TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Qershor 2026, 18:57

Afro 1 mijë viktima deri tani, OKB: Gati 7 mln persona janë prekur nga tërmetet shkatërruese në Venezuelë

Shkruar nga Pamfleti
Afro 1 mijë viktima deri tani, OKB: Gati 7 mln persona janë prekur nga
Momente nga shpëtimi i personave të prekur

Gati 6,8 milionë persona mund të jenë prekur nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën, vlerësoi të dielën Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rëndohet.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 2 milionë banorë vetëm në Karakas mund të jenë prekur nga tërmetet me magnitudë 7,2 dhe 7,5, që goditën vendin të mërkurën. Organizata theksoi se vlerësimet bazohen në të dhënat demografike dhe analizën e dëmeve, duke paralajmëruar për një ndikim të rëndë humanitar.

Deri tani, të paktën 920 persona kanë humbur jetën, mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa dhjetëra mijëra rezultojnë ende të zhdukur. Sipas një platforme të krijuar nga opozita venezueliane, janë regjistruar mbi 54 mijë persona si të zhdukur, megjithëse qeveria raporton një numër shumë më të ulët.

Ndërkohë, autoritetet venezueliane njoftuan se 1.600 anëtarë të ekipeve ndërkombëtare të shpëtimit kanë mbërritur në vend me 17 fluturime për të ndihmuar në kërkimin e të mbijetuarve, ndërsa gjatë 24 orëve të ardhshme pritet mbërritja e 25 fluturimeve të tjera me ndihma dhe personel.

Zona më e goditur mbetet La Guaira, në veri të Karakasit, ku të paktën 100 ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda. Banorët kanë denoncuar mungesën e pajisjeve të rënda dhe praninë e kufizuar të autoriteteve, ndërsa shumë familje vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre duke gërmuar me duar në rrënoja.

Për të lehtësuar lëvizjen e ambulancave dhe ekipeve të shpëtimit, autoritetet kanë kufizuar qarkullimin në rrugën që lidh La Guairan me Karakasin.

OKB vlerëson se dëmet ekonomike të shkaktuara nga dy tërmetet mund të arrijnë në rreth 6,7 miliardë dollarë.

venezuele termete

Lini një Përgjigje