Pavarësisht momenteve të tensionit dhe debateve me rojet e sigurisë, protestuesit arritën ta vendosin sërish banderolën në godinë
Pas përplasjes me rojet e godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës, protestuesit kanë arritur të marrin banderolën “Ju erdhi fundi”.
Banderola gjigande u shpalos në nisje të protestës para Kryeministrisë dhe u hoq pak minuta më pas. Kjo i irritoi akoma më shumë protestuesit, të cilët rrethuan Politeknikun.
Pasi mbërritën pranë godinës, protestuesit kërkuan sqarime për vendndodhjen e banderolës dhe bënë thirrje që ajo t'u kthehej. Më pas, një pjesë e tyre hynë në ambientet e universitetit, duke këmbëngulur se banderola ishte marrë padrejtësisht dhe duhej rikthyer.
Gjatë hyrjes në godinë u krijuan momente tensioni mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së Universitetit Politeknik. Pati debate verbale dhe përplasje për shkak të përpjekjeve të protestuesve për të hyrë në ambientet e brendshme, ndërsa rojet u përpoqën të pengonin hyrjen e tyre.
Edhe gjatë këtyre momenteve, protestuesit nuk i ndërprenë thirrjet kundër qeverisë. Ata brohoritën vazhdimisht "Rama ik" dhe "Dorëheqje", duke përsëritur kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke e cilësuar protestën si vazhdim të presionit qytetar ndaj qeverisë.
Lini një Përgjigje