Trump, Rama, Blair dhe anëtarët e tjerë të Bordit të Paqes i japin vetes imunitet, zbardhet dokumenti komprometues
Bordi i Paqes, po planifikon t'i japë vetes një imunitet të gjerë ligjor. Kjo thuhet në një draft-rezolutë të siguruar nga The Guardian, e cila parashikon gjithashtu që organizata të mund të marrë në përdorim prona publike në Gaza "pa pagesë".
Rezoluta prej katër faqesh, e klasifikuar si "e ndjeshme, por jo e klasifikuar", zgjeron mbrojtjen ligjore për çdo anëtar të Bordit të Paqes, Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR), teknokratët palestinezë, forcat ushtarake ndërkombëtare dhe kontraktorët e huaj që do të angazhohen në Gaza. Dokumenti përcakton se imuniteti do të mbulojë "çdo arrestim, ndalim ose procedim ligjor në gjykatat apo institucionet e tjera në Gaza".
Mbetet e paqartë nëse dokumenti synon t'i mbrojë anëtarët e Bordit edhe nga procedurat në gjykatat ndërkombëtare, përveç padive që mund të ngrihen në Gaza.
Sipas draftit të qershorit 2026, kryetari i Bordit të Paqes, Donald Trump, do të kishte të drejtën të hiqte imunitetin ligjor të një personi, nëse kjo mbështetet nga shumica e anëtarëve të bordit.
Bordi drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë, mes të cilëve dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, i dërguari special Steve Witkoff, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Ëiles dhe këshilltari për sigurinë kombëtare Marco Rubio. Megjithëse disa shtete kanë premtuar miliarda dollarë për projektin, fondet ende nuk janë transferuar dhe nuk janë nënshkruar kontrata të mëdha.
Bordi nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve mbi draftin, por një zyrtar deklaroi se "nuk ekziston asnjë rezolutë operative apo kuadër imuniteti i llojit të përshkruar" dhe se pretendimet se procesi synon të krijojë pandëshkueshmëri janë "të gabuara dhe mashtruese".
I njëjti zyrtar hodhi poshtë edhe pretendimin se presidenti do të kishte rol në dhënien apo heqjen e imunitetit në Gaza, duke shtuar se personeli, kontraktorët dhe të gjitha entitetet pjesëmarrëse do të veprojnë sipas ligjit dhe nën mekanizma mbikëqyrjeje e përgjegjshmërie, pa dhënë detaje mbi funksionimin e tyre.
Ndërkohë, diplomati bullgar Nickolay Mladenov, i cili shërben si Përfaqësues i Lartë i Bordit për Gazën, po zhvillon takime në Kajro me administratorët palestinezë të përzgjedhur për të drejtuar territorin. Sipas një burimi të cituar nga The Guardian, draft-rezoluta me titull "Resolution No. 2026/3" ende nuk u është shpërndarë përfaqësuesve palestinezë.
Shqetësime për mungesën e mbikëqyrjes
Gjashtë juristë të specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe kontratat amerikane, të konsultuar nga The Guardian, shprehën shqetësim se drafti nuk përcakton qartë se kush do të mbajë përgjegjësi në rast incidentesh, plagosjesh, viktimash apo dëmesh materiale gjatë operacioneve në Gaza.
Ata kujtojnë se edhe operacionet amerikane të rindërtimit në Irak dhe Afganistan u shoqëruan me akuza për korrupsion dhe abuzime nga kontraktorët privatë, duke paralajmëruar se një situatë e ngjashme mund të përsëritet edhe në Gaza.
Avokatja Emily Schaeffer Omer-Man e cilësoi draftin si "një përpjekje për të përjashtuar Bordin dhe personelin e tij nga përgjegjësia për shkelje të mundshme ligjore". Ndërsa profesoresha e së drejtës ndërkombëtare Noura Erakat tha se dokumenti "po krijon një sistem juridik më vete, pa mbikëqyrje të jashtme dhe pa zbatimin e së drejtës ndërkombëtare".
Përdorimi i pronave publike
Pjesa e fundit e draftit parashikon që Bordit të Paqes, OHR-së dhe forcës ndërkombëtare t'u vihen në dispozicion "pa pagesë" ndërtesa dhe ambiente publike të nevojshme për zhvillimin e misionit në Gaza.
Sipas ekspertëve ligjorë, ky formulim mund të hapë rrugën për konfiskimin e pronave palestineze, ndërsa mbetet e paqartë nëse përgjegjës për vënien në dispozicion të tyre do të jetë Izraeli, Hamasi apo Autoriteti Palestinez.
Dokumenti parashikon gjithashtu ndërtimin e një baze për forcën ushtarake ndërkombëtare dhe qendrave logjistike që do të mbështesin operacionet në Gaza. Sipas planit, kjo forcë do të ndihmojë në çarmatimin e Hamasit, një nga kushtet kryesore të planit të paqes të Donald Trump.
Drejtori ekzekutiv i organizatës Daën, Omar Shakir, deklaroi për The Guardian se drafti i rezolutës "po ndjek modelin represiv të Izraelit", duke paralajmëruar se ai mund të çojë jo vetëm në bashkëfajësi, por edhe në kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.
Rezoluta parashikon të hyjë në fuqi pas nënshkrimit nga Nickolay Mladenov. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse dokumenti do të nënshkruhet edhe nga palë të tjera. /Pamfleti
Poturrja i ka dhurur Sazanin , "Zvernezin", e te tjera qe akoma nuk dihen..Kryministri me kriminel dhe antishqiptar ne historine tone.Sa me shpejt duhet shporrur.