TAGS-AT E JAVËS

LIVE UPDATES24 Qershor 2026, 20:47

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25 ditë në shesh për largimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
1 DITE ME PARE

Shiu ndërpret fjalimet, por jo protestën/ Qytetarët mbeten para Kryeministrisë me thirrje kundër Ramës

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Pamje nga protesta

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Tiranën kanë detyruar organizatorët të ndërpresin përkohësisht fjalimet në protestën e 25-të kundër qeverisë. Megjithatë, moti i keq nuk i ka larguar qytetarët nga sheshi.

Dhjetëra protestues vijojnë të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë, të lagur nga shiu i rrëmbyeshëm, por të vendosur për të mos e ndërprerë tubimin. Edhe pse foltorja është heshtur për shkak të kushteve atmosferike, protesta vazhdon përmes thirrjeve që dëgjohen vazhdimisht në shesh.

“Rama ik”, “Jep dorëheqjen”, “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re” janë sloganet që po shoqërojnë qëndrimin e protestuesve para Kryeministrisë.

Pamjet nga sheshi tregojnë qytetarë që, pavarësisht shiut, nuk kanë zgjedhur të largohen, duke e kthyer motin e keq në një tjetër provë të qëndresës së tyre. Në ditën e 25-të të protestës, pjesëmarrësit po dërgojnë mesazhin se pakënaqësia ndaj qeverisë dhe klasës politike nuk zbehet as nga stuhia.

Ndërsa fjalimet janë ndërprerë, protesta vijon në formën e një tubimi qytetar përpara Kryeministrisë, me thirrje kundër Edi Ramës dhe asaj që protestuesit e cilësojnë si kastë politike që ka qeverisur vendin prej dekadash.

1 DITE ME PARE

“Kemi studiuar bashkë", sopranoja ironizon Ramën: Ke përfunduar më keq se Lenka Çuko

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25

Një soprano shqiptare, e cila prej vitesh jeton në Francë, iu bashkua protestës së 25-të të zhvilluar në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së saj para protestuesve, artistja tha se e njeh kryeministrin që nga koha kur studionin së bashku në Akademinë e Arteve, duke kujtuar një episod nga vitet e tyre studentore.

Sipas saj, Rama dikur kritikonte mënyrën e veshjes së vajzave, duke u thënë të mos visheshin si ish-funksionarja e lartë komuniste Lenka Çuko, ndërsa shtoi se sot Rama ka përfunduar më keq se kostumet e Lenkës.

“Rroftë Shqipëria! Jam këtu për t’i thënë Edi Ramës: kemi qenë në Akademi bashkë, njihemi mirë. Je një intelektual. Ti që dikur thoshe ‘mos u vishni si Lenka Çuko’, ke përfunduar më keq se kostumet e Lenka Çukos”, deklaroi sopranoja.

Deklarata e saj u prit me reagime dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila po zhvillohet për të 25-ën ditë radhazi në kryeqytet.

 

1 DITE ME PARE

“Ky është vetëm fillimi”, paralajmërohet protestë masive të shtunën!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Protesta

Pavarësisht reshjeve të shiut, protestuesit nuk u larguan nga sheshi dhe vijuan tubimin para Kryeministrisë me çadra në duar. Gjatë protestës u bë thirrje për një mobilizim edhe më të madh të shtunën, ku pjesëmarrësit deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen.

Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë dhënë sinjale se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga protestat qytetare, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim.

Edhe pse protesta e së mërkurës u zhvillua nën reshjet e shiut, pjesëmarrësit qëndruan në shesh me çadra në duar dhe vijuan tubimin, duke përsëritur thirrjet dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë.

Gjatë protestës, një prej pjesëmarrësve bëri thirrje për mobilizim më të madh në protestën e paralajmëruar për ditën e shtunë para Kryeministrisë.

“Nesër edhe më shumë”, u shpreh ai, duke iu referuar rritjes së pjesëmarrjes në protestat e ardhshme.

Organizatorët dhe protestuesit deklarojnë se do të vijojnë tubimet deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa protesta e së shtunës pritet të jetë një nga mobilizimet më të mëdha të javëve të fundit.

Pavarësisht kushteve atmosferike, pjesëmarrësit theksuan se shiu nuk i ka penguar të dalin në shesh dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, duke e konsideruar praninë e tyre një shenjë vendosmërie për të vazhduar protestën.

