Prej orës 19:30, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ zhvillohet protesta e 29-të qytetare, ku i kërkohet dorëheqja e Edi Ramës si Kryeministër. Kjo është kërkesa që bashkon protestuesit, pavarësisht grupimeve që i përkasin, apo thirrjeve që hidhen herë pas here, qoftë kundër Ramës, ashtu edhe Sali Berishës.
“Lëri mashtrimet, përgjigju popullit”, ishte një nga mesazhet që një prej protestuesve i drejtoi Edi Ramës me megafon, ndërsa një tjetër tha se “autokratët nuk dorëhiqen, por hiqen”.
Në 4 korrik pritet të mbahet një protestë e madhe në Tiranë me pjesëmarrjen e diasporës, ndërsa të pranishmëve iu bë thirrje që të rezistojnë.
“Edi Rama, koha jote ka mbaruar, jep dorëheqjen. Pas datës 4 qytetarët shqiptarë do të vendosin vetë për fatin e tyre”, ishte një tjetër mesazh i dhënë nga protesta.
Një thirrje gjatë protestës iu drejtuar SPAK për të arrestuar ata që sipas protestuesve kanë vjedhur pronat publike dhe ato të shqiptarëve, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Ndërkohë një tjetër protestues, i ka drejtuar një thirrje partive të vogla që të mos shfrytëzojnë këtë protestë qytetare në interesin e tyre.
“Partitë e vogla mos ta përdorin këtë protestë për fushata dhe qëllime personale. Jo vetëm Rama dhe Berisha, por 140 parlamentarët në burg. Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, tha ai.
Gjatë protestës u dha njoftimi se ditën e hënë, protestës do i bashkohen edhe një grup europarlamentarësh, ndërsa iu kërkua Trupit Diplomatik, veçanërisht Ambasadës së SHBA-së, që të reagojnë lidhur me protestën.
“Është hera e parë që ndodh një gjë e tillë në Shqipëri, ambasadat duhet të reagojnë, kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve”, ishte një tjetër mesazh.
Lini një Përgjigje