TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Korrik 2026, 09:54

SPAK kërkon dënimin me 28 vite burg, ish-boksieri Ilir Selmani paraqitet në GJKKO nën masa të rrepta sigurie

Shkruar nga Pamfleti
SPAK kërkon dënimin me 28 vite burg, ish-boksieri Ilir Selmani
Ish-boksieri, Ilir Selmani

Ish-boksieri, Ilir Selmani është paraqitur këtë të mërkurë nën masa të rrepta sigurie në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ku ishte parashikuar të zhvillohej seanca për rigjykimin e çështjes së tij. 

Në seancë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar Selmanin me 28 vite burg.

Aktualisht, Ilir Selmani ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi i kanë përfunduar afatet ligjore të paraburgimit. Më herët, Gjykata e Lartë vendosi prishjen e vendimit të Apelit dhe e ktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Ilir Selmani është shpallur fajtor nga Shkalla e Parë si pjesë e të ashtuquajturit “Klani Duka”, grup që sipas akuzës organizoi dhe ekzekutoi ish-policin Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë. Malko konsiderohej krahu i djathtë i Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur prej vitit 2022.

Rigjykimi në Apelin e GJKKO-së vjen pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ndërsa SPAK këmbëngul që të mbetet në fuqi dënimi me 28 vite burg ndaj Selmanit.

Santiago Malko, i konsideruar si njeri i afërt i Ervis Martinajt, u qëllua për vdekje më 27 gusht 2019 në Tiranë. Për vrasjen e ish-policit është akuzuar grupi rival i Martinajt, ai i Leonard Dukës. Dyshimet janë se eliminimi i Malkos u bë prej përplasjeve që Duka-Martinaj kishin nisur në atë kohë. Ngjarja u zbardh e plotë prej komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, ku flitej për atentatin e rëndë. 

Së bashku me Islamin, GJKKO ka dënuar me burg dhe Leonard Duka, Farmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltian Loga.

ish-boksieri ilir selmani

Lini një Përgjigje