vatnikaj.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo u bëri thirrje protestuesve të mbështesin nismën për firmosjen e librit, duke e cilësuar atë si një formë simbolike për t'iu drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar, sipas saj, hetimin e kryeministrit.
Lini një Përgjigje