
Protestuesit paralajmëruan se nesër do ta zhvendosin protestën para Kuvendit gjatë seancës plenare, ndërsa në mbrëmje do të vijojnë tubimin e përditshëm para Kryeministrisë.
Pas përfundimit të protestës së 30-të para Kryeministrisë, organizatorët paralajmëruan se aksioni qytetar do të zgjerohet edhe para Kuvendit.
Aktivisti Edison Lika u bëri thirrje protestuesve që nesër, në të njëjtën orë kur do të zhvillohet seanca plenare, të mblidhen para Parlamentit për të rritur presionin ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Sipas Likës, protesta nuk do të kufizohet vetëm para Kryeministrisë, por do të vijojë edhe përpara Kuvendit, me qëllim që, sipas organizatorëve, t'u përcillet një mesazh i drejtpërdrejtë deputetëve dhe të kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, si edhe rrëzimi i sistemit aktual qeverisës.
Ai u bëri apel qytetarëve që të marrin pjesë sa më masivisht në protestën e së martës në orën 10:00, kur në Kuvend është parashikuar të zhvillohet seanca plenare.
“Do vijojmë të jemi para Kryeministrisë. Kam një lajmërim: nëse nesër në orën 10:00 ka Parlament, kushdo që ka mundësi duhet t’u thotë atyre që nuk janë deputetët tanë! Ftojmë të gjithë protestuesit që mundeshin nesër në 10:00 para Parlamentit!”, u shpreh qytetari.
Aktivisti sqaroi se protesta para Kuvendit nuk do të zëvendësojë tubimin e përditshëm të mbrëmjes, por do t'i shtohet atij. Ashtu si në ditët e mëparshme, qytetarët do të mblidhen sërish në orën 19:00 në sheshin "Skënderbej", për të marshuar drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalimet e radhës, e më pas protesta do të vijojë me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.
“Do jemi edhe në darkë këtu te Kryeministria!”, shtoi në mbyllje të mesazhit të tij protestuesi.
Pas fjalimeve të mbajtura këtë të hënë para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës. “Rama jepe dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi”, ishin thirrjet me të cilat qytetarët nisën marshimin.
Në mbyllje të tubimit, nga podiumi u përsërit thirrja për mobilizim edhe më të madh në protestën e së martës para Kuvendit, me organizatorët që theksuan se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të saj dhe ndryshimin e sistemit aktual qeverisës.
Nga thirrja për të mbrojtur natyrën te paralajmërimi për korrupsionin, eurodeputetët mbështetën protestuesit dhe i kërkuan Ramës të dëgjojë qytetarët.
Protesta e ditës së 30-të para Kryeministrisë ka marrë sot edhe mbështetje ndërkombëtare. Gjashtë eurodeputetë iu bashkuan qytetarëve në shesh, duke përcjellë mesazhe të forta kundër korrupsionit, shkatërrimit të natyrës dhe arrogancës së pushtetit.
Një nga fjalimet më të forta ishte ai i zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili u shfaq me qeleshe në kokë dhe kujtoi rrëzimin e diktatorit rumun, Nikolae Çaushesku.
"Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zëvendëspresident i Parlamentit Europian, por jam biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Këtu ndihem si në shtëpi, sepse Shqipëria është kombi ynë motër. Isha vetëm 9 vjeç kur pashë Çausheskun të binte nga pushteti. Juve ju desh të prisnit edhe pak që të binte Enver Hoxha. Por sot nuk keni pse të duroni më asnjë formë diktature. Mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion!", tha ai.
Mesazhe të forta përcolli edhe eurodeputetja Christina Guarda, e cila tha se shqiptarët po mbrojnë tokën dhe të drejtat e tyre, ndërsa iu drejtua Ramës me një ironi për përuljen ndaj Giorgia Melonit.
"Kam një imazh, kryeministrin duke iu përulur kryeministres sime. Nuk hyhet në Europë duke u përulur, duke i shërbyer askujt. Hyhet me kokën lart, duke e ditur se e meriton. Jam me ju, Shqipëri", tha ajo.
Eurodeputetja Anna Strolenberg deklaroi se kërkesat e qytetarëve janë vlera europiane.
"Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Shqipëria duhet të shkojë në BE, por Edi Rama duhet të dëgjojë", tha ajo.
Bashkëkryetarja e të Gjelbërve Europianë, Vula Tsetsi, theksoi se Shqipëria nuk mund të shkojë drejt BE-së duke shitur pasuritë e saj.
"Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së dhe këtë duam ta nderojmë. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë", deklaroi ajo.
Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus tha se do ta çojë zërin e protestuesve në Bruksel dhe zbuloi se ka marrë email nga Edi Rama për të mos votuar një amendament në Parlamentin Europian.
"Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament, sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu. Vijoni betejën tuaj, do bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel", tha Paulus.
Ndërsa eurodeputetja holandeze Tineke Strik garantoi se zëri i protestuesve do të dëgjohet në institucionet europiane.
"Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do të shprehet edhe në Bruksel. Do të luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci", deklaroi ajo.
Prania e gjashtë eurodeputetëve në protestë u prit me duartrokitje nga qytetarët, ndërsa mesazhi kryesor i tyre ishte i përbashkët: Shqipëria duhet të shkojë drejt Europës me demokraci, jo me korrupsion; me qytetarët, jo me oligarkët; me natyrën e mbrojtur, jo me pasuritë e shitura. /Pamfleti
Gjatë protestës së 30-të të zhvilluar para Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj mbajti fjalën e saj para protestuesve, ku iu referua librit "The Albanian Files", për të cilin deklaroi se do t'i dorëzohet Prokurorisë së Posaçme (SPAK) si provë për hetim.
Sipas saj, libri do të firmoset nga qytetarët që marrin pjesë në protestë, si shenjë se nuk pajtohen me përmbajtjen dhe me mënyrën se si, sipas saj, po qeveriset vendi. Vatnikaj u shpreh se nisma synon t'i drejtohet SPAK-ut, duke kërkuar hetimin e kryeministrit Edi Rama.
Aktivistja akuzoi gjithashtu kreun e qeverisë se, sipas saj, synon të përqendrojë pushtetin, ndërsa theksoi se protesta do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë.
“Rama kujton se mund të bëhet mbret, me këtë libër.Ky libër është arma e krimit.
Secili të firmosë duke thënë se nuk është dakord me të dhe armën e krimit do t'ia çojmë SPAK-ut ta hetojë. Jemi në mbështetje të drejtësisë së re, hetoni Ramën”, tha Vatnikaj.
Në përfundim të fjalës së saj, ajo u bëri thirrje protestuesve të mbështesin nismën për firmosjen e librit, duke e cilësuar atë si një formë simbolike për t'iu drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar, sipas saj, hetimin e kryeministrit.
Cristina Guarda, nga protesta para Kryeministrisë, komentoi edhe gjestin e kryeministrit ndaj Giorgia Melonit
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda i drejtoi kritika të forta kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së saj në protestën e 30-të para Kryeministrisë, duke deklaruar se në Bashkimin Europian nuk hyhet "duke u ulur në gjunjë", por me dinjitet dhe duke respektuar qytetarët.
Gjatë fjalës së saj, Guarda deklaroi se Komisioni Europian duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve shqiptarë dhe të kërkojë që qeveria të respektojë kërkesat e tyre. Ajo komentoi gjithashtu një gjest të kryeministrit Edi Rama ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke thënë se një kryeministër duhet t'i gjunjëzohet vetëm popullit të tij.
“Komisioni Europian nuk mund të jetë e verbër dhe duhet të shikojë të vërtetën dhe të kërkojë që Edi Rama dhe çdo politikan tjetër të dëgjojë dhe t’ju respektojë.
Unë jam italiane dhe dua t’ju falënderoj juve dhe diasporën shqiptare në Itali, po luftojnë për ju dhe për ne.
Faleminderit për të gjithë shqiptarët nëpër botë. Si italiane kam një imazh para meje, kryeministri juaj (Edi Rama) që iu ul në gjunjë kryeministres time (Giorgia Meloni). Kryeministri i një vendi nuk i ulet në gjunjë askujt, përveç popullit të tij.
Në Bashkimin Europian nuk futesh duke u ulur në gjunjë, nuk hyhet në BE si shërbëtorët e dikujt, në Europë hyhet me kokën lart, duke e merituar dhe duke ditur që do të luftojmë për mirëqenien tonë”, tha ajo.

Nicolae Ștefănuță kujtoi rrëzimin e Çauçeskut, inkurajoi protestuesit të mos dorëzohen dhe tha se "politikanët vdesin kur njerëzit janë gjallë".
Një nga fjalimet më të forta në protestën e ditës së 30-të para Kryeministrisë u mbajt nga zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili iu drejtua qytetarëve me një mesazh për demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe rëndësinë e qëndresës qytetare.
