Temperaturat e larta që kanë përfshirë Europën po ndikojnë edhe në Shqipëri, ku termometri po i afrohet 40 gradë Celsius. Përballë kësaj situate, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) u bën apel qytetarëve të marrin masa për të mbrojtur shëndetin dhe të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Specialistja e ISHP-së, Rudina Çumashi, thekson se temperaturat e larta përbëjnë rrezik për të gjithë popullatën, ndërsa grupet më të cenueshme mbeten të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
“Gjithë popullata është e rrezikuar. Të moshuarit ose të sëmurët kronikë duhet të monitorojnë tensionin dhe diabetin, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të kenë kujdes në marrjen e medikamenteve dhe të mbeten gjithmonë në kontakt me mjekun e familjes apo mjekun specialist”, u shpreh Çumashi.
ISHP rekomandon gjithashtu konsumimin e vakteve të lehta, ushqimeve të pasura me lëngje, perimeve të freskëta të stinës dhe frutave. Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se temperaturat e larta favorizojnë prishjen e ushqimeve, duke rritur rrezikun e helmimeve ushqimore.
“Duhet të kemi kujdes me procesin e përgatitjes dhe të ruajtjes së ushqimeve, pasi temperaturat e larta favorizojnë prishjen e tyre dhe mund të rrisin rrezikun për diarre, të vjella apo helmim nga ushqimi”, shtoi specialistja.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje edhe për kujdes gjatë frekuentimit të plazheve dhe pishinave. Përveç rrezikut nga ekspozimi i zgjatur në diell, ujërat mund të favorizojnë shfaqjen e infeksioneve të lëkurës, ndaj këshillohet ruajtja e higjienës personale dhe respektimi i masave mbrojtëse gjatë sezonit veror.
Lini një Përgjigje