TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Korrik 2026, 23:03

Elseid Hysaj mbyll zyrtarisht aventurën te Lacio, mbrojtësi kuqezi mund të mbetet në Serinë A

Shkruar nga Pamfleti
Elseid Hysaj mbyll zyrtarisht aventurën te Lacio, mbrojtësi kuqezi
Elseid Hysaj

Elseid Hysaj nuk është më futbollist i Lacios. Më 30 qershor skadoi zyrtarisht kontrata e mbrojtësit shqiptar, duke i dhënë fund një aventure katërvjeçare me skuadrën kryeqytetase, ku regjistroi 131 paraqitje me fanellën bardhekaltër.

Drejtuesit e Lacios vendosën të mos i ofrojnë rinovim 31-vjeçarit, si pjesë e strategjisë së klubit për të rinovuar skuadrën dhe për të ulur ndjeshëm fondin e pagave. Së bashku me Hysajn, nga ekipi u larguan edhe Pedro dhe Toma Basiç, kontratat e të cilëve gjithashtu përfunduan më 30 qershor.

Sipas mediave italiane, largimi i tre futbollistëve i kursen Lacios rreth 9 milionë euro bruto në sezon vetëm nga pagat. Klubi synon të vazhdojë uljen e kostove edhe përmes shitjeve të mundshme të Alesio Romanjolit, Ivan Provedelit dhe Mario Gilas, ndërsa fondet e kursyera pritet të investohen në afrimin e lojtarëve të rinj.

Ndërkohë, e ardhmja e Hysajt mbetet ende e paqartë. Ndryshe nga Pedro, i cili po shqyrton mundësinë e pensionimit ose një rikthimi te Tenerife, dhe Basiç, që raportohet se ka arritur marrëveshje me Venecian, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është tashmë lojtar i lirë dhe në pritje të ofertës së duhur për të vazhduar karrierën.

Lidhja me Mauricio Sarrin

Emri i Elseid Hysajt vazhdon të përmendet në merkaton italiane edhe për shkak të marrëdhënies së tij me trajnerin Mauricio Sarri. Sipas raportimeve të mediave italiane, tekniku, i cili pritet të marrë drejtimin e Atalantës, po punon për ndërtimin e skuadrës sipas filozofisë së tij dhe klubi bergamask po monitoron nga afër situatën e mbrojtësit Mario Gila të Lacios.

Edhe pse deri më tani nuk ka sinjale konkrete për një ribashkim mes Sarrit dhe Hysajt, fakti që mbrojtësi shqiptar është pa kontratë e mban të hapur mundësinë e një transferimi në çdo klub gjatë javëve të ardhshme. Atalanta mbetet një nga opsionet që përmenden për shkodranin.

Pas katër sezonesh në Romë, Hysaj përgatitet të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Vetë futbollisti deklaroi pak ditë më parë për "Panorama Sport" se fillimisht do të shijojë disa ditë pushim, ndërsa më pas do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me menaxherin e tij, i cili do të merret me gjetjen e destinacionit të radhës.

elseid hysaj mbrojtësi i kombëtares lacio

Lini një Përgjigje