Me një qeleshe shqiptare në kokë, si shenjë respekti për vendin, eurodeputeti rumun bëri një paralelizëm mes rrëzimit të diktaturës në Rumani dhe tranzicionit shqiptar, duke u shprehur se shqiptarët nuk duhet të pranojnë më korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
"Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zëvendëspresident i Parlamentit Europian, por jam biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Këtu ndihem si në shtëpi, sepse Shqipëria është kombi ynë motër. Isha vetëm 9 vjeç kur pashë Çauçeskun të binte nga pushteti. Juve ju desh të prisnit edhe pak që të binte Enver Hoxha. Por sot nuk keni pse të duroni më asnjë formë diktature. Mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion!", tha ai.
Në vijim të fjalës së tij, Ștefănuță tregoi përvojën personale në organizimin e protestave në Rumani, duke theksuar se lëvizjet qytetare, edhe kur nisin për një kauzë të vetme, mund të shndërrohen në një lëvizje të madhe kombëtare dhe evropiane.
"Edhe unë kam organizuar një protestë që nisi si një protestë ambientaliste në Rumani. Më pas iu bashkuan mijëra qytetarë, njerëz që protestonin kundër korrupsionit, erdhi edhe diaspora. Nuk ishte më vetëm një protestë për mjedisin, por një protestë evropiane. Prandaj ju sfidoj të mos i besoni atyre që ju thonë se energjia do t'ju mbarojë. Fuqia e vërtetë është tek njerëzit. Kur njerëzit janë gjallë dhe ngrihen në këmbë, këmbët e politikanëve fillojnë të dridhen", tha ai.
Në fund të fjalimit, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian vuri në dukje se në shesh ndodheshin eurodeputetë dhe përfaqësues evropianë, ndërsa, sipas tij, mungonte kryeministri Edi Rama.
"Pse janë evropianët këtu dhe pse nuk është Edi Rama këtu? Ndoshta ka frikë. Nëse ai ka frikë, ju nuk duhet të keni frikë. Mbani mend se rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë. Dhe kur je në anën e duhur të historisë, Zoti është me ty. Jam krenar që mbaj këtë qeleshe shqiptare dhe shpresoj që shumë shpejt ta shoh Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Zoti e bekoftë Shqipërinë", tha ai.
Fjalimi i Nicolae Ștefănuță u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, në një moment simbolik kur protesta ka mbushur një muaj qëndresë të pandërprerë.
Qindra qytetarë iu bashkuan mbrëmjen e sotme protestës së 30-të radhazi të organizuar në Tiranë kundër qeverisë.
Marshimi nisi nga sheshi "Skënderbej" dhe vijoi para Kryeministrisë, ku protestuesit ritheksuan kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët njoftuan një tjetër protestë në Rrjoll gjatë ditës së martë.
Arben Kola, ka paralajmëruar se ditën e nesërme protestuesit do të mblidhen në Rrjoll, pasi aty është rivendosur gardhi që u hoq disa ditë më parë nga protestuesit.
“Nesër kemi dy beteja, një në Rrjoll për ata që janë të fortë dhe dinë të përdorin kazmat, levat, çekiçët dhe një do jetë para Parlamentit, apo Hajnamentit”, tha Kola.
Ngjashëm si në tubimet e mëparshme, organizatorët kanë deklaruar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e saj.
Eurodeputetja holandeze Anna Strolenberg iu bashkua protestës së 30-të të zhvilluar para Kryeministrisë, ku shprehu mbështetjen e saj për qytetarët shqiptarë dhe theksoi se kërkesat e protestuesve përputhen me vlerat themelore të Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së saj, Strolenberg deklaroi se mbrojtja e natyrës, lufta kundër korrupsionit, transparenca dhe demokracia janë parime mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian, duke shtuar se Shqipëria duhet të ecë në këtë drejtim.
“Ajo për të cilën po protestoni janë vlera evropiane: mbrojtja e natyrës, lufta ndaj korrupsionit, transparenca, demokracia. Jam këtu për t’ju mbështetur. Ka shumë njerëz nga shumë sfonde, duam që Shqipëria të shkojë në BE, por nëse doni të shkoni, Edi Rama duhet të dëgjojë!” tha Strolenberg.
Në përfundim të fjalës së saj, eurodeputetja iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, duke i bërë thirrje të dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe të ndërmarrë hapa kundër korrupsionit.
“Edi Rama, a po na dëgjon? Ai duhet të dëgjojë, kërkesat janë të qarta: mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën!”-u shpreh ajo.

Mbështetja nga eurodeputetët për protestën antiqeveritare në Tiranë vijoi edhe në ditën e 30-të të mobilizimit qytetar, ku kësaj radhe fjalën e mori eurodeputetja greke Vula Tsetsi.
