TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Qershor 2026, 14:58

Maturantët ndjekin tregun e punës, IT dhe mjekësia në krye të preferencave

Shkruar nga Pamfleti

Maturantët ndjekin tregun e punës, IT dhe mjekësia në krye

Teksa maturantët presin hapjen e fazës së përzgjedhjes së preferencave për studimet e larta, zgjedhjet e tyre po orientohen gjithnjë e më shumë nga degët që ofrojnë mundësi më të mira punësimi. Tregu i punës po shndërrohet në një nga faktorët kryesorë që ndikon në vendimmarrjen e të rinjve për vijimin e arsimit universitar.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se maturantët po analizojnë të dhënat mbi punësimin dhe ecurinë e viteve të kaluara për të bërë zgjedhje më të sigurta.

“Në fund të fundit pritet që këta maturantë të formohen me njohuri që kërkon tregu i punës, për të mundësuar punëismin e shpejtë të tyre. Maurantët, që në momentin që fillojnë të hulumtojnë në programin U-Albania, riorjentohen edhe nga kërkesat e tregut të punës dhe si ka qenë ecuria në vitet e kaluara, për të patur mundësi të orjentohen drejt degëve të cilat përthithen më shpejt nga tregu”, tha Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar për "Ora News".

Sipas të dhënave të viteve të fundit, interesi më i madh i maturantëve përqendrohet te programet e teknologjisë së informacionit, inxhinierisë dhe shkencave mjekësore.

Ndërkohë, degët tradicionale, si ekonomiku, juridiku dhe fusha të tjera të shkencave sociale, vijojnë të mbeten pjesë e preferencave, por me një interes më të ulët krahasuar me vitet e mëparshme.

“Gjenerata e re është orjentuar drejt TIK, inxhinieri e degë teknike. Është më pak e orjentuar në degë klasike, jo se kanë humbur vëmendjen e tyre sepse tregu do ketë nevoja për degë klasike si ekonomiku, juridiku apo degë të tjera, por deri diku ka rënë interesi i viteve të para të demokracisë. Gjuhët e huaja gjithashtu më pak, pasi maturantët po mësojnë që në gjimnaz dhe bëhet pjesë integrale e studimeve të tyre. Degë që kërkohen nga tregu vendas janë: teknologji, inxhinieri por edhe shkencat mjekësore dhe infermeri. Kjo qoftë në tregun vendas, qoftë nga kërkesa të tregut europian”, shtoi Xhelaj.

Sipas Xhelajt, edhe institucionet e arsimit të lartë po përshtaten me zhvillimet e tregut të punës, duke rishikuar pothuajse çdo vit programet e studimit. Qëllimi është që kurrikulat të jenë më fleksibël dhe të përgatisin studentët me aftësitë që kërkohen nga punëdhënësit, si në Shqipëri ashtu edhe në tregun europian.

Lini një Përgjigje