Erdogani ende dëshiron hapësirë për manovrim midis fuqive të mëdha, por kriza ekonomike, nevojat e mbrojtjes dhe dobësimi i ndikimit rus po e shtyjnë Ankaranë përsëri drejt NATO-s.

Për më shumë se 25 vjet, sa herë që marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara apo Evropës janë përkeqësuar, analistët kanë ngritur alarmin se Perëndimi po e "humbte" Turqinë. Kjo ndodhi për herë të parë në vitin 2003, kur parlamenti turk refuzoi t'u lejonte forcave amerikane të përdornin territorin turk për pushtimin e Irakut. E njëjta situatë u përsërit në vitin 2010, kur Ankaraja votoi kundër forcimit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.
Shqetësimet u shtuan edhe më shumë në vitin 2017, kur Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Ky vendim u interpretua si një sinjal se fuqia e dytë ushtarake e NATO-s po afrohej me kundërshtarin kryesor të Aleancës.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, udhëheqësit laikë e kishin ankoruar fort Turqinë në kampin perëndimor. Vendi u anëtarësua në Këshillin e Evropës në vitin 1949, në NATO në vitin 1952 dhe nënshkroi marrëveshjen e asociimit me Komunitetin Ekonomik Evropian në vitin 1963.
Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në vitin 2002, shumë vëzhgues perëndimorë frikësoheshin se presidenti Recep Tayyip Erdogan, për shkak të lidhjeve historike të partisë së tij me lëvizjet islamiste, do ta largonte Turqinë nga boshti euroatlantik.
Në shumë drejtime, Erdogan u përpoq ta realizonte këtë orientim. Duke filluar nga mesi i viteve 2010, nën konceptin e "autonomisë strategjike", Ankaraja forcoi marrëdhëniet ekonomike, energjetike dhe të sigurisë me Rusinë, ndërsa në disa raste ndoqi politika që shkaktuan përplasje të forta me aleatët e saj në NATO.
Sot, megjithatë, situata po ndryshon.
Përpara samitit të NATO-s, të cilin Turqia do ta presë në muajin korrik, zyrtarët turq kanë dërguar vazhdimisht mesazhe në mbështetje të Aleancës. Ministri i Jashtëm Hakan Fidan i ka cilësuar marrëdhëniet transatlantike si një domosdoshmëri strategjike për Turqinë dhe e ka përshkruar samitin si një mundësi historike për të riafirmuar unitetin e NATO-s.
Ky ndryshim nuk mbetet vetëm në nivel deklaratash. Gjatë viteve të fundit, Ankaraja është distancuar gradualisht nga Moska, duke ulur varësinë nga energjia ruse dhe duke kufizuar bashkëpunimin ekonomik e ushtarak me Kremlinin. Ky kurs i ri ka hapur rrugën për një bashkëpunim më të ngushtë me aleatët perëndimorë dhe pasqyron bindjen në rritje të elitës politike turke se, pas viteve të insistimit mbi "autonominë strategjike", interesat afatgjata të Turqisë mbrohen më mirë në partneritet me Perëndimin.
Partneriteti me Rusinë
Afrimi i Turqisë me Rusinë nisi pas krizës së vitit 2015, kur Ankaraja rrëzoi një avion luftarak rus pranë kufirit me Sirinë. Pas reagimit të ashpër të Moskës dhe mungesës së mbështetjes së plotë nga NATO, presidenti Erdogan vendosi të normalizonte marrëdhëniet me Vladimir Putinin. Pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016, mbështetja e shpejtë e Putinit forcoi më tej këtë afrim.
Turqia bleu sistemin rus S-400, duke shkaktuar tensione me SHBA-në dhe NATO-n. Si pasojë, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Ankarasë dhe e përjashtoi atë nga programi i avionëve F-35.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Turqia dënoi agresionin dhe mbështeti Ukrainën me dronë, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Përkundrazi, marrëdhëniet ekonomike dhe energjetike mes dy vendeve u zgjeruan ndjeshëm.
Ndryshimi i kursit
Kriza ekonomike, inflacioni i lartë, rënia e lirës turke dhe tërmeti shkatërrues i vitit 2023 e detyruan Erdoganin të rishikojë politikën e jashtme. Për të rikthyer besimin e investitorëve dhe për të stabilizuar ekonominë, Turqia nisi përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Ankaraja hoqi veton për anëtarësimin e Suedisë në NATO, kufizoi eksportet drejt Rusisë, reduktoi bashkëpunimin financiar me kompanitë ruse dhe filloi të zvogëlojë varësinë nga energjia ruse duke rritur importet e gazit të lëngshëm nga SHBA dhe furnizimet nga vende të tjera.
Rikthimi te NATO
Zhvillimet në Siri dhe dobësimi i ndikimit rus i kanë dhënë Turqisë më shumë hapësirë për të bashkëpunuar me aleatët perëndimorë. Ankaraja po modernizon ushtrinë me teknologji perëndimore, po bashkëpunon me Francën dhe Italinë për sistemin raketor SAMP/T dhe po forcon rolin e saj në sigurinë e Detit të Zi.
Në të njëjtën kohë, Turqia ka filluar të distancohet nga projektet strategjike me Rusinë, ndërsa ka kërkuar bashkëpunim me SHBA-në dhe Korenë e Jugut për ndërtimin e centralit të dytë bërthamor.
Sipas analizës së Foreign Affairs, Turqia nuk ka hequr dorë nga synimi për të ruajtur autonominë strategjike, por ka kuptuar se interesat e saj ekonomike dhe të sigurisë mbrohen më mirë në bashkëpunim me SHBA-në dhe Evropën. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se ekonomia, industria e mbrojtjes dhe siguria e Turqisë mbeten të lidhura ngushtë me Perëndimin, ndërsa partneriteti me Rusinë nuk mund të zëvendësojë aleancën me NATO-n. Në këtë kuptim, Ankaraja po rikthehet gradualisht në boshtin euroatlantik, duke ruajtur njëkohësisht hapësirë për një politikë të jashtme sa më të pavarur.
Lini një Përgjigje