Nga podiumi para Kryeministrisë, ajo deklaroi se protesta shqiptare ka kaluar kufijtë e vendit dhe tashmë po ndiqet me vëmendje edhe në institucionet europiane, ndërsa bëri thirrje për rritjen e presionit ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Në fjalën e saj, Tsetsi vlerësoi qëndresën e protestuesve, duke theksuar se kauza e tyre nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e natyrës, por edhe me dinjitetin, të drejtat dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë dhe urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje! Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj, zgjerimin në BE”, u shpreh Tsetsi.
Eurodeputetja greke u shpreh se procesi i integrimit europian nuk mund të ecë përpara nëse, sipas saj, qeveria nuk dëgjon qytetarët dhe vazhdon të ndjekë politika që bien ndesh me interesin publik.
“Nuk ka zgjerim të BE-së me Shqipërinë nëse Rama e shet vendin tek të huajt dhe nuk dëgjon zërin tuaj. 90% prej jush besoni në projektin e BE-së dhe këtë duam ta nderojmë. Duam që Komisioni Europian të ushtrojë presion ndaj Ramës që të heqë dorë!”, theksoi ajo.
Në fund të fjalimit, Tsetsi iu drejtua edhe familjes së saj politike në Europë, duke kërkuar reagim më të fortë ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe duke u bërë thirrje protestuesve të mos tërhiqen.
“Gjithashtu duhet të bëjmë një apel te miqtë tanë socialdemokratë sepse Rama është me socialdemokratët. Miqtë tanë atje duhet të zgjohen dhe t’ju mbrojnë. Ndaj mos u dorëzoni, çdo ditë është një ditë fitoreje! Jo vetëm për demokracinë, por për ju edhe për ne, sepse Shqipëria duhet të jetë në BE", përfundoi eurodeputetja.

Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus mori pjesë në protestën e 30-të të zhvilluar para Kryeministrisë, ku shprehu mbështetjen e saj për qytetarët shqiptarë dhe foli për mbrojtjen e natyrës, procesin e integrimit europian dhe një komunikim që, sipas saj, ka pasur me kryeministrin Edi Rama.
Në fjalën e saj, Paulus përgëzoi protestuesit për qëndresën, duke theksuar se pasuritë natyrore të Shqipërisë nuk duhet të shkatërrohen për interesa private dhe se zëri i qytetarëve do të përcillet në institucionet europiane.
“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme dhe është kaq bukur t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamengot dhe kundër oligarkëve që duan të shkatërrojnë atë natyrë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do përcjellim zërin tuaj në Bruksel dhe do themi se Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje!” u shpreh Paulus.
Eurodeputetja deklaroi më tej se, sipas saj, nëse Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, qeveria duhet të ndryshojë ligjet që, sipas saj, favorizojnë interesa të ngushta ekonomike.
“Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do bashkohet me BE, që ju e meritoni kaq shumë, atëherë qeveria juaj duhet të ndryshojë ligjin, duhet të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe që nuk e bënë për të mirën e shqiptarëve, por vetëm për xhepat e tyre dhe miqtë e tyre! Faleminderit për këtë protestë edhe pse qeveria kërkon t’ju intimidojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja.”
Në fund të fjalës së saj, Paulus deklaroi se kishte marrë një email nga kryeministri Edi Rama, përmes të cilit, sipas saj, i ishte kërkuar të mos mbështeste një amendament në Parlamentin Europian. Ajo tha se amendamenti u votua pavarësisht kësaj kërkese.
“Tineke e përmendi rezolutën duke kërkuar moratorium. Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu! Vijoni betejën tuaj, do bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre.”-përfundoi ajo.

Protestës së 30-të antiqeveritare iu bashkua edhe eurodeputetja holandeze Tineke Strik, e cila nga podiumi para Kryeministrisë shprehu mbështetjen e saj për qytetarët shqiptarë dhe u bëri thirrje të vijojnë mobilizimin.
Në fjalën e saj, Strik deklaroi se zëri i protestuesve nuk do të mbetet vetëm në shesh, por do të dëgjohet edhe në institucionet europiane, duke premtuar se do të mbështesë kauzën e tyre në Bruksel.
"Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do shprehet edhe në Bruksel. Do luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci", tha ajo.
Eurodeputetja theksoi se protesta është një shenjë e qartë se qytetarët nuk pranojnë kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore, ndërsa kërkoi që qeverisja të jetë më e përgjegjshme ndaj zërit të qytetarëve.
