TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Korrik 2026, 09:32

Sulmohen drejtuesit e partisë së Mitsotakis, pesë të plagosur në Selanik

Shkruar nga Pamfleti

 

Pesë persona mbetën të plagosur, mes tyre një grua që ndodhet në gjendje kritike dhe është e intubuar, pas tre sulmeve të koordinuara me zjarrvënie që ndodhën në orët e para të së mërkurës në Selanik.

Sulmohen drejtuesit e partisë së Mitsotakis, pesë të
Sulmohen drejtuesit e partisë së Mitsotakis në Selanik

Në shënjestër të sulmeve ishin banesat e tre drejtuesve të partisë greke Demokracia e Re (ND).Sipas autoriteteve, sulmet ndodhën brenda më pak se 20 minutash dhe dyshohet se autorët lëviznin me motoçikleta. Çështja është marrë në hetim nga Shërbimi i Antiterrorit, i cili po shqyrton mundësinë që bëhet fjalë për një plan të organizuar.

Sulmi më i rëndë ndodhi në zonën Harilaou rreth orës 04:35, ku një zjarr i shkaktuar nga një bombol gazi u përhap me shpejtësi, duke përfshirë dy automjete dhe dy motoçikleta. Një prej automjeteve i përkiste politikanes Aphrodite Nestora.

Si pasojë e zjarrit, nëna 70-vjeçare e Nestorës pësoi djegie të rënda në të gjithë trupin dhe po trajtohet e intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të spitalit “Ippokrateio”. Vetë Aphrodite Nestora pësoi djegie të lehta në gjymtyrë, ndërsa babai i saj dhe dy banorë të tjerë të pallatit u dërguan në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen të shkaktuara nga tymi.

Zjarri shkaktoi gjithashtu dëme të konsiderueshme materiale, duke shkatërruar dy automjete dhe duke dëmtuar dy motoçikleta.

Pak minuta më herët, rreth orës 04:23, një tjetër sulm u regjistrua në zonën Tumba. Persona të panjohur vendosën një bombol gazi në hyrje të pallatit ku banon ish-deputeti Savvas Anastasiades. Shpërthimi shkaktoi dëmtime në hyrjen e godinës, duke thyer xhamat dhe dëmtuar fasadën, por pa shkaktuar të lënduar.

Sulmi i parë ndodhi në orën 04:18 në Pylaia, ku një bombol gazi u vendos dhe u aktivizua pranë një godine që në të kaluarën ishte banesë e kryetarit të Komitetit Drejtues të Demokracisë së Re në Selanik, Zisis Ioakimoviç. Në këtë rast nuk u raportuan dëme materiale apo të lënduar.

Autoritetet greke po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera për të identifikuar autorët, ndërsa hetimet janë përqendruar në mundësinë që të tre sulmet të jenë pjesë e një operacioni të mirëorganizuar kundër figurave të partisë në pushtet.

 

Lini një Përgjigje