 

1 DITE ME PARE

“Suksesi është arritur", aktivistja nga protesta: S'mund të na blejnë më me bukën e gojës!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ishte një nga qytetaret që mbaji fjalën në protestën e 25-të kundër kryeministrit Rama në Tiranë.

Ajo deklaroi se qytetarët kanë nisur të ndërtojnë një frymë të re politike dhe se protestat tashmë kanë sjellë ndryshime në mënyrën se si shoqëria shqiptare e artikulon pakënaqësinë e saj.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, aktivistja iu përgjigj kritikave ndaj diskutimeve dhe mesazheve të përcjella nga podiumi i protestës, duke argumentuar se temat e ngritura prej javësh kanë munguar në debatin publik dhe në mediat tradicionale.

“Për të gjithë ata që thonë se fjalimet në këtë podium qenkan pa nivel, a i keni dëgjuar ndonjëherë këto fjalime për korrupsionin, për shëndetësinë, për autokracinë, për mediat, për oligarkinë, për partitë e vjetra politike? A i keni dëgjuar këto artikulime në mediat e kapura dhe të shitura, pronarët e të cilave janë edhe investitorë strategjikë?”, tha Vatnikaj.

Sipas saj, protestat e javëve të fundit kanë krijuar një formë të re përfaqësimi qytetar dhe kanë sjellë në qendër të vëmendjes çështje që, sipas saj, nuk janë trajtuar mjaftueshëm nga politika dhe media.

“Prej më shumë se tre javësh, shoqëria shqiptare, ju këtu në shesh, keni ndërtuar një artikulim të ri politik. Keni ndërtuar tanimë një kontratë të re sociale. Shoqëria shqiptare ka artikulim politik, ka edhe mllef dhe thotë: ‘Mjaft është mjaft’,” u shpreh ajo.

Aktivistja theksoi se, pavarësisht skepticizmit të disa kritikëve, protesta ka arritur tashmë një nga objektivat e saj kryesore: mobilizimin e qytetarëve.

“Për të gjithë ata që mendojnë se vapa, pushimet apo gjithçka tjetër mund ta ndalojnë këtë lëvizje, unë mendoj se ata presin suksesin e kësaj proteste. Suksesi është arritur. Shoqëria shqiptare ka dalë në rrugë, nuk është më e frikësuar dhe nuk mund të shantazhohet më me bukën e gojës. Njerëzit po kërkojnë një Shqipëri të re,” deklaroi Vatnikaj.

Ajo e mbylli fjalën e saj me thirrjen për një model të ri shoqëror dhe politik në vend.

“Unë jam këtu prej tre javësh për të thënë që nuk jetohet më kështu. Duam një Shqipëri të re, me një kontratë të re. Shqipëri e re!”, tha aktivistja.

1 DITE ME PARE

As stuhia nuk e ndal revoltën kundër Edi Ramës, me qindra qytetarë sfidojnë motin para Kryeministrisë

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Pamje nga protesta

Stuhia godet Tiranën, por jo protestën; qytetarët mbeten para Kryeministrisë

Reshjet e dendura të shiut, bubullimat dhe vetëtimat që kanë përfshirë Tiranën gjatë mbrëmjes nuk i kanë ndalur protestuesit që prej 25 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Edhe pse të lagur nga shiu i rrëmbyeshëm, dhjetëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë përpara godinës së Kryeministrisë, duke treguar se moti i keq nuk ka zbehur vendosmërinë e tyre. Mes reshjeve të forta vazhdojnë të dëgjohen thirrjet që tashmë janë bërë simbol i protestës: “Rama ik”, “Jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëri e re”.

Protesta e 25-të po zhvillohet në një klimë të veçantë, ku për herë të parë protestuesit po përballen me kushte të vështira atmosferike, por pa u tërhequr nga sheshi.

Mes folësve ishte edhe Gerti Sinani, i cili u prezantua si ish-ushtarak i Forcave Detare dhe pjesë e administratës publike. Në fjalën e tij ai artikuloi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mënyrës së qeverisjes së vendit.

Rama ka paguar 1 miliard euro në Elysee, kështu vepronin tiranët e Afrikës, çonin pasuritë e vendeve të tyre për të shpëtuar”, deklaroi ai para protestuesve.

Sinani nuk kurseu kritikat as ndaj opozitës, duke akuzuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha për përçarjen e shqiptarëve. “Saliu ndau veriun me jugun, këtë popull të bekuar”, u shpreh ai.