"Kjo tregon se populli shqiptar nuk e pranon mohimin e të drejtës së fjalës dhe se qeverisja duhet të dëgjojë qytetarët dhe jo njerëzit e pasur", u shpreh Tineke Strik.
Fjalimi i saj u prit me duartrokitje nga protestuesit, ndërsa pjesëmarrja e saj në tubim u konsiderua nga organizatorët si një sinjal mbështetjeje nga eurodeputetë të pranishëm në Tiranë.
Pavarësisht momenteve të tensionit dhe debateve me rojet e sigurisë, protestuesit arritën ta vendosin sërish banderolën në godinë
Pas përplasjes me rojet e godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës, protestuesit kanë arritur të marrin banderolën “Ju erdhi fundi”.
Banderola gjigande u shpalos në nisje të protestës para Kryeministrisë dhe u hoq pak minuta më pas. Kjo i irritoi akoma më shumë protestuesit, të cilët rrethuan Politeknikun.
Pasi mbërritën pranë godinës, protestuesit kërkuan sqarime për vendndodhjen e banderolës dhe bënë thirrje që ajo t'u kthehej. Më pas, një pjesë e tyre hynë në ambientet e universitetit, duke këmbëngulur se banderola ishte marrë padrejtësisht dhe duhej rikthyer.
Gjatë hyrjes në godinë u krijuan momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së Universitetit Politeknik. Pati debate verbale dhe përplasje për shkak të përpjekjeve të protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme, ndërsa rojet u përpoqën të pengonin hyrjen e tyre.
Edhe gjatë këtyre momenteve, protestuesit nuk i ndërprenë thirrjet kundër qeverisë. Ata brohoritën vazhdimisht "Rama ik" dhe "Dorëheqje", duke përsëritur kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke e cilësuar protestën si vazhdim të presionit qytetar ndaj qeverisë.

Protesta e 30-të antiqeveritare vijoi këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë, ndërsa një pjesë e protestuesve u rikthyen në Universitetin Politeknik për të rimarrë banderolën që u hoq nga rojet e sigurisë.
Pas përplasjes me efektivët e sigurisë, qytetarët arritën ta rimarrin banderolën me mbishkrimin "Ju erdhi fundi! Shqipëria nuk është në shitje", të cilën paralajmëruan se do ta rivendosin sërish.
Ndërkohë, pjesa tjetër e protestuesve mbeti para Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalimet kryesore të tubimit.
Mes tyre ishte gazetari Klevin Muka, i cili doli në podium me një bidon bosh uji në dorë, duke e përdorur si simbol të mungesës së një prej shërbimeve më bazike në vend.
"Këtu jam me një simbolikë, me një bidon uji bosh. Dua t’i kthej një përgjigje atyre që thonë pse dilni në protestë. A ju kujton gjë shprehja 'erdhi uji'? Kemi 36 vite që bredhim me bidona nëpër duar që të mbushim ujë, kur jemi vendi i dytë për burime ujore në Europë. Sa të paaftë kanë qenë kjo kastë politike për të siguruar gjërat esenciale? Pas 36 vitesh flasim ende për ujin e pijshëm", tha ai.
Më pas, ai e zhvendosi fokusin te çmimi i karburanteve, duke akuzuar klasën politike për korrupsion dhe keqmenaxhim.
"Ndaj është shumë e rëndësishme t’i themi mjaft dhe boll këtyre që i kanë pirë gjakun këtij kombi duke mos garantuar gjërat më bazike si uji i pijshëm, ndërkohë që jemi vendi i vetëm në rajon që kemi resurse dhe burime nafte dhe vendi që kemi naftën më të shtrenjtë në rajon sepse këta na vjedhin kudo! Nuk shitet gjaku ynë, gjaku i dëshmorëve për një rrogë!", u shpreh gazetari.
Në fund të fjalës së tij, Muka u bëri thirrje qytetarëve të mos tërhiqen nga protesta, duke e lidhur atë me të ardhmen e brezave të rinj.
"Ndoshta do keni një pjatë më shumë në tavolinë, një makinë më të mirë, por asgjë nuk ka kuptim kur nuk keni identitet! Dhe një mesazh të fundit, këtu ndahet historia. Nëse fëmijët tanë do jenë qytetarë të botës, sheshi këtu do e përcaktojë! Për ata që pyesin kur do përfundojnë protestat, do përfundojnë kur të fitojmë ne këtu!", deklaroi ai.
Fjalën e mori edhe aktivisti Edison Lika, i cili tha se protesta ka tronditur sistemin politik të ngritur ndër vite.
