Cristina Guarda, nga protesta para Kryeministrisë, komentoi edhe gjestin e kryeministrit ndaj Giorgia Melonit
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda i drejtoi kritika të forta kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së saj në protestën e 30-të para Kryeministrisë, duke deklaruar se në Bashkimin Europian nuk hyhet "duke u ulur në gjunjë", por me dinjitet dhe duke respektuar qytetarët.
Gjatë fjalës së saj, Guarda deklaroi se Komisioni Europian duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve shqiptarë dhe të kërkojë që qeveria të respektojë kërkesat e tyre. Ajo komentoi gjithashtu një gjest të kryeministrit Edi Rama ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke thënë se një kryeministër duhet t'i gjunjëzohet vetëm popullit të tij.
“Komisioni Europian nuk mund të jetë e verbër dhe duhet të shikojë të vërtetën dhe të kërkojë që Edi Rama dhe çdo politikan tjetër të dëgjojë dhe t’ju respektojë.
Unë jam italiane dhe dua t’ju falënderoj juve dhe diasporën shqiptare në Itali, po luftojnë për ju dhe për ne.
Faleminderit për të gjithë shqiptarët nëpër botë. Si italiane kam një imazh para meje, kryeministri juaj (Edi Rama) që iu ul në gjunjë kryeministres time (Giorgia Meloni). Kryeministri i një vendi nuk i ulet në gjunjë askujt, përveç popullit të tij.
Në Bashkimin Europian nuk futesh duke u ulur në gjunjë, nuk hyhet në BE si shërbëtorët e dikujt, në Europë hyhet me kokën lart, duke e merituar dhe duke ditur që do të luftojmë për mirëqenien tonë”, tha ajo.
Lini një Përgjigje