Tani është zyrtare. Enzo Maresca është trajneri i ri i Manchester City. Klubi anglez njoftoi këtë të hënë se tekniku italian ka firmosur një kontratë deri në vitin 2029, duke marrë drejtimin e skuadrës pas largimit të Pep Guardiolës, i cili i dha fund një epoke 10-vjeçare të mbushur me trofe në "Etihad".
Për Marescën kjo është aventura e tretë te Manchester City, këtë herë si trajner i parë. Italiani rikthehet në klub pasi ka fituar përvojë në pankinat e ekipeve të tjera dhe do të ketë tashmë detyrën për të vijuar sukseset e "Citizens".
"Manchester City është një klub që e njoh shumë mirë dhe tani që kam shansin ta drejtoj këtë skuadër është një mundësi e shkëlqyer për mua. Gjithçka këtu është inovative, e planifikuar dhe me një vizion të qartë. E njoh klubin, e di çfarë kërkohet dhe mezi pres të nis punën me lojtarët. Dua të fitoj, të luaj futboll të bukur dhe të shijoj përgjegjësinë e drejtimit të Manchester City", deklaroi Maresca pas firmës.
Edhe presidenti i klubit, Khaldoon Al Mubarak, shprehu besimin se italiani është zgjedhja ideale për pankinën e City-t.
"Enzo ka treguar gjithmonë se kërkon të sfidojë veten dhe të arrijë sukses. Ai sjell personalitet, pasion dhe inteligjencë, cilësi që përputhen plotësisht me filozofinë e Manchester City", u shpreh Al Mubarak.
Ndërkohë, emërimi i Marescës u shoqërua me një reagim të ashpër nga Chelsea, ish-klubi i trajnerit italian. Në një deklaratë zyrtare, londinezët, pa e përmendur asnjëherë me emër, zbuluan se që në vjeshtën e vitit të kaluar ishin informuar se tekniku synonte të pasonte Guardiolën në fund të sezonit.
Sipas Chelsea-t, në dhjetor të vitit 2025 trajneri paraqiti papritur dorëheqjen, duke krijuar zhgënjim të madh brenda klubit.
"U ndjemë të tradhtuar, sepse ishte e vështirë të besonim se mendja dhe zemra e tij ishin te një klub tjetër, edhe pse kishte ardhur te Chelsea vetëm një vit më parë. Për të mbrojtur lojtarët, tifozët dhe identitetin e klubit, nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të pranonim dorëheqjen e tij", thuhet në deklaratë.
Chelsea konfirmoi gjithashtu se është arritur një marrëveshje me Manchester City për pagesën e një dëmshpërblimi prej 17 milionë paundësh për lirimin e Marescës. Sipas klubit londinez, është nënshkruar edhe një marrëveshje konfidenciale me vetë trajnerin, i cili do të paguajë gjithashtu një dëmshpërblim.
Në fund të reagimit, Chelsea shprehu besimin te trajneri i ri, Xabi Alonso, duke e cilësuar atë si njeriun e duhur për t'i rikthyer klubit sukseset dhe stabilitetin në sezonet e ardhshme.
Lini një Përgjigje