TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Qershor 2026, 07:42

Mrekulli pas tërmetit në Venezuelë, 11-vjeçari nxirret i gjallë nga rrënojat pas 3 ditësh

Shkruar nga Pamfleti
Mrekulli pas tërmetit në Venezuelë, 11-vjeçari nxirret i
Mrekulli pas tërmetit në Venezuelë

Një histori shprese ka ardhur nga Venezuela, e goditur nga tërmetet shkatërruese, ku një djalë 11-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat në Karabageda, tre ditë pas katastrofës.

Fëmija, i identifikuar si Moises, kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja dhe u shpëtua pas një operacioni të gjatë të forcave të kërkim-shpëtimit.

Në pamjet e publikuara nga presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delsy Rodríguez, shihen ekipet e shpëtimit duke transportuar 11-vjeçarin me barelë, pasi ai kishte kaluar më shumë se 70 orë nën rrënoja.

“Pak minuta më parë, një djalë 11-vjeçar u shpëtua në Karabageda. Në këto momente, çdo jetë e shpëtuar është një burim shprese për Venezuelën”, shkroi Rodríguez në një postim në platformën X, duke e shoqëruar mesazhin me pamjet e operacionit të shpëtimit.

Në operacion u angazhuan, mes të tjerëve, anëtarë të ekipit të specializuar USAR Colombia 1, si dhe zjarrfikës nga Bogota, të cilët ndodhen në Venezuelë për të mbështetur operacionet e kërkimit dhe shpëtimit.

Ndërkohë, kërkimet vijojnë pa ndërprerje në zonat më të prekura nga tërmetet, ndërsa autoritetet shpresojnë se, pavarësisht kalimit të ditëve, ende mund të gjenden të mbijetuar nën rrënoja.

Sipas bilancit më të fundit zyrtar, të paktën 1.430 persona kanë humbur jetën, ndërsa 3.238 të tjerë janë plagosur si pasojë e dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën Venezuelën me vetëm pak sekonda diferencë të mërkurën.

Autoritetet druhen se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm, pasi mbi 50 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur.

Dëmet e shkaktuara nga dy tërmetet vlerësohen në rreth 7 miliardë dollarë, një shumë që përfaqëson afërsisht 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Venezuelës, sipas vlerësimit të publikuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Vlerësimi paraprak i UNDP-së, i hartuar në orët e para pas katastrofës, mbështetet kryesisht në imazhe satelitore dhe të dhëna demografike.

Megjithatë, organizata thekson se kjo përllogaritje nuk përfshin dëmet në infrastrukturë, ndikimin e plotë ekonomik apo kostot afatgjata të rindërtimit, duke nënvizuar se pasojat reale të katastrofës mund të jenë deri në tre herë më të mëdha.

Lini një Përgjigje