"Protesta goditi në zemër sistemin e vjetër. I ka dhënë goditje establishmentit politik, mediave të kapura dhe oligarkëve që e kanë mbajtur në pushtet", u shpreh ai.
Protesta e kësaj të hëne shënoi ditën e 30-të radhazi të mobilizimit qytetar, ndërsa kërkesa kryesore e organizatorëve mbetet dorëheqja dhe hetimi i kryeministrit Edi Rama. Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit pritet të vijojnë marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të godinës, ndërsa pjesëmarrësit vijuan me thirrjet "Rama ik" dhe "Dorëheqje"
Protesta e 30-të kundër qeverisë mori një tjetër zhvillim mbrëmjen e sotme, ku protestuesit kanë rrethuar Universitetin Politeknik të Tiranës, duke kërkuar rikthimin e një banderole që, sipas tyre, ishte hequr më herët nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Pasi mbërritën pranë godinës, protestuesit kërkuan sqarime për vendndodhjen e banderolës dhe bënë thirrje që ajo t'u kthehej. Më pas, një pjesë e tyre hynë në ambientet e universitetit, duke këmbëngulur se banderola ishte marrë padrejtësisht dhe duhej rikthyer.
Gjatë hyrjes në godinë u krijuan momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së Universitetit Politeknik. Pati debate verbale dhe përplasje për shkak të përpjekjeve të protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme, ndërsa rojet u përpoqën të pengonin hyrjen e tyre.
Edhe gjatë këtyre momenteve, protestuesit nuk i ndërprenë thirrjet kundër qeverisë. Ata brohoritën vazhdimisht "Rama ik" dhe "Dorëheqje", duke përsëritur kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke e cilësuar protestën si vazhdim të presionit qytetar ndaj qeverisë.

Ironia, satira dhe akuzat ndaj qeverisë u pasqyruan në dhjetëra pankarta, të cilat u bënë një nga elementët më të spikatur të protestës së 30-të antiqeveritare.
Protesta e 30-të antiqeveritare nuk u karakterizua vetëm nga marshimi dhe fjalimet para Kryeministrisë, por edhe nga pankartat e mbajtura nga qytetarët, të cilat përcollën mesazhe të drejtpërdrejta, ironi dhe akuza të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Pas grumbullimit në sheshin "Skënderbej", protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku mbajtën fjalimet e radhës, për të vijuar më pas marshimin në rrugët kryesore të Tiranës. Por edhe këtë herë, ishin pankartat ato që tërhoqën vëmendjen më shumë se gjithçka tjetër.
Një nga mesazhet më të forta u shfaq nga studentët, të cilët varën në një godinë një banderolë gjigante me mbishkrimin "Studentët: Ju erdhi fundi!!", të shoqëruar me sloganin në anglisht "Albania is not for sale", duke kundërshtuar projektet që, sipas tyre, po tjetërsojnë pronat dhe pasuritë publike.
Akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë kishte edhe në pankartën ku renditeshin, njëra pas tjetrës, fjalët "Arrogancë", "Nepotizëm", "Korrupsion", "PPP", "Shëndetësi e kapur", "Varfëri" dhe "Drejtësi e kapur", ndërsa në qendër të saj dominonte thirrja: "Boll, dorëhiqu!"
Një tjetër pankartë vinte në shënjestër mungesën e transparencës mbi investimet në vend, me mesazhin: "Pronarët e fshehur? Jo në Shqipëri. Investime po, pronësi e paqartë jo." Përmes saj protestuesit kërkonin identifikimin e pronarëve përfitues të projekteve strategjike dhe kundërshtonin përdorimin e kompanive me pronësi të fshehur.
Ironia nuk mungoi as ndaj kryeministrit. Në një pankartë shkruhej: "Problemi i Ramës nuk është korrupsioni. Problemi i Ramës janë protestuesit", duke ironizuar, sipas organizatorëve, mënyrën sesi qeveria po i trajton qytetarët që dalin në shesh.
Një tjetër mesazh i drejtohej debatit politik të ditëve të fundit: "Nuk na bashkojnë 13 emrat. Na bashkon Shqipëria", ndërsa në një pankartë tjetër lexohej: "Nuk jemi 13. Jemi mijëra", në përpjekje për të theksuar se protesta, sipas organizatorëve, nuk përfaqëson një grup të vogël individësh, por një pakënaqësi më të gjerë qytetare.
Me humor politik u paraqit edhe një poster i titulluar "Ed Kishoti i Surrelit dhe Sali Pança", ku Edi Rama dhe Sali Berisha ishin paraqitur si personazhe të frymëzuar nga romani "Don Kishoti", shoqëruar me mbishkrimin ironik "Një bestseller i letërsisë shqiptare".
