TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Qershor 2026, 13:29

Kurthi i turizmit të luksit

Shkruar nga Algert Dobra
Kurthi i turizmit të luksit
Foto Ilustruese /

Shqiptarët sot gjenden përballë një zgjedhjeje jetike mes propagandës së fasadave luksoze dhe nevojës emergjente për një zhvillim të vërtetë industrial e social. Është koha për një dialog të ndershëm kombëtar që mbron pasuritë tona publike dhe garanton mirëqenien e përbashkët të qytetarëve.

Ka mbi 4 javë që protestuesit në Shqipëri po mblidhen në sheshe dhe rrugë publike në mbarë vendin për të kërkuar anulimin e projektit të një kompleksi luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, kërkesa që nga atëherë janë zgjeruar në protesta më të gjera kundër korrupsionit dhe establishmentit, të drejtuara si ndaj qeverisë në pushtet, ashtu edhe ndaj opozitës tradicionale.

Projekti që nisi gjithë këtë është një propozim prej 4 miliardë dollarësh për një resort luksoz dhe zhvillim pasurish të paluajtshme në zonën e Zvërnecit, i cili është planifikuar në një tokë të mbrojtur që është shtëpia e më shumë se 200 llojeve të shpendëve - përfshirë flamingon, që është kthyer në simbolin e protestive - si dhe e 70 specieve në rrezik zhdukjeje, si breshka e detit Loggerhead.

Në kundërpërgjigje ndaj protestave, Kryeministri Edi Rama ka mohuar që të ketë madje edhe një projekt ekzistues duke deklaruar se nuk ka ende leje ndërtimi, nuk ka ndërtim dhe as projekt përfundimtar, por ka vetëm një vizion dhe një plan për ta shndërruar Shqipërinë në destinacionin më tërheqës të turizmit të nivelit të lartë në këtë pjesë të botës.

Në sipërfaqe, ky vizion tingëllon ambicioz, si progres, por shtrohet pyetja se për kë është ambicioz. Pasi kur një projekt zhvillimi prej 4 miliardë dollarësh mbërrin në një vend si Shqipëria, me pak ose aspak industri të zhvilluar, është e vështirë të rreshtohesh kundër tij. Shumë nga ata që kanë dalë kundër projektit të propozuar në Zvërnec përmendin mungesën e transparencës si arsyen kryesore të kundërshtimit të tyre, duke thënë se do t’i mirëpritnin investimet e huaja nëse ato do të kryheshin përmes kanaleve të duhura.

Madje edhe Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike në opozitë, ka shprehur mbështetje në parim për investimet e huaja, gjë që do të thotë se debati për shumicën dërrmuese sillet thjesht rreth procesit.

Por për mua, pyetja më e rëndësishme mbetet ende pa u shtruar. Sepse megjithëse kam parë disa zëra në protestë që kritikojnë modelin ekonomik që po propozon qeveria, kam parë gjithashtu që mediat kryesore i shpërfillin gjerësisht këto shqetësime.

Problemi nuk është thjesht se projekti është menaxhuar keq, por se ai promovon turizmin e luksit si një model zhvillimi që në realitet është strukturalisht i dëmshëm për ekonomitë si ajo e Shqipërisë. Prandaj pyetja nuk është vetëm se si u miratua ky investim, por nëse ai duhet të ndodhë.

Në debatet publike lidhur me turizmin, moderatorja e njohur Grida Duma u shpreh troç se Shqipëria nuk meriton turistë të varfër. Dhe fakti që kjo ndjenjë gjen mbështetje në të gjithë spektrin politik, si në opozitë ashtu edhe në partinë në pushtet, zbulon se sa thellë ka zënë rrënjë logjika e turizmit të luksit si zhvillim.

Megjithatë dëshmitë nga vendet e ngjashme tregojnë një histori krejt tjetër, një histori enklavash, rrjedhjeje ekonomike, pagash të ulëta dhe thellimi të pabarazisë. Turizmi i luksit nuk i transformon ekonomitë si ajo e Shqipërisë, por i zë ato në kurth.

Ndaj si shqiptarë ne duhet të jemi më të ndershëm për këto rreziqe dhe të hapim një dialog më të gjerë se si mund të duket një zhvillim i vërtetë, në vend që të pranojmë modelin aktual neoliberal të liberalizimit të detyruar të tregtisë, rregullimit dhe privatizimit si të vetmen rrugë përpara.

Kur promovon turizmin e luksit si model zhvillimor, Rama ka argumentuar se 1 euro që hyn në një resort luksoz shoqërohet me 1.6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale, duke cituar kërkime ndërkombëtare të paemërtuara.

Por problemi është se kjo shifër vlen për ekonomitë me zinxhirë të fortë furnizimi vendas dhe pronësi lokale, si Portugalia dhe Spanja, ndërsa Shqipëria nuk është asnjëra prej tyre. Zvërneci do të jetë i varur nga importi dhe me pronësi të huaj, duke bërë që ky efekt multiplikator të dështojë plotësisht.

Projekte të tilla prodhojnë modele enklavash, në të cilat zhvillimi i pasurive të paluajtshme që synon një klientelë elitare të huaj shpesh rrethohet me gardh dhe kthehet në komunitete të mbyllura ku shpenzimet mbeten brenda këtyre mureve, duke bërë që enklava të mos jetë një portë drejt zhvillimit, por një mur rreth tij.

Dëshmitë nga vendet në zhvillim të ngjashme me tonën janë të frikshme. Nnjë studim në Tajlandë zbuloi se 70 për qind e të gjitha shpenzimeve të turistëve largoheshin nga vendi drejt korporatave të huaja.

Në Karaibe dhe Afrikë kjo shifër shkonte deri në 80 për qind. Në Botsvanë më pak se 20 për qind e tarifave mbetej në ekonominë lokale dhe më pak se 30 për qind e mallrave prodhoheshin në vend, ndërsa në Mauritius fitimet riadresoheshin tërësisht te kompanitë mëmë evropiane.

Ekonomistët i referohen këtij fenomeni si problemi i rrjedhjes ekonomike (leakage), pra rastet kur paratë që turistët shpenzojnë nuk mbërrijnë kurrë në ekonominë e përditshme të banorëve vendas.

Kjo sepse kur resortet janë në pronësi të huaj, furnizimet importohen dhe menaxhimi vjen nga jashtë, paratë qarkullojnë vetëm brenda enklavës dhe më pas largohen nga vendi. Madje në vende si Ruanda apo Botsvana këto resorte përfitojnë nga lehtësitë tatimore që e gërryejnë më tej kontributin në arkën publike.

Për shembull në Botsvanë vetëm 11 për qind e kompanive të turizmit paguajnë taksa, çka dëshmon se të ardhurat e larta në majë nuk përkthehen në të ardhura në bazë dhe se ky model në praktikë është thjesht një zhvatje ekonomike.

Në mbrojtje të këtij projekti, Rama ka vënë në dukje edhe arkitektët dhe dizajnerët ndërkombëtarë nga Japonia, Danimarka, Turqia, Franca dhe Greqia, duke treguar pa dashje saktësisht pse shqiptarët vendas do të anashkalohen, pasi nuk përmendet asnjë kompani e vetme shqiptare.

Kjo nënkupton se dizajni, menaxhimi, ushqimi, sistemet kompjuterike dhe mobilimet e luksit importohen të gjitha, ndërsa vendasve u lihen vetëm punët që nuk bëhen dot nga jashtë si pastrimi, udhërrëfimi dhe shërbimi.

Shumica e furnizuesve në turizmin e luksit nuk janë të lidhur me bizneset lokale por sigurohen ndërkombëtarisht, siç ndodhi në Meksikë ku rritja e resorteve luksoze bregdetare gjeneroi një përqendrim të lartë të investimeve të huaja por nuk prodhoi pothuajse asnjë integrim ekonomik me komunitetet rrethuese, dhe kjo sepse zonat lokale nuk mund të furnizonin mallra të cilësisë së lartë.

Vlen të kthehemi këtu te turisti që Duma e nënvlerëson, sepse udhëtari me buxhet të kufizuar apo “polaku e rumuni” ofron në fakt një kontribut më të madh në bizneset locale, pikërisht sepse paratë e tij shkojnë direkt te një zgarrë gjakovare, një bujtinë familjare në Theth apo një kafene lokale, duke lejuar një rritje organike dhe me një pronësi lokale në nivel komuniteti. Nga ana tjetër, paratë e gjeneruara nga turizmi i luksit jo vetëm që mbeten në duart e të huajve, por rrisin edhe kostot për vendasit, siç tregon rasti i Phuket në Tajlandë ku hotelet e luksit përbëjnë 49 për qind të tregut dhe çmimet e tokës janë rritur me 20-30 për qind.

Ndërsa në Mauritius vendasit kanë qasje në vetëm 12 për qind të vijës së tyre bregdetare, pasi turistët e huaj elitarë gëzojnë pjesën tjetër. Ndërkohë, popullsia vendase plotëson rolet me pagat më të ulëta, dhe kjo nëse nuk importohet fuqi punëtore edhe më e lirë nga jashtë.

Kjo ndodh pavarësisht se Shqipëria ka tashmë disa nga pagat më të ulëta në Evropë, ndërsa menaxherët e huaj paguhen dukshëm më shumë për të njëjtat role, gjë që tregon se hotelet e huaja jo vetëm që privatizojnë tokën që u përkiste komuniteteve lokale, por i përdorin ato si burim krah pune të lirë dhe sezonalisht të pasigurt, duke dështuar të krijojnë transferim aftësish apo rritje sipërmarrëse.

Në këtë mënyrë, turizmi i luksit e institucionalizon varësinë duke i kyçur ekonomitë mikpritëse në një rol të përhershëm mbështetës, duke krijuar te popullsia vendase ndjesinë e thellë se nuk janë në gjendje të gëzojnë as bukurinë e tokës së tyre dhe as frytet e punës së tyre.

Një problem tjetër me strategjinë e turizmit të luksit, është se ajo shmang alternativa më të mira për rritjen ekonomike. Sepse industritë që i nënshtrohen konkurrencës së përsosur dhe ku prodhuesit nuk ndikojnë dot në çmim, si bujqësia, peshkimi dhe shërbimet e turizmit, karakterizohen nga kthime në rënie dhe çojnë në pagat më të ulëta, pasi toka është një kufizim fizik që nuk mund të zgjerohet përtej hapësirës ekzistuese, veçanërisht në një vend të vogël si Shqipëria.

Në të kundërt, industria prodhuese dhe industritë me vlerë të lartë funksionojnë me logjikën që sa më shumë të prodhojnë, aq më të ulëta bëhen kostot për njësi, dhe pikërisht përmes këtij lloj sektori u rritën ekonomitë e Koresë së Jugut, Kinës dhe Vietnamit nëpërmjet ndërhyrjes strategjike të qeverisë, jo duke hapur dyert dhe duke shpresuar se kapitali i huaj do të pikohej poshtë.

Ndërtimi i resorteve luksoze në Sazan apo në Zvërnec nuk e diversifikon rrezikun e varësisë nga turizmi, por vetëm e përqendron atë më tej, duke thelluar varësinë e Shqipërisë nga një sektor që një pandemi e vetme, një konflikt apo një recesion global mund ta mbyllë brenda natës.

Në krahasim me to, Shqipëria nuk ka asnjë bazë industriale të rëndësishme për shkak të deindustrializimit post-komunist që asgjësoi kapacitetin prodhues, duke e bërë ekonominë gjithnjë e më shumë të varur nga dërgesat e emigrantëve, turizmi dhe bujqësia

Dhe tragjedia e strategjisë së Zvërnecit është se ajo dyfishon pikërisht këtë aktivitet me kthim të ulët që do t'i mbajë pagat përhershëm të shtypura, gjë që është alarmante pasi turizmi përbën tashmë rreth 20-22 për qind të PBB-së shqiptare, duke na renditur si vendin e dytë më të varur nga turizmi në Evropë dhe të 13-tin në botë.

Për të gjitha këto arsye ka ardhur koha për forma alternative të zhvillimit, të përqendruara rreth investimit në shkollat, industritë dhe spitalet tona, duke u dhënë njerëzve shpresë në vend që t’i dëbojmë ata gjithnjë e më larg vendit të tyre.

Sikur të mos mjaftonin këto efekte ekonomike një faktor shtesë është korrupsioni, ku në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 Shqipëria u rendit në vendin e 91-të nga 181 vende. Projekti i Zvërnecit ilustron saktësisht pse kjo ka rëndësi, duke qenë se zhvilluesi Zvërnec South Adriatic Development është i regjistruar në Holandë si një trust offshore me përfitues të fshehur.

Raportimet investigative nga BIRN kanë identifikuar një rrjet individësh të përfshirë që përfshin biznesmenin Artur Shehu, i përmendur në një dokumentar të RAI-t si i hetuar në lidhje me organizatën mafioze italiane Sacra Corona Unita, dhe ish-gjyqtarin Alaudin Malaj, i cili dha dorëheqjen përpara vetingut antikorrupsion pasi më parë kishte vendosur në favor të të njëjtave familje, toka e të cilave tani përbën pjesë të zhvillimit.

