TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Qershor 2026, 11:35

Gonzato: Standardet europiane nuk arrihen vetëm duke miratuar ligjet

Shkruar nga Pamfleti
Gonzato: Standardet europiane nuk arrihen vetëm duke miratuar ligjet
Silvio Gonzato

Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Tiranë, iu drejtua me një mesazh magjistratëve të rinj, gjatë Konferencës Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, lidhur me detyrat që i presin, teksa vuri theksin te integriteti dhe ndershmëria. Gonzato tha se vendimet që jepen nga drejtësia ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe në besimin që qytetarët kanë te sistemi.

Ambasadori i BE-së nënvizoi se përmbushja e standardeve evropiane nuk arrihet vetëm përmes miratimit të ligjeve, por mbi të gjitha përmes zbatimit të tyre të përditshëm nga gjyqtarët dhe prokurorët.

Ai i inkurajoi magjistratët e rinj të mbeten të hapur ndaj dijes dhe bashkëpunimit me kolegët evropianë, duke shkëmbyer përvoja dhe praktika më të mira.

Në fjalën e tij, Gonzato tha se institucionet nuk ndërtohen vetëm mbi bazën e ligjeve dhe rregulloreve, por kërkojnë edhe një ndryshim të kulturës institucionale dhe të mendësisë. Sipas tij, ky proces mbetet ende një sfidë, ndërsa përgjegjësia për ta çuar përpara u takon brezave të rinj të magjistratëve.

"Jeni ju brezi i ri që duhet të përmbushni këto pritshmëri, duke siguruar që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi. Ne, në Bashkimin Evropian, do të vazhdojmë të mbështesim Shkollën e Magjistraturës dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri", deklaroi Gonzato.

Sipas tij, ushtrimi i këtij misioni kërkon integritet, ndershmëri, guxim dhe përulësi, si edhe gatishmëri për të reflektuar dhe për të pranuar se jo gjithmonë vlerësimi i parë është ai i duhuri.

“Prania ime këtu tregon mbështetjen tonë për Shkollën e Magjistraturës dhe rëndësinë që ajo ka. Festime dhe ceremoni të tilla janë momente lumturie. Është fantastike që gjithçka përfundoi, por është edhe një moment që shënon një tranzicion në jetën tuaj.

Ju do të keni pozicione të nivelit të lartë, por mbi të gjitha do të ofroni një shërbim publik. Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale.

Kjo kërkon integritet, ndershmëri dhe guxim, por edhe përulësi. Duhet të pranoni se ndonjëherë ideja juaj e parë mund të mos jetë e duhura. Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet.

Të arrish standardet europiane nuk bëhet vetëm me ligje por duhet jeni ju ata që do të jeni garantorët e zbatimit të ligjit me sjelljen dhe vendimet që do të merrni.

Mendoj që është e rëndësishme të qëndroni mendje hapur dhe kureshtarë, që të mësoni, të ndani eksperienca jo vetëm me shqiptarë por edhe evropian. Shtëpia juaj do jetë pika e referencës nga ku do mësoni por duhet të jeni të hapur ndaj informacioneve nga kolegët europian.

Institucionet, në vetvete, nuk krijohen vetëm nga ligjet dhe rregulloret. Ato kërkojnë edhe ndryshim kulture dhe mendësie. Unë ende nuk jam i bindur se ky ndryshim mendësie është arritur. Është në dorën tuaj”, tha ai.

gonzato be magjistratet

Lini një Përgjigje