TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 13:40

Mandati i Olsian Çelës drejt përfundimit, KLP hap garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm

Shkruar nga Pamfleti
Mandati i Olsian Çelës drejt përfundimit, KLP hap garën
KLP

KLP ka njoftuar se do të hapë garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Në një njoftim zyrtar, KLP bën të ditur se ditën e martë, 30 qershor, çelet gara për kreun e ri të Prokurorisë së Përgjithshme, duke hapur në këtë mënyrë edhe aplikimet për të kandiduar për këtë pozicion.

Këshilli verifikon kriteret ligjore, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe integritetin profesional të kandidatëve. Më pas KLP përzgjedh dhe rendit 3 kandidatët më të vlerësuar, ndërsa lista me emrat e renditur bashkë me vlerësimet respektive i dërgohet Kuvendit. Kandidati fitues duhet të marrë minimalisht 84 vota. Nëse asnjë kandidat nuk merr 84 vota brenda 30 ditëve, kandidati i renditur i pari nga KLP shpallet automatikisht i emëruar.

Olsian Çela nuk ka të drejtën për të rikanduar, pasi kjo përcaktohet edhe në Kushtetutë. Çela u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në 5 dhjetor 2019 me 101 vota pro në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa u rendit i pari edhe në vlerësimin e bërë nga KLP-ja në atë kohë. Çela zëvendësoi në këtë detyrë Arta Markun, zgjedhja e së cilës nga Kuvendi u kontestua nga opozita, por jo vetëm.

Mandati i Olsian Çelës drejt përfundimit, KLP hap garën

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, mes 3 kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Prokurori i Përgjithshëm emërohet në përputhje me nenin 148/a të Kushtetutës.

Prokurori i Përgjithshëm përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme.

Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime të përgjithshme për prokurorët e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe oficerët e Policisë Gjyqësore dhe mbikëqyr zbatimin e tyre, raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit në vend, i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale, administron sistemin e përgjimeve dhe ushtron të tjera kompetenca sipas nenit 38 të Ligjit Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

klp procedura prokurori i pergjithshem

Lini një Përgjigje