TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Qershor 2026, 19:38

Nis protesta e 29-të, qytetarët mesazh të qartë Ramës: Nuk ndalemi pa dhënë dorëheqjen!

Shkruar nga Pamfleti
Nis protesta e 29-të, qytetarët mesazh të qartë Ramës:
Foto nga protesta

Qytetarët deklarojnë se protestat do të vijojnë deri në dorëheqjen e kryeministrit.Po ashtu ata kërkuan konfiskim të pasurisë së Ramës dhe Berishës.

Ka nisur marshimi i protestuesve nga Sheshi "Skënderbej" drejt godinës së Kryeministrisë, në kuadër të protestës së 29-të të organizuar për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

Qindra qytetarë, të mbledhur fillimisht në qendër të Tiranës, iu drejtuan më pas Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke artikuluar thirrje kundër qeverisë. Protestuesit shprehën vendosmërinë se nuk do të tërhiqen nga aksioni i tyre, duke deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në momentin kur kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.

Gjatë marshimit, turma brohoriti vazhdimisht sloganet "Ju erdhi fundi", "Revolucion" dhe "Shqipëri e re", thirrje që janë bërë të pranishme edhe në protestat e mëparshme. Atmosfera u karakterizua nga pjesëmarrja e qytetarëve që mbanin flamuj kombëtarë dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë.

Një prej tyre shkruante: "Ramë, në Europë nuk shkohet duke u sjellë si Erdogan, Putin dhe Xi."

Po ashtu qytetarët brohoritën vazhdimisht slogane kundër qeverisë si "Shqipëria kërkon revolucion", "Poshtë diktatura", etj.

Gjatë marshimit, një grup turistësh nga Irlanda iu drejtuan protestuesve, duke u thënë se protesta e tyre i kishte frymëzuar. Deklarata e tyre u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga pjesëmarrësit në tubim.

Në tubim u dëgjuan edhe thirrje të drejtuara ndaj figurave politike si Sali Berisha dhe Ilir Meta. Në grup protestuesish brohoriti: "O Ilir, o legen, prite Salën që po vjen", ndërsa slogane të tjera vijuan gjatë gjithë tubimit. Më pas vijuan me thirrjen: "Edi Rama, o pallosh, do të hedhim në kosh”.

Organizatori Arben Kola iu drejtua pjesëmarrësve me një apel për qetësi, duke u kërkuar të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë karakterin paqësor të protestës. Ai i ftoi protestuesit të vijojnë marshimin në mënyrë të organizuar dhe të shmangin çdo incident.

Sipas deklaratave të disa protestuesve, qëllimi i tubimit është të ushtrohet presion ndaj qeverisë për ndryshim politik. Ata u shprehën se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore, largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.

Marshimi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masa për mbarëvajtjen e tubimit dhe menaxhimin e qarkullimit në akset kryesore të kryeqytetit.

Protesta e kësaj të diele shënon tubimin e 29-të radhazi të organizuar me fokus kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se aksioni opozitar do të vijojë edhe në ditët në vijim.

protestat edi rama dorëheqje

Lini një Përgjigje