Nga thirrja për të mbrojtur natyrën te paralajmërimi për korrupsionin, eurodeputetët mbështetën protestuesit dhe i kërkuan Ramës të dëgjojë qytetarët.
Protesta e ditës së 30-të para Kryeministrisë ka marrë sot edhe mbështetje ndërkombëtare. Gjashtë eurodeputetë iu bashkuan qytetarëve në shesh, duke përcjellë mesazhe të forta kundër korrupsionit, shkatërrimit të natyrës dhe arrogancës së pushtetit.
Një nga fjalimet më të forta ishte ai i zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili u shfaq me qeleshe në kokë dhe kujtoi rrëzimin e diktatorit rumun, Nikolae Çaushesku.
"Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zëvendëspresident i Parlamentit Europian, por jam biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Këtu ndihem si në shtëpi, sepse Shqipëria është kombi ynë motër. Isha vetëm 9 vjeç kur pashë Çausheskun të binte nga pushteti. Juve ju desh të prisnit edhe pak që të binte Enver Hoxha. Por sot nuk keni pse të duroni më asnjë formë diktature. Mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion!", tha ai.
Mesazhe të forta përcolli edhe eurodeputetja Christina Guarda, e cila tha se shqiptarët po mbrojnë tokën dhe të drejtat e tyre, ndërsa iu drejtua Ramës me një ironi për përuljen ndaj Giorgia Melonit.
"Kam një imazh, kryeministrin duke iu përulur kryeministres sime. Nuk hyhet në Europë duke u përulur, duke i shërbyer askujt. Hyhet me kokën lart, duke e ditur se e meriton. Jam me ju, Shqipëri", tha ajo.
Eurodeputetja Anna Strolenberg deklaroi se kërkesat e qytetarëve janë vlera europiane.
"Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Shqipëria duhet të shkojë në BE, por Edi Rama duhet të dëgjojë", tha ajo.
Bashkëkryetarja e të Gjelbërve Europianë, Vula Tsetsi, theksoi se Shqipëria nuk mund të shkojë drejt BE-së duke shitur pasuritë e saj.
"Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së dhe këtë duam ta nderojmë. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë", deklaroi ajo.
Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus tha se do ta çojë zërin e protestuesve në Bruksel dhe zbuloi se ka marrë email nga Edi Rama për të mos votuar një amendament në Parlamentin Europian.
"Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament, sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu. Vijoni betejën tuaj, do bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel", tha Paulus.
Ndërsa eurodeputetja holandeze Tineke Strik garantoi se zëri i protestuesve do të dëgjohet në institucionet europiane.
"Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do të shprehet edhe në Bruksel. Do të luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci", deklaroi ajo.
Prania e gjashtë eurodeputetëve në protestë u prit me duartrokitje nga qytetarët, ndërsa mesazhi kryesor i tyre ishte i përbashkët: Shqipëria duhet të shkojë drejt Europës me demokraci, jo me korrupsion; me qytetarët, jo me oligarkët; me natyrën e mbrojtur, jo me pasuritë e shitura. /Pamfleti
Ata qe mendojne qe kjo eshte personale e kane gabim! BE nuk mund te pranoje kolonozim nga Izraeli ne 2026. Ne te tille rast e bente vete sic e ka bere mot e jete me vende te tjere, thjesht me pak specifika kesaj here. Lufta filloi dhe tani do hapen petet e byrekut dhe do shohim sjelljen e Rames! Skandalet jane prane...