Policia largoi në orët e para të mëngjesit protestuesit që kishin kaluar natën para Kryeministrisë, ndërsa ndërhyrja u shoqërua me tensione dhe reagime nga qytetarët, të cilët kundërshtuan edhe heqjen e këpucëve simbolike të vendosura në shkallët e godinës.
Pak orë përpara protestës së radhës kundër qeverisë, Policia ka ndërhyrë për të larguar qytetarët që kishin kaluar natën përpara godinës së Kryeministrisë. Sipas protestuesve, ky veprim po përsëritet prej disa ditësh.
Rreth 100 efektivë policie zbarkuan para Kryeministrisë dhe larguan protestuesit që kishin kaluar edhe natën e fundit para godinës.
Pas largimit të tyre me forcë, efektivët kanë mbledhur edhe këpucët e vendosura në shkallët e institucionit, të cilat organizatorët i kanë kthyer në simbol të emigrimit të të rinjve dhe mungesës së shpresës për një të ardhme në Shqipëri.
Ndërhyrja ka sjellë momente tensioni. Një protestuese u përplas verbalisht me efektivët, të cilët kishin krijuar një kordon sigurie përpara hyrjes së Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kundërshtuan largimin e këpucëve.
Klikoni për të parë videon
Përmes një megafoni, një prej tyre u shpreh: "Mos i prekni këpucët, kjo është vjