TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë29 Qershor 2026, 13:08

A do ketë rrotacion në kryesinë e PD-së: Rinovimi i Berishës, një gotë ujë në fuçinë e “qelbur”

Shkruar nga Pamfleti
A do ketë rrotacion në kryesinë e PD-së: Rinovimi i
Kryesia e PD-së /

Pas 'çlirimit' të PD-së nga Lulzim Basha, Berisha premtoi garë dhe potencial të ri; por në 2 palë  zgjedhje, fitoi pa rivalë. Sot 80% e Këshillit Kombëtar dhe 90% e kryesive të degëve janë të njëjtët individë prej 20-30 vitesh. Më 1 korrik, do të 'zgjidhen' drejtuesit e rinj, por emrat janë paracaktuar nga Berisha. Skema: 2-3 emra të rinj për të mbuluar mosndryshimin e kastës së vjetër...

Kur Sali Berisha me "ushtrinë" e tij uzurpoi forcërisht Selinë e PD-së, tha: "Sot hoqëm bravën e Lulzim Bashës dhe hapëm partinë, për ta rithemeluar jo me emërime prej kryetarit e njëri-tjetrit, por me parime e potenciale të reja në çdo nivel drejtimi dhe me garë."

Pas kësaj deklarate dhe aplikimit të zgjedhjeve me parimin "1 anëtar – 1 votë", Sali Berisha u rizgjodh kryetar partie në muajin maj 2022 me dy rivalë kukulla.

U rizgjodh kryetar partie dhe në muajin maj 2026, duke mos pranuar kandidatë rivalë, me justifikimin se ishte "proces rikonfirmimi", megjithëse sipas Statutit të PD-së, Sali Berisha nuk duhej të kandidonte, ngaqë humbi zgjedhjet parlamentare.

Faktikisht, në PD është "një kastë pushteti" e pandryshuar prej 30-36 vitesh, me në krye Sali Berishën, Tritan Shehun e Jozefina Topallin dhe drejtues të tjerë në Kryesi, Sekretariate, Departamente e Këshillin Kombëtar, shumica të njëjtët individë që vegjetojnë prej 2-3 dekadash.

P.sh., 80% e anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe 90% e kryetarëve dhe anëtarëve të kryesive në 77 degët e PD-së që u zgjodhën para 2 muajsh, janë të njëjtët individë prej 20-25, e madje disa prej 30 vitesh, paçka se quhen zgjedhje e drejtues të rinj.

Po kështu, 80% e Kryesisë së PD-së, në Sekretariate e Departamente dhe Forumin e Grave Demokrate, janë të njëjtat fytyra prej më shumë se 2 dekadash, të cilët, për sundimin në krye të partisë, justifikohen se janë të zgjedhur sipas Statutit, kur vetë kryetari u riemërua në shkelje të Statutit.

Në Kryesinë e partisë, 9 anëtarë si Flamur Noka, Albana Vokshi, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Tomor Alizoti, Gazment Bardhi, Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi, Edi Paloka, Jorida Tabaku e Besart Xhaferri, janë të vetëemëruar "Ex-officio", ngaqë kanë poste drejtuese në parti, por dhe të caktuar nga kryetari e nga njëri-tjetri si "Shtab besnik në krye të partisë".

Duke folur në emër të strukturave dhe anëtarësisë, Sali Berisha dhe kjo kupolë e përjetshme sunduese në PD kanë emëruar 17 anëtarë të tjerë Kryesie, deputetë e ish-deputetë dhe i kanë miratuar formalisht në Këshillin Kombëtar, ku 80% janë të njëjtët individë prej 20-30 vitesh.

"Byroistët" e përjetshëm të PD-së, veten e tyre dhe ata që kanë emëruar në Kryesi, i quajnë "të zgjedhur" nga strukturat e anëtarësia, megjithëse anëtarësia i urren dhe i konsideron pazarxhinj interesash me pushtetin "Rama".

Në fakt, këta kanë krijuar rrjetin e mbyllur të tyre, si sundimtarë të vetëemëruar në krye të PD-së; të cilët jo vetëm nuk lëvizin nga postet, por sulmojnë dhe përjashtojnë nga partia ata që u kërkojnë rotacion me garë të hapur.

Më 1 korrik, në PD do të zgjidhen anëtarët e Kryesisë, Zv/Kryetarët, drejtuesit e Këshillit Kombëtar, të Sekretariateve e Departamenteve, duke thënë se do t'i miratojë Këshilli Kombëtar, por emrat i ka paracaktuar Sali Berisha dhe familja e klani i tij.

A do të bëjë Sali Berisha "rotacion" me emra të rinj me moral të pastër e potencial në Kryesinë e PD-së dhe strukturat drejtuese, apo do të mbajë ato "lecka" që ka aktualisht, të cilët prej 4 mandatesh nuk po e sjellin dot partinë në pushtet?

Ka zëra se Sali Berisha do të zëvendësojë 2-3 individë të vjetëruar me emra të rinj "pa njolla", sipas kësaj skeme demagogjie e sundimi të autokratëve: "Në fuçinë me ujë të qelbur, hidhet 1 gotë ujë i pastër dhe quhet 'pastrim e rinovim' i ekipit drejtues."/Pamfleti

sali berisha rrotacion rinovimi

1 Komente

  1. B
    Bibi

    Berisha zbret nga kali jo kur vritet kali, por ai vetë

    Lini një Përgjigje