Një 33-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me më shumë se një kilogram kokainë të pastër, të cilën e kishte fshehur në një ndarje sekrete të automjetit të tij. Sipas mediave italiane, i riu banonte në Matera, ndërsa kishte vendbanimin e regjistruar në provincën e Bergamos.
Arrestimi u bë gjatë një kontrolli në autostradën A4, pranë zonës së shërbimit Limenella në Padova. Patrulla e policisë ndaloi automjetin pasi ai po lëvizte me shpejtësi të lartë. Gjatë verifikimeve, 33-vjeçari u shfaq i nxituar për të vijuar udhëtimin, por nuk arriti të jepte një shpjegim bindës për destinacionin e tij.
Policët vunë re gjithashtu se krahu dhe dora e tij ishin të fashuara. Shqiptari deklaroi se plagët ishin pasojë e një sulmi nga persona të panjohur.
Për shkak të dyshimeve, ai u shoqërua në komisariat për kontrolle të mëtejshme. Gjatë inspektimit të automjetit, efektivët konstatuan se konsola qendrore mes dy sediljeve ishte e bllokuar. Pas ekzaminimit të sistemit elektrik, ata zbuluan një mekanizëm elektronik që aktivizonte një ndarje të fshehtë, ku ndodhej një bllok kokaine me pastërti të lartë, i paketuar me vakum në qese najloni.
Sipas autoriteteve italiane, lënda narkotike kishte një vlerë prej mbi 30 mijë eurosh në tregun me shumicë, ndërsa nëse do të shitej me pakicë, fitimi do të kalonte 100 mijë euro.
33-vjeçari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe u dërgua në burgun e Padovës. Ndërkohë, shefi i Policisë, Marco Odorisio, ka nisur procedurat për revokimin e lejes së qëndrimit të shtetasit shqiptar në Itali.
Lini një Përgjigje