Ndërkohë vetë leja u lëshua nga Këshilli Kombëtar i Territorit i kryesuar personalisht nga Edi Rama, pavarësisht mosmarrëveshjeve aktive gjyqësore për pronësinë e tokës. Kjo dinamikë tregon se si qeveritë në vendet në zhvillim e përdorin autoritetin e tyre për t'u shitur projekte popullsive të dëshpëruara duke premtuar një zhvillim që e dinë se nuk do të arrijë në bazë.

Kjo sepse korrupsioni nuk shoqëron thjesht dështimet strukturore të turizmit të luksit, por është mekanizmi me anë të të cilit ato dështime bëhen të përhershme, pasi pronësia e huaj, rrjedhjet ekonomike dhe zhvillimi i enklavave përkeqësohen kur mbikëqyrja mungon, kontratat janë opake dhe gjyqësori është i komprometuar.

Zhvillimi pa prosperitet të përbashkët nuk është zhvillim dhe Shqipëria nuk është Spanja. As Zvërneci nuk do të jetë versioni ynë i Algarve-s. Shqiptarët meritojnë një dialog të vërtetë për llojin e zhvillimit që i duhet vendit, jo një vendim të marrë në fshehtësi nga ata që kanë më shumë për të fituar./Pamfleti nga “Kosovo Point Zero”

kurthi i turizmit të luksit

4 Komente

  1. S
    Sait 52

    Analize e sakte. Mendoj qe as nuk do ta lexojne deri ne fund ato qe kene fuqine te vendosin.

    1. s
      sorosjani

      Rama ka interesat e tija private, prandaj insiston dhe kercenon se do ti realizoje me cdo kusht keto projekte. Pyetja e pare eshte a injektojne ne keto investime Rama e te tjere rreth tij para te tyre permes atyre kompanive of shore? Duke u bere pazare personale, lindin mundesi ideale edhe per fenomene te tilla. Sidomos me investitore te huaj qe bartin edhe mbeshtetjen e kushnereve e tj. Pyetje dyte: Kur ndertohen keto resorte, hotele me shuuume yje ne vende sidomos te preferuara e qe me pas nje pjese do shiten me perfitime te medha, ai qe jep lejen e ndertimit a shperblehet nga marresi lejeve? .........Praktika tregon qe po. Beni vete nje llogari sa perfiton dhenesi lejeve te ndertimit edhe me kushte lehtesuse per ndertuesin, (si shqiperia 1 euro, apo te mos paguajne taksa per 10 apo 20 vjet, apo tu jepet toka ne shfytezim per 99 vjet etj )!!!!???? Prandaj merr kuptim ajo kembengulja qe "ju thoni cfare te doni", por une do bej ate qe kam planifikuar!!!! Dhe keshtu neser , Sorosi Shqiperise do kontrolloje e diktoje politikat qeverisese, pra indirekt do kete perseri pushtet. Kjo eshte pjese e kurthit te propogandes per turizmin e luksit.

      1. F
        Five company

        E dashur, gabimi yt fatal.... Une e nderpreva leximin, pikerisht ne shprehjen kur ti shkruan se " Duhet te jeni te ndershem..." Cfare eshte kjo nje naivitet adoleshenteje apo injorance e paditurise ne standartet e dyfishta karakteristike per politiken. E dashur, turizmi i luksit qe ta perkufizoje sakte, quhet "Turizmi i joshjes", qe do te thote pas varfanjakeve, do te rriten pretendimet dhe seleksionimi vjen me kalimin e kohes"!!? "Turizmi i Joshjes", e dashur, nuk u realizua me projekte te mirefillta afatgjate, por u be si nje plan eksperimental, eksperiment me ju dhe per ju. Qe ne te vertete eshte nje slogan qe perdoret nga "organizatat e bamiresise" me parate si kapital fillestar te varfanjakeve, por qe te shkretet kur pretendimi te rritet ( sa me shume te kesh, aq me shume do"), do eleminohen ne fazen e "seleksionimit". Se kush e ben seleksionimin, varet nga tendenca e pretendimit....

        1. P
          Petrit

          Nuk e kuptoj se si ka mundesi, qe debate dhe analiza te tilla nuk zene vend ne studiot tona. Une e besoj plotesisht qe turizmi elitar do te fundose turizmin e thjeshte , ne te cilin popullsia ka arritur qe te perfitoje nje page deri diku te pranueshme. Por nuk duhet te pranojme qe te behemi skllever te ketyre resorteve , te cilet pagat i kane ne kufinj te mbijeteses. Resortet e tilla ne pergjithsi jane ne vendet e varfera dhe i mbajne perseri te varfera, pa asnje ndikim ne rritjen e nivelit te tyre te jeteses.

          Lini një Përgjigje