Mes personave të arrestuar raportohet edhe Adnan al-Jamali, drejtori i përgjithshëm i Kompanisë së Naftës Veriore. Ai dyshohet se ka miratuar tenderë dhe kontrata në kundërshtim me ligjin
Autoritetet irakiane kanë nisur një operacion të përmasave të mëdha kundër korrupsionit, duke arrestuar politikanë, deputetë dhe drejtues institucionesh shtetërore. Aksioni u zhvillua me urdhër të kryeministrit Ali al-Zaidi dhe konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të viteve të fundit në vend.
Forcat elitare të Shërbimit Kundër Terrorizmit (CTS) ndërhynë në orët e para të së dielës në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, ku ndodhen institucionet kryesore shtetërore dhe përfaqësitë diplomatike. Paralelisht me arrestimet, hetuesit zgjeruan verifikimet në disa institucione, përfshirë parlamentin dhe sektorin e naftës.
Sipas burimeve ligjore dhe qeveritare, dosja lidhet me një skemë të dyshuar korrupsioni, ku vlera e transaksioneve dhe përvetësimeve të paligjshme mund të arrijë deri në 50 miliardë dollarë. Nëse kjo shumë konfirmohet, operacioni do të jetë më i madhi i këtij lloji në Irak që nga viti 2003.
Mes personave të arrestuar raportohet edhe Adnan al-Jamali, drejtori i përgjithshëm i Kompanisë së Naftës Veriore. Ai dyshohet se ka miratuar tenderë dhe kontrata në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë, disa persona të tjerë të përfshirë në hetim nuk u gjetën në banesat e tyre, çka çoi në zgjerimin e kontrolleve dhe bllokimin e hyrjeve në Zonën e Gjelbër.
Koha e zhvillimit të operacionit ka tërhequr vëmendje edhe për një arsye tjetër. Parlamenti ndodhet në pushim, ndaj deputetët nuk mund të mbështeten te imuniteti parlamentar gjatë procedurave.
Aksioni ka nxitur reagime në skenën politike, pasi në mesin e personave të vënë nën hetim përfshihen edhe figura që konsiderohen kundërshtarë të kryeministrit, kryesisht nga komuniteti sunit. Për këtë arsye, debati është përqendruar te pyetja nëse bëhet fjalë vetëm për luftë kundër korrupsionit apo edhe për një përplasje politike.
Qeveria e Ali al-Zaidit e paraqet këtë fushatë si përpjekjen kryesore për të goditur abuzimet me fondet publike dhe sistemin e kontratave të paligjshme që, sipas mbështetësve të saj, kanë dëmtuar ekonominë irakiane për më shumë se dy dekada.
Analistët, nga ana tjetër, kujtojnë se operacione të ngjashme në të kaluarën janë shoqëruar me tensione politike dhe fetare. Ata vlerësojnë se ecuria e hetimeve dhe mënyra e zbatimit të drejtësisë do të përcaktojnë nëse kjo nismë do të forcojë institucionet apo do të thellojë përplasjet në skenën politike.
Ali al-Zaidi mori detyrën në maj dhe e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të programit të tij qeverisës. Ai ka deklaruar gjithashtu se synon të forcojë sovranitetin e shtetit, të zgjerojë bashkëpunimin me partnerët perëndimorë dhe rajonalë, si edhe të kufizojë ndikimin e grupeve të armatosura jashtë strukturave shtetërore.
Lini një Përgjigje