Përshkallëzimi i ri i tensioneve vjen në një kohë kur Uashingtoni dhe Teherani po negocionin një memorandum mirëkuptimi për t'i dhënë fund një lufte jopopullore.
Ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme të tjera ndaj disa objektivave në Iran, një ditë pasi goditi territorin iranian në kundërpërgjigje të një sulmi me dron ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) njoftoi se sulmet ishin një "përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër transportit tregtar detar". Sipas saj, objektivat përfshinin infrastrukturën ushtarake të mbikëqyrjes, sistemet e komunikimit, pozicionet e mbrojtjes ajrore, depot e dronëve dhe kapacitetet për vendosjen e minave detare.
Në kundërpërgjigje, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan në orët e para të së dielës se kishin ndërmarrë një operacion të përbashkët me raketa dhe dronë kundër tetë bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein.
Në një deklaratë, IRGC-ja paralajmëroi se çdo akt i mëtejshëm agresioni do të përballej me një "përgjigje shkatërruese" dhe theksoi se shkelja e armëpushimit do të sillte "ndërprerjen e plotë të të gjitha proceseve diplomatike".
Si Bahreini, ashtu edhe Kuvajti dënuan sulmet iraniane, megjithëse nuk ishte ende e qartë nëse ndonjë objektiv ishte goditur.
Përshkallëzimi i ri i tensioneve ndodh ndërsa Uashingtoni dhe Teherani po negocionin një memorandum mirëkuptimi (MOU) për t'i dhënë fund një lufte jopopullore, e cila ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve globale të naftës dhe ka sjellë mijëra viktima civile.
Shkëmbimi i sulmeve nxori në pah brishtësinë e procesit të paqes të ndërmjetësuar nga Pakistani, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme të nënshkruar më pak se dy javë më parë.
Teksti i marrëveshjes së nënshkruar mes SHBA-së dhe Iranit përcaktonte se të dy vendet, si edhe aleatët e tyre përkatës, "nuk duhet të nisin luftë ose operacione ushtarake kundër njëri-tjetrit dhe duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës ndaj njëri-tjetrit".
Në një postim në platformën Truth Social të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se situata mund të arrinte një pikë kritike.
"Mund të vijë një moment kur nuk do të jemi më në gjendje të tregojmë përmbajtje dhe do të detyrohemi ta përfundojmë ushtarakisht punën që e kemi nisur me shumë sukses. Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më.", shkruan Trump.
Më herët, ushtria amerikane njoftoi se kishte kryer sulme të reja ndaj Iranit, vetëm disa orë pasi një anije cisternë u godit në Ngushticën e Hormuzit, rruga më e rëndësishme në botë për transportin e energjisë, të cilën Irani e kishte bllokuar në masë të madhe gjatë pjesës më të madhe të konfliktit.
Marrëveshja e përkohshme me 14 pika ndërmjet SHBA-së dhe Iranit synonte ndalimin e luftimeve, të cilat, sipas këtij teksti, u nisën nga SHBA-ja dhe Izraeli më 28 shkurt, si dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim, ndërkohë që do të fillonin bisedimet për çështje më të ndërlikuara, si programi bërthamor i Iranit.
Një raund bisedimesh të ndërmjetësuara, i udhëhequr nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian Mohammad Baqer Qalibaf, u zhvillua në Zvicër një javë më parë. Pas këtyre takimeve, Uashingtoni hoqi disa sanksione ndaj Teheranit, por përplasjet dhe akuzat reciproke janë rikthyer dhe janë intensifikuar.
Një zyrtar amerikan, duke konfirmuar sulmet iraniane ndaj objekteve ushtarake në Kuvajt dhe Bahrein, i tha agjencisë Reuters se situata mbetet në zhvillim, por deri tani nuk ka raportime për viktima amerikane apo dëme të mëdha në bazat ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Më herët, Komanda Qendrore e SHBA-së deklaroi se forcat e saj kishin kryer sulme të reja pasi një cisternë me flamur panamez u sulmua nga një dron iranian të shtunën.
"Iranit iu dha mundësia të respektonte marrëveshjen e armëpushimit, por zgjodhi të mos e bënte këtë", thuhet në deklaratën e CENTCOM-it, ku shtohet se sulmet amerikane ishin "një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër transportit tregtar detar"./Përshtati "Pamfleti", nga "The Guardian"
Vetem djalli flet per shkaterrim, nje njeri normal nuk duhet ta perdor kete fjale. Ka rruge per zgjidhje, jo si do ti. Me te gjuthe flet per marreveshje si do ti. Kaq perfect Je!
Irani eshte nën nje regjim të ngritur mbi terrorrin ne menyre permanente. Nuk e kuptoj pse duan ta lënë ate regjim te jetë aty mbas gjith kësaj. Kur ky regjim tani, ne fillimet e kësaj te ashtu-quajturës "Paqe" sulmon anije ne Hormuz, si mund ta mendojme nje të ardhme të afert/mesme ?! Po nuk u clirua Irani nga ai regjim, personalisht paqja më duket e pa arritshme !!! Dhe Paqe nuk do te kete !!