TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 21:05

Eurodeputetja greke nga protesta: Nuk ka BE për Shqipërinë nëse Rama nuk ju dëgjon!

Shkruar nga Pamfleti

Eurodeputetja greke nga protesta: Nuk ka BE për Shqipërinë

Mbështetja nga eurodeputetët për protestën antiqeveritare në Tiranë vijoi edhe në ditën e 30-të të mobilizimit qytetar, ku kësaj radhe fjalën e mori eurodeputetja greke Vula Tsetsi.

Nga podiumi para Kryeministrisë, ajo deklaroi se protesta shqiptare ka kaluar kufijtë e vendit dhe tashmë po ndiqet me vëmendje edhe në institucionet europiane, ndërsa bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Në fjalën e saj, Tsetsi vlerësoi qëndresën e protestuesve, duke theksuar se kauza e tyre nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e natyrës, por edhe me dinjitetin, të drejtat dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë dhe urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje! Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj, zgjerimin në BE”, u shpreh Tsetsi.

Eurodeputetja greke u shpreh se procesi i integrimit europian nuk mund të ecë përpara nëse, sipas saj, qeveria nuk dëgjon qytetarët dhe vazhdon të ndjekë politika që bien ndesh me interesin publik.

“Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së dhe këtë duam ta nderojmë. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë!”, theksoi ajo.

Në fund të fjalimit, Tsetsi iu drejtua edhe familjes së saj politike në Europë, duke kërkuar reagim më të fortë ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe duke u bërë thirrje protestuesve të mos tërhiqen.

“Gjithashtu duhet të bëjmë një apel te miqtë tanë socialdemokratë sepse Rama është me socialdemokratët. Miqtë tanë atje duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë. Ndaj mos u dorëzoni, çdo ditë është një ditë fitoreje! Jo vetëm për demokracinë, por për ju edhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë në BE", përfundoi eurodeputetja.

eurodeputetja greke proteste tirane

Lini një Përgjigje