Ish-deputeti Dashamir Shehi, ka deklaruar se Partia Demokratike nuk duhet ta paraqesë zgjedhjen e disa figurave të reja në strukturat drejtuese si një rinovim të vërtetë të partisë, ndërsa theksoi se protesta qytetare ka kërkesa që nuk përputhen plotësisht me qëndrimet e Sali Berishës.
I ftuar në emisionin "Off the Record" në A2 CNN, Shehi u shpreh se, pavarësisht afrimit të disa të rinjve dhe grave në drejtimin e PD-së, vendimmarrja vijon të mbetet në duart e Berishës.
"Kanë zgjedhur disa të rinj, disa goca, gra, mirë kanë bërë për mua. Jo se do bëjnë ndonjë gjë, atje është Berisha dhe janë 100 vende bosh. Shpresa është që duke qenë të rinj, inshallah s'kanë edhe ngarkesa në kurriz dhe t'i japin një vrull politikës brenda partisë. Të kenë mundësi t'i thonë kryetarit: 'Ndalo, se kjo s'duhet bërë kështu'. Por s'duhet të krijojmë idenë e rreme se politika ndryshon vetëm pse janë zgjedhur disa të rinj. Atje është po Berisha vetë", tha Shehi.
i kritikoi edhe mënyrën se si janë bërë emërimet në drejtimin e partisë, duke theksuar se postet politike duhet të fitohen përmes kontributit dhe jo si dekor.
"Ai thotë kemi dy gra për kryetare këshilli, por ky është një pozicion që mbërrihet me karrierë dhe kontribut politik. Është mirë të kesh artistë, arkitektë dhe të rinj, por politikisht janë bosh. Substancë politike ka ai që i ka ngjitur shkallët me punë dhe kontribut. E quaj pozitive që ka fytyra të reja, sepse nuk kanë ngarkesa në shpinë, por të ma shesësh këtë si rinovim të PD-së, jo," u shpreh ish- kreu i LZHK-së.
Shehi u ndal edhe te protesta qytetare, duke deklaruar se kërkesat e protestuesve shkojnë përtej asaj që artikulon opozita.
"Berisha tha se protestuesit kërkojnë të njëjtat gjëra që kërkojmë ne, qeveri teknike e të tjera. Jo. Ata kërkojnë edhe gjëra që Berishës nuk i vijnë mirë. Kërkojnë të ndryshohet Kushtetuta që e bëri Berisha me Ramën në vitin 2008 dhe kërkojnë të ndryshohet Ligji Zgjedhor. Këto ai nuk i thotë. E quaj pozitive që e ka kuptuar se kësaj proteste nuk duhet t'i dalë kundër, sepse përndryshe do të humbte edhe tabanin e vet popullor," deklaroi Shehi.
Lini një Përgjigje