Një tjetër pankartë krahasonte protestën me një ndeshje simbolike: "Ndeshja nr. 30 – Aleanca e Shqipërisë së Re kundër Aleancës së Qelbësirave të Ramës", ndërsa poshtë shkruhej se beteja zhvillohej "për liri, dinjitet dhe të ardhmen e Shqipërisë", përballë, sipas protestuesve, "pushtetit, korrupsionit dhe shkatërrimit të Shqipërisë".
Nuk munguan as mesazhet në anglisht, të drejtuara institucioneve europiane. Në një prej tyre shkruhej: "EU, I didn't know you welcomed dictators. Is this your values?", ndërsa në një tjetër lexohej: "30 Days. No Fear. No Silence. Only Democracy", duke iu referuar faktit se protesta ka hyrë në ditën e 30-të dhe, sipas organizatorëve, do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Një tjetër pankartë godiste mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike, me mesazhin: "Lubia gëlltiti miliona në tunel dhe beton, arsimi ynë lëngon!", duke akuzuar qeverinë se po favorizon projektet infrastrukturore në kurriz të arsimit.
Mes pankartave u shfaqën edhe kërkesa konkrete politike, si dorëheqja e kryeministrit, krijimi i një qeverie teknike dhe shfuqizimi i disa ligjeve të miratuara nga mazhoranca, ndërsa protesta vijoi më pas me marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit.















Aktivisti Edison Lika mbajti fjalën e tij gjatë protestës së 30-të radhazi para Kryeministrisë, ku deklaroi se kërkesa e protestuesve mbetet e pandryshuar që nga dita e parë: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Lika u shpreh se protesta ka arritur të bashkojë qytetarët rreth një mesazhi të përbashkët, ndërsa theksoi se, sipas tij, kjo lëvizje ka goditur strukturat që kanë mbështetur qeverinë.
“Sot jemi në ditën e 30-të të protestës së jashtëzakonshme që ka parë Shqipëria në 36 vite. Edhe sot, ashtu si në ditën e parë, kërkojmë DORËHEQJE. Nëse ka edhe një fjali tjetër që ka bashkuar këtë protestë, ka qenë fjalia që e goditi mu në zemër të gjithë sistemin e vjetër: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Kjo lëvizje i ka dhënë goditje establishmentit politik, i ka dhënë goditje oligarkisë, mediave të kapura dhe ndërkombëtarëve që kanë hedhur dhe e kanë mbajtur këtë palaço në pushtet”, tha ai.

Tensione te Politkeniku për vendosjen e një pankaret gjigande...
Një moment tensioni është shënuar gjatë protestës së ditës së 30-të, pasi policia ka ndërhyrë për të hequr pankartën gjigante të vendosur në godinën e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Banderola, me mbishkrimin "Studentët: Ju erdhi fundi!!", ishte shpalosur nga ballkoni i godinës dhe shoqërohej me flakadanë të kuq, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e protestuesve dhe kalimtarëve. Në pjesën e poshtme të saj lexohej edhe mesazhi në anglisht "Albania is not for sale".
Pak minuta pas vendosjes së saj, rojet e universitetit kanë ndërhyrë duke e shkëputur banderolën.
Ndërhyrja ka shkaktuar reagimin e protestuesve, ndërsa një grup qytetarësh është shkëputur nga tubimi para Kryeministrisë dhe është nisur në drejtim të Universitetit Politeknik për të mbështetur personat që ndodheshin në godinë dhe për të kundërshtuar heqjen e banderolës. Protestuesit u futën madje brenda universitetit, duke u hapur me forcë derën. Ata kanë kërkuar rikthimin e banderolës.
Ngjarja ka rritur tensionin për disa minuta, ndërsa protestuesit kanë vijuar të brohorasin sloganet "Rama ik", "Shqipëri e re" dhe "Ju erdhi fundi".
Pankarta është kthyer në një nga simbolet më të forta të ditës së 30-të të protestës, ndërsa situata pranë Universitetit Politeknik po ndiqet nga afër nga protestuesit dhe forcat e rendit.


Qytetarët i janë rikthyer sërish sheshit "Skënderbej" në ditën e 30-të të protestës antiqeveritare, duke vijuar mobilizimin kundër qeverisë me marshim drejt Kryeministrisë.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në qendër të Tiranës dhe më pas marshuan përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ku u ndalën para godinës së Kryeministrisë. Gjatë marshimit, pjesëmarrësit iu drejtuan edhe tifozëve të grumbulluar në zonën e "Fan Zone", duke u bërë thirrje që t'u bashkohen protestës.