Një tjetër moment i fortë i protestës ishte fjala e një qytetareje, e cila deklaroi se shqiptarët po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, mungesë ilaçesh në spitale dhe kosto të papërballueshme për trajtimet mjekësore. Ajo theksoi se as presionet, as etiketimet dhe as moti i keq nuk do ta ndalin protestën.

Një shoqëri që nuk e ndali as presionet për vendin e punës, as etiketimet personale të zotit Rama, nuk e ndal as shiu. Sot po i thotë Europës: bëhuni me ne dhe jo me autokratin. A jetohet me një kryeministër autokrat, me oligarkë që ju marrin edhe malin dhe detin? Sistemit të drejtësisë i kërkojmë të shkojë deri në fund. Edhe trotuari merret për të bërë pallat e kulla. A jetohet siç jetojnë shqiptarët që duhet të hapësh GoFundMe ose të marrësh borxh sepse në spital nuk ka ilaçe?”, deklaroi protestuesja.

Pavarësisht motit të keq, protesta vijon para Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi qytetar do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

 

1 DITE ME PARE

“Jam pjesë e administratës”, ish-ushtaraku lëshon akuza të forta ndaj Ramës dhe Berishës!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Protesta

Mes folësve në protestë ishte edhe Gerti Sinani, i cili u prezantua si ish-ushtarak i forcave detare dhe pjesë e administratës publike. Në fjalën e tij, ai artikuloi kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për mënyrën e qeverisjes dhe për menaxhimin e pasurive publike.

Sinani bëri gjithashtu krahasime me regjime autoritare, duke pretenduar se drejtuesit politikë po përpiqen të sigurojnë interesat e tyre personale në kurriz të vendit.

“Rama ka paguar 1 miliard euro në Elysee, kështu vepronin tiranët e Afrikës, çonin pasuritë e vendeve të tyre për të shpëtuar”, deklaroi ai gjatë protestës.

Në fjalën e tij nuk munguan as kritikat ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Protestuesi u shpreh se edhe opozita mban përgjegjësi për zhvillimet politike të viteve të fundit, duke akuzuar Berishën se ka kontribuar në ndarjen e shqiptarëve.

“Saliu ndau veriun me jugun, këtë popull të bekuar”.-shtoi më tej ai. 

 

1 DITE ME PARE

“Në spitale nuk ka ilaçe”, protestuesja thirrje Evropës: Bëhuni me popullin dhe jo me autokratin!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Protestuesja thirrje Evropës

Gjatë fjalës së saj, një protestuese deklaroi se qytetarët përballen me vështirësi të shumta në jetën e përditshme, duke përmendur mungesën e ilaçeve në spitale dhe kostot e larta të trajtimeve mjekësore.

Protestuesja i bëri gjithashtu thirrje Bashkimit Europian që, sipas saj, të mbështesë qytetarët shqiptarë dhe jo atë që ajo e cilësoi si qeverisje autokratike.

Ajo deklaroi se protestat do të vijojnë pavarësisht presioneve apo kushteve atmosferike, ndërsa kërkoi që institucionet e drejtësisë të hetojnë deri në fund rastet e korrupsionit dhe abuzimit me pronat publike.

“Një shoqëri që nuk e ndali as presionet për vendin e punës, as etiketimet personale të zotit Rama, nuk e ndal as shiu. Sot po i thotë Europës bëhuni me ne dhe jo me autokratin. Në një nga këto ditë, një nga shokët tanë bëri një pyetje…Mirë ne Diaspora që s’kemi frikë, po ju në Shqipëri a keni frikë që dilni në protestë? Dhe ju përgjigja, a jetohet me një kryeministër autokrat, me oligarkë që iu marrin edhe malin dhe detin? Sistemit të drejtësisë i kërkojmë të shkojnë deri në fund. Edhe trotuari merret për të bërë pallat e kulla. A jetohet siç jetojnë shqiptarët që duhet të hapësh GoFaundMe ose të marrësh borxh sepse ne spital nuk ka ilaçe”, u shpreh protestuesja.

 

1 DITE ME PARE

Protestuesit përsërisin kërkesat para Kryeministrisë: Presionet nuk na ndalin, do ketë përshkallëzim!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Protestuesi

Protestuesit e mbledhur këtë të mërkurë në Tiranë kanë ripërsëritur kërkesat e tyre kryesore gjatë protestës së 25-të kundër qeverisë. Para Kryeministrisë, pjesëmarrësit kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e qeverisë dhe ndryshime në sistemin politik.

Një prej aktivistëve foli në podiumin e improvizuar teksa theksoi se qytetarët do e përshkallëzojnë protestat e tyre nëse pushtetarët vijojnë të uzurpojnë karriget me korrupsion.

Aktivisti: Nuk shkulen nga karriget e institucioneve. Përshkallëzimi i qytetarëve do shkojë deri në bllokimin e institucioneve nëse këta pushtetarë të korruptuar do vazhdojnë t’i uzurpojnë ato me dhunë.

Me pankarta dhe thirrje të shumta, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj asaj që e konsiderojnë keqqeverisje, korrupsion dhe mungesë të llogaridhënies nga institucionet shtetërore. Mes sloganeve më të dëgjuara gjatë tubimit ishin “Rama jep dorëheqjen”, “Poshtë diktatura”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”.

Disa prej protestuesve kanë kërkuar gjithashtu ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke argumentuar se nevojiten reforma që garantojnë përfaqësim më të drejtë dhe më shumë mundësi për qytetarët në proceset vendimmarrëse.

 

1 DITE ME PARE

“Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”, jehojnë thirrjet nga protesta e 25-të kundër qeverisë

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25

Qytetarët janë mbledhur sërish këtë të mërkurë në Tiranë, në ditën e 25-të radhazi të protestës kundër kryeministrit Edi Rama. Tubimi, i cili prej javësh po zhvillohet në kryeqytet, ka vijuar me marshimin e protestuesve drejt godinës së Kryeministrisë, aty ku mbahen fjalimet kryesore të protestës.

Pas fjalimeve, qytetarët do të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës, duke valëvitur flamuj kombëtarë dhe duke lëshuar thirrje në shenjë revolte ndaj qeverisë dhe sistemit politik.

Protestuesit kanë përsëritur kërkesën e tyre kryesore se, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është e panegociueshme. Njëkohësisht, ata kanë kërkuar që Strukturat e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të veprojnë dhe të japin drejtësi.

Mesazhet e tyre janë shprehur edhe përmes thirrjeve dhe pankartave të mbajtura gjatë marshimit. Disa prej tyre mbanin mbishkrimet: “Atdheu nuk është në shitje”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Programi i qeverisë Rama: F*ck you”, “Rama jep dorëheqjen”, “Edi Rama o legen, prite popullin se po vjen”, dhe “Edi Rama o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”.

Protestuesit iu referuan edhe deklaratave të fundit të kryeministrit Edi Rama për median ndërkombëtare "Financial Times", duke iu përgjigjur gjatë protestës me të njëjtat mesazhe që, sipas tyre, janë përdorur ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë.

Tubimi i sotëm shënon ditën e 25-të të një serie protestash të pandërprera, të cilat organizatorët dhe pjesëmarrësit i konsiderojnë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes aktuale dhe funksionimit të institucioneve në vend.

 

1 DITE ME PARE

Presioni ndaj Ramës vijon, nis protesta e 25-të para Kryeministrisë!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Nis protesta e 25-të para Kryeministrisë!

Protestuesit kanë ripërsëritur thirrjet si “Poshtë diktatura”, “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”...

Ka nisur marshimi për herë të 25-të drejt Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur sërish për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.

Gjatë grumbullimit, protestuesit kanë hedhur thirrje si “Poshtë diktatura”, “Rama jep dorëheqjen”, “Revolucion” dhe “Shqipëri e re”, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes.

Mes pankartave të mbajtura nga protestuesit lexohej edhe mesazhi: 'Duhet të largohet kjo qeveri, sepse na ka vjedhur'.

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Foto nga protesta

Një nga protestuesit, në një prononcim gjatë grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, u shpreh se një nga kërkesat kryesore të lëvizjes është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, të cilin e konsideroi të domosdoshëm për garantimin e një përfaqësimi më të drejtë politik. Ai deklaroi se është i vendosur të vazhdojë pjesëmarrjen në protesta dhe në çdo formë demokratike reagimi qytetar deri në largimin e qeverisë aktuale, duke theksuar se sipas tij vendi ka nevojë për ndryshim politik dhe institucional.

Organizatorët e konsiderojnë protestën e sotme si kulmin e një serie mobilizimesh qytetare që kanë vijuar prej më shumë se tri javësh. Sipas tyre, pakënaqësia qytetare ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së llogaridhënies dhe fenomenit të emigrimit të të rinjve.

Mbrëmjen e së martës u zhvillua protesta e 24-t, gjatë së cilës protestuesit marshuan në disa akse kryesore të kryeqytetit përpara se të mblidheshin para godinës së Kryeministrisë. Në përfundim të tubimit, pjesëmarrësit përsëritën kërkesën e tyre kryesore që janë; dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat jo më pak se 12 muaj, ndryshime kushtetuese që do të miratohen me referendum, si dhe ndryshime në ligjin për financimin e partive politike.

Po ashtu, protestuesit kërkojnë kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Edhe për protestën e sotme pritet pjesëmarrje e lartë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e mobilizimit qytetar deri në realizimin e kërkesave të tyre.



1 DITE ME PARE

"Më kanë shembur shtëpinë", shpërthen protestuesi: Në zyrat e shtetit ka arrogancë, Rama e ka kthyer vendin në burg!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25
Protestuesi

Gjatë grumbullimit në Sheshin Skënderbej, një nga protestuesit u shpreh se shteti i ka shembur shtëpinë prej 10 vitesh dhe ende është me bonusi qiraje dhe shteti nëpër zyra tregohet arrogantë dhe nuk i jep zgjidhje. Ai shton se Rama e ka kthyer vendin në burg.

Protestuesi shprehu gjithashtu pakënaqësi për koston e jetesës, papunësinë dhe shërbimet publike, duke kritikuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për situatën në vend.

Protestuesi: Nuk kanë lënë gjë pa vjedh. Taksat nuk e dimë ku shkojnë. Nafta më e shtrenjtë se kudo. Na kanë shembur shtëpiat. Kam vite me bonus qiraje nuk di se kur do marr shtëpinë. Ku të shkojmë ne? Iku jeta ime. Jam gati me bo gjithçka jam i vdek për veti. Fëmijët i kam me shkollë nuk i merr kush në punë. Nëpër zyrat ka shumë arrgancë. Shko te ujësjellësi i njëjti gjë. Kam djalin dhe vajzën pa punë. Ku t’ia nisësh ku ta lësh. Shqipëri hesapi. Afganistan. E ka kthyer në burg Edi Rama.

1 DITE ME PARE

Sot tubimi i 25-të, flet protestuesi: Fundi i një demokracie fasadë, shqiptarët nuk duhet të ndalen!

Minutë pas minute/ Mes shiut dhe vetëtimave, qytetarët 25

Sot në Tiranë do të mbahet protesta e 25-të radhazi ku qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Tubimi, i cili prej javësh mbahet në kryeqytet, ka mbledhur qytetarë nga profesione dhe grupmosha të ndryshme, të cilët shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe një profesor i Letërsisë, i cili gjatë fjalës së tij argumentoi pse, sipas tij, protesta duhet të vazhdojë. Ai tha se kjo lëvizje qytetare ka rikthyer shpresën dhe besimin te ndryshimi, duke e cilësuar atë si një shenjë të qëndresës së shqiptarëve.

“Kjo protestë zgjoi dëshirën, ëndrrën dhe shpresën. Është një tregues se shqiptarët janë si feniksi,” u shpreh ai.

Profesori renditi një sërë problematikash që, sipas tij, prekin qytetarët, duke përmendur korrupsionin, dhunën shtetërore, mungesën e përfaqësimit dhe kufizimin e së drejtës së fjalës.

“Paguajmë korrupsionin, dhunën shtetërore. Paguajmë ujin që nuk është i pijshëm. Mosrealizimi i të drejtës së përfaqësimit, dhe ndaj duhet të protestojmë. E drejta e fjalës është e dhunuar. Flet kryeministri në të gjitha televizionet, nuk dëgjohet qytetari. Këta përfaqësojnë derisa marrin votat. Po shkatërrojnë Shqipërinë, jetën e qytetarit,” deklaroi ai.

Duke iu referuar vazhdimësisë së protestave, ai tha se qytetarët nuk duhet të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

“Nëse kupa u derdh, atëherë çfarë ka mbetur për t’u bërë? Evropa dhe Amerika duhet të kuptojnë se është çështje e dhunimit të të drejtës së ekzistencës dhe jo vetëm e Zvërnecit,” theksoi profesori.

Gjithashtu, profesori e cilësoi situatën aktuale si një moment kritik për demokracinë në vend. “Ky moment është fundi i një demokracie fiktive, fasadë,” u shpreh ai.

Lini një Përgjigje