TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 22:00

"Thuaji Ramës të ikë", Krasniqi debat me Gonxhen: Lërini sulmet ndaj qytetarëve, keni pasur kriminelë në Parlament!

Shkruar nga Pamfleti
"Thuaji Ramës të ikë", Krasniqi debat me Gonxhen:
Gonxhe-Kransiqi

Protestat qytetare që kanë hyrë në ditën e 30-të janë bërë pjesë e debatit edhe në studion e emisionit "Off the Record" në A2 CNN, ku politologu Afrim Krasniqi dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u përplasën për kërkesat e protestuesve dhe reagimin e qeverisë.

Krasniqi i kërkoi publikisht ministrit që t'i përcjellë kryeministrit Edi Rama kërkesën kryesore të protestuesve, dorëheqjen, duke theksuar se në demokraci dorëheqja nuk është turp.

"Ne jemi në ditën e 30-të të protestës dhe kemi komente mbi të, por asnjë akt zyrtar për t’iu përgjigjur shqetësimeve që kanë protestuesit. Thuajini edhe kryeministrit. Thuajini se nuk është turp të japësh dorëheqjen. Fati i këtij vendi s’është varur asnjëherë nga një njeri dhe larg qoftë të varet nga një njeri", u shpreh Krasniqi.

Ministri Blendi Gonxhja deklaroi se e njeh institucionin e dorëheqjes, por theksoi se në rastin e kryeministrit Rama një veprim i tillë nuk është i justifikuar.

"Unë kam treguar që e njoh institucionin e dorëheqjes. Nuk kam pse t’ia them kryeministrit në rast se nuk është e justifikuar. Do të ishte dëm i madh për vendin. Ka shumë rëndësi ndonjëherë vizioni", tha Gonxhja.

Debati u përqendrua edhe te mënyra se si mazhoranca po i trajton protestuesit. Krasniqi akuzoi qeverinë se po merret me etiketimin e pjesëmarrësve në protestë, ndërkohë që, sipas tij, Partia Socialiste ka pasur në radhët e saj persona me precedentë të rëndë.

"Kemi vetëm një strategji: gjej një njeri, etiketoje, sulmoje, denigroje. Për protestuesit bëhet biografia për pesë minuta, ndërsa kemi pasur në Parlament kriminelë, trafikantë dhe njerëz që në asnjë vend serioz nuk do të ishin pjesë e vendimmarrjes politike. Të thuash se qeveria ka meritë që njerëzit protestojnë paqësisht është një nonsens i madh", deklaroi politologu.

Nga ana tjetër, Gonxhja mbrojti qëndrimin e qeverisë, duke argumentuar se fakti që protestat zhvillohen lirisht është tregues i standardeve demokratike që, sipas tij, ka arritur Shqipëria.

"Patjetër që ka meritë. Në kohën kur protestonim ne të dy, Afrim, edhe mund të vriteshe. Është meritë e qeverive kur ka demokraci të këtij niveli. Kjo që shohim sot, që njerëzit protestojnë e bëjnë karnavale, është meritë e të gjithëve ne. Kemi arritur një standard ku mund të protestosh lirshëm", u përgjigj ministri.

Debati

Krasniqi: Ne jemi në ditën e 30-të të protestës dhe kemi komente mbi të, por asnjë akt zyrtar për t’iu përgjigjur shqetësimeve që kanë protestuesit. Kemi vetëm: gjej një njeri, etiketoje, sulmoje, denigroje. Për protestuesit bëhet biografia për pesë minuta, ndërsa kemi pasur në Parlament kriminelë, trafikantë dhe njerëz që në asnjë vend serioz nuk do të ishin pjesë e vendimmarrjes politike. Të thuash se qeveria ka meritë që njerëzit protestojnë paqësisht është një nonsens i madh.

Gonxhja: Patjetër. Në kohën që protestonim ne të dy, Afrim, edhe mund të vriteshe. Ka meritë.

Krasniqi: S’është meritë e juaja, është e kohës.

Gonxhja: Është meritë e qeverive kur ka demokraci të këtij niveli. Është meritë e Shqipërisë dhe e të gjithëve ne. Kemi arritur një standard ku mund të protestosh.

Krasniqi: S’është mbrojtje për kryetarin kjo, është fyese për shoqërinë.

Krasniqi: Pra mund të jepni dorëheqjen. Ky qenka lajm i mirë. Mund të japë qeveria dorëheqjen?

Gonxhja: Unë kam treguar që e njoh institucionin e dorëheqjes.

Krasniqi: Thuajani edhe kryeministrit.

Gonxhja: Nuk kam pse t’ia them në rast se nuk është e justifikuar.

Krasniqi: Thuajani, se nuk është turp të japësh dorëheqjen.

Gonxhja: Do të ishte dëm i madh për vendin. Ata që s’kanë asgjë për të humbur thonë "punë e madhe"...

Krasniqi: Fati i këtij vendi s’është varur asnjëherë nga një njeri dhe larg qoftë të varet nga një njeri.

Gonxhja: Ka shumë rëndësi ndonjëherë vizioni...

gonxhe krasniqi

1 Komente

  1. K
    KTH

    Vizioni i Gonxhes eshte vetem pangpshmeria e pergjithshme!

    Lini një Përgjigje