Gjithashtu, në protestën e sotme marrin pjesë edhe pesë eurodeputetë: Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, të ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Italia.
Ndërkohë, gjatë ditës janë zhvilluar takime mes grupeve koordinuese të protestës, ndërsa studentët pritet të shfaqen me një banderolë surprizë në ditën e 30-të të tubimit.
Edhe këtë herë, protestuesit kanë improvizuar një podium përpara godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalimet dhe mesazhet politike të radhës.
Protesta zhvillohet vetëm pak orë pasi Policia e Shtetit procedoi penalisht 31 persona për ngjarjet e protestës së një dite më parë. Sipas policisë, ata akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.
Marshimi i 30-të i protestës para Kryeministrisë ka nisur, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ka nisur marshimi i 30-të i protestës para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku dhjetëra qytetarë janë mbledhur për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Të pandalshëm, protestuesit bëjnë sot fiks një muaj që mbushin sheshet e Tiranës.
Qytetarët marshuan me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndryshime politike. Ata shprehën pakënaqësinë për situatën ekonomike, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes, duke kërkuar që kryeministri të japë dorëheqjen.
Gjatë protestës, organizatorët deklaruan se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa theksuan se qëllimi i tyre është të ushtrojnë presion qytetar ndaj institucioneve.
Gjatë marshimit, aktivisti Arben Kola u ndal te pjesëmarrja e përfaqësuesve ndërkombëtarë në protestë, duke bërë të ditur se në tubimin e kësaj të hëne ishin të pranishëm katër eurodeputetë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
“Edhe për fjalimet kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi do të kemi edhe katër eurodeputetë që janë shtuar. Ata vijnë nga Holanda, Gjermania dhe Italia. Në të ardhmen do të kemi edhe senatorë dhe kongresmenë amerikanë”, tha Kola.
Më tej, ai deklaroi se çdo mbështetje ndërkombëtare që, sipas tij, do të kontribuonte në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë ishte e mirëpritur.
“Sot, edhe për fjalimet kërkojmë mirëkuptimin tuaj, pasi do të kemi edhe katër eurodeputetë që janë shtuar. Ata vijnë nga Holanda, Gjermania dhe Italia. Në të ardhmen do të kemi edhe senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Kështu që kushdo që kontribuon për heqjen e Edi Ramës dhe të qeverisë së narkoshtetit është i mirëpritur. Dorëheqje!”, tha ai.

Protesta e 30-të sot ka mbledhur qindra qytetarë në sheshin "Skënderbej", ku pjesëmarrësit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Ata kanë theksuar se arsyeja kryesore e daljes në shesh është mungesa e shpresës për të ardhmen e fëmijëve dhe keqqeverisja e vendit.
Një prej protestuesve tha se motivi kryesor që e ka nxjerrë në protestë janë fëmijët e tij, pasi nuk sheh asnjë perspektivë në Shqipëri. Ai rrëfeu se vajza e tij, ndonëse ka përfunduar dy shkolla, punon në një kompani private ku, sipas tij, përballet me padrejtësi dhe mungesë vlerësimi.
"Kemi 1001 arsye për të dalë, qeveria investon vetëm në organizata e krimit, me popullin ka hipokrizi. Këtë lloj talljeje asnjë s’e kapërdin dot. Nuk lejojmë asnjë lloj qeverie të shesë trojet që janë mbrojtur me gjak. Ne kemi krijuar Evropën dhe perandoritë egjiptiane. Nuk shoh asnjë të ardhme për fëmijët, vajza ime ka mbaruar dy shkolla dhe është e punësuar në një kompani oligarkësh, e shtypur nga injorantët, me një punë të rëndomtë", u shpreh ai.
Një tjetër qytetar, i intervistuar gjatë protestës, u shpreh se ka marrë pjesë në të gjitha tubimet kundër qeverisë dhe se këtë herë proteston për të ardhmen e brezit të ri. Ai tha se ndihet i zhgënjyer nga mënyra se si administrohen taksat dhe se premtimet për integrimin europian kanë dështuar.
"Kam qenë në të gjitha protestat, po protestoj për fëmijët e mi. Kemi shkuar në gropë, jo në Europë!", tha qytetari.
Sipas protestuesit, vendi ndodhet në një krizë të thellë besimi, ndërsa shteti, sipas tij, nuk po funksionon më në shërbim të qytetarëve.
Lini një Përgjigje