TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Qershor 2026, 08:43

Artisja, udhërrëfyesi, gjyshja: Tre nga protagonistët e “Revolucionit të Flamingove”

Shkruar nga Zana Cimili
Artisja, udhërrëfyesi, gjyshja: Tre nga protagonistët e
Nga përgatitjet për protestën /

Protestat në Shqipëri kundër një projekti zhvillimi në bregdet kanë tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të lidhjeve me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump. Lëvizja është bërë e njohur edhe për simbolin e saj të pazakontë: flamingot e kartonit që mbahen në protesta masive në Tiranë. Aktivistët thonë se shqetësimi kryesor është shkatërrimi i një zone të mbrojtur natyrore në Lagunën e Nartës...

Protestat në Shqipëri kundër një projekti të madh ndërtimor në bregdet kanë marrë vëmendje globale, si për lidhjen me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, ashtu edhe për simbolin e tyre të veçantë.

Projekti luksoz ka dy pjesë: një resort të vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit dhe një zhvillim bregdetar në zonën e Lagunës së Nartës, e cila është një rezervat natyror ku jetojnë dhe shtegtojnë shumë lloje shpendësh, përfshirë flamingot.

Çdo mbrëmje për javë të tëra, protestuesit kanë marshuar me mijëra në kryeqytetin Tiranë, duke mbajtur në duar figura kartoni të flamingove. Kjo ka bërë që lëvizja e tyre e re të quhet “Revolucioni i Flamingove”. Më poshtë janë disa prej pjesëmarrësve të saj.

Artisja që krijon flamingot

Fatma Paja, 28 vjeç, jeton në Tiranë dhe drejton një studio kreative me dy motrat e saj. Ajo është pjesë e një grupi artistësh që kanë krijuar flamingot prej kartoni që janë kthyer në simbol të protestave të përnatshme.

“Kam përdorur prej kohësh artin si një mjet për të shprehur padrejtësitë dhe pakënaqësitë e jetës së përditshme në Shqipëri”- thotë Paja për Associated Press, ndërsa pikturon një flamingo prej kartoni me ngjyrë rozë për protestën e mbrëmjes.

Grupi i saj organizon gjithashtu aktivitete vizatimi dhe ngjyrosjeje për fëmijët gjatë protestave, në mënyrë që prindërit të mund të marrin pjesë. Në protesta, ajo drejton thirrjet përmes një altoparlanti: “Shqipëria nuk është për shitje!” dhe “Mos e prekni Nartën!”.

Projekti ka shkaktuar zemërim për shkak të natyrës së paprekur të zonës dhe habitatit unik që, sipas ambientalistëve, do të dëmtohej në mënyrë të pakthyeshme. Qytetarët kërkojnë ndalimin e projektit, duke përmendur mungesën e transparencës dhe shqetësime se në projekte të ngjashme nuk janë respektuar standardet mjedisore.

“Jam kundër një projekti pro-elitist që po bllokon një zonë plotësisht të mbrojtur dhe po e shkatërron atë. Është një projekt pa bazë ligjore dhe pa asnjë studim që të tregojë dëmet që do t’i shkaktojë natyrës”- thekson artistja.

Ajo shprehet optimiste, duke besuar se protesta tashmë ka sjellë rezultate. “Kjo protestë i ka nxitur njerëzit të flasin dhe të reagojnë”- tha ajo, duke shtuar se fakti që nuk është e lidhur me ndonjë parti politike e ka rritur besimin dhe solidaritetin. Megjithëse pa një parti të caktuar, protestuesit kërkojnë pothuajse njëzëri dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nga udhërrëfyes turistik në lider protestash

Arben Kola, një nga protestuesit e parë të “Revolucionit të Flamingove”, ka punuar si udhërrëfyes turistik për më shumë se një dekadë. Ai u tregon vizitorëve vende historike dhe natyrore në Shqipëri - përfshirë edhe zonën ku planifikohet zhvillimi.

Turizmi në Shqipëri është rritur ndjeshëm vitet e fundit, pasi vizitorët vlerësojnë vijën bregdetare ende të paprekur të vendit. Mes tyre kanë qenë edhe Kushner dhe Ivanka Trump, vajza e Donald Trump. Ajo ka treguar në një podcast muajin e kaluar se e zbuluan zonën e projektit gjatë një udhëtimi me varkë dhe një ndalese për not.

Për Kolën, kjo ishte një tjetër shenjë e abuzimit me pushtetin nga qeveria, dhe ai nuk mund ta pranonte më situatën. Ai iu bashkua protestës që në fillimet e saj. “Shqipëria po përballet me një nivel të lartë korrupsioni, me privatizimin dhe dhënien e tokave, plazheve, luginave dhe lumenjve”- tha 46-vjeçari gjatë një interviste në Tiranë.

Agjencia shqiptare kundër korrupsionit, SPAK, ka hapur një hetim lidhur me projektin. Qeveria thotë se toka është private, por kanë dalë pretendime të kundërta mbi mënyrën e privatizimit të saj.

Në një intervistë, Rama i hodhi poshtë shqetësimet mjedisore si dezinformim dhe tha se projekti po e kthen Shqipërinë nga një vend i injoruar nga investitorët në një vend “ku duan të vijnë kapitali i madh dhe investitorët”.

Nuk është e qartë saktësisht cili është roli i Kushner në projekt, por Rama ka konfirmuar përfshirjen e tij. Kryeministri tha se ende nuk ka filluar një vlerësim formal të ndikimit mjedisor, pasi plani nuk është finalizuar. Sipas tij, arkitektë dhe specialistë ndërkombëtarë janë ende duke e formësuar projektin.

Kola thotë se projekti tashmë po ecën me ritëm të plotë. Ai është i zemëruar që kanë nisur punime për pastrimin e tokës brenda një rezervati natyror me ekskavatorë dhe makineri të rënda. Prej një muaji ai ndihmon në organizimin e turmave duke folur me megafon dhe ende habitet se sa shumë është rritur protesta.

“Nuk e besonim se protesta do të arrinte këtë përmasë” - tha Kola, duke shtuar se njerëzit e pyesin vazhdimisht nëse lëvizja do të vazhdojë. “Varet nga njerëzit”- thotë ai.

“Nona” e protestës

Ndryshe nga shumica e protestave në Shqipëri gjatë mbi tre dekadave demokraci, këtë herë të rinjve në rrugë u janë bashkuar edhe një numër gjithnjë e më i madh pensionistësh. Bujare Ishmi, 70 vjeçe, është një prej tyre.

Ish-inxhinierja merr pjesë pothuajse çdo natë në protestë, duke mbajtur një pankartë ku shkruhet: “Ju keni fuqinë e krimit, ne kemi fuqinë e së vërtetës!”. “Nona! Nona!” e thërrasin protestuesit kur ajo mbërrin, një shenjë respekti dhe përzemërsie që e konsideron si matriarka e lëvizjes.

Ishmi thotë se ka ëndërruar prej kohësh një protestë të tillë, duke e përshkruar sistemin politik të Shqipërisë si një “demokraci gjysmake”. Bashkëshorti i saj, ka qenë i burgosur politik gjatë regjimit 40-vjeçar të Enver Hoxhës, dhe ajo thotë se as ajo dhe as ai nuk janë kundër investimeve të huaja.

Shqetësimi i tyre kryesor është mungesa e transparencës. “Investimet sjellin progres, por vendndodhja duhet të jetë e njohur dhe parametrat duhet të respektohen”- tha ajo./Pamfleti nga “The Boston Globe”

artistja udhrrëfyesi gjyshja protagonistët e \'revolucionit të flamingove\'

Lini një Përgjigje