
Pas 110 minutash lojë të mbushura me ritëm, emocione, gola, kartonë dhe vendime të diskutueshme të VAR-it, Portugalia siguroi kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur Kroacinë me rezultatin 2-1. Luzitanët do të përballen me Spanjën në derbin e vetëm evropian të kësaj faze, takim që do të zhvillohet më 6 korrik, në orën 21:00.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, megjithëse të dyja skuadrat krijuan raste të mira për shënim. Në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 53-të, Ivan Perisic kaloi Kroacinë në avantazh me një goditje të saktë nga brenda zonës.
Portugalia reagoi menjëherë dhe në minutën e 61-të Cristiano Ronaldo dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje pas verifikimit nga VAR. Trajneri Roberto Martinez freskoi skuadrën me katër zëvendësime, ndërsa presioni portugez u rrit ndjeshëm.
Momenti vendimtar erdhi pas një goditjeje nga këndi, kur Veiga u pengua në zonë. Pas konsultimit me VAR, arbitri norvegjez Espen Eskås akordoi penallti. Nga pika e bardhë nuk gaboi Cristiano Ronaldo, i cili mposhti Dominik Livakovic dhe barazoi shifrat në 1-1.
Me këtë gol, Ronaldo arriti në kuotën e 11 golave në gjashtë edicione të Kupës së Botës, ndërsa në turneun e këtij viti ka realizuar tre herë. Për kapitenin portugez ishte gjithashtu goli i parë në fazën me eliminim direkt të një Botërori. Në moshën 41 vjeç e 147 ditë, ai u bë futbollisti më i vjetër që shënon në historinë e Kupës së Botës.
Kroacia tentoi të rikthente epërsinë dhe gjeti rrugën e rrjetës me Sucic, por edhe ky gol u anulua për pozicion jashtë loje. Martinez më pas zëvendësoi Ronaldon, ndërsa sfida vijoi me ritëm të lartë deri në fund.
Në minutën e katërt shtesë, Rafael Leao harkoi në zonë dhe Gonçalo Ramos realizoi me kokë golin e fitores, duke kompletuar përmbysjen e madhe të Portugalisë.
Drama nuk përfundoi aty. Në minutën e 103-të (shtesa e 13-të), Josko Gvardiol, i futur si zëvendësues, shënoi golin e barazimit për Kroacinë. Megjithatë, pas një konsultimi të gjatë me VAR, arbitri vendosi ta anulonte golin për një prekje të konsideruar të parregullt, vendim që shkaktoi polemika të shumta.
Pas plot 110 minutash lojë, Portugalia festoi kualifikimin për në çerekfinale, ku e pret derbi iberik ndaj Spanjës. Në krahun tjetër, Kroacia largohet me zhgënjim pas një paraqitjeje të nivelit të lartë teknik, taktik dhe fizik. Për kapitenin Luka Modric, kjo ndeshje pritet të ketë qenë paraqitja e fundit me fanellën e kombëtares.
Në fund të sfidës nuk mungoi as një moment prekës. Cristiano Ronaldo veshi fanellën me numrin 21 të të ndjerit Diogo Jota dhe ia dedikoi atij fitoren, duke ngritur duart dhe shikimin drejt qiellit në një homazh emocionues.
Lini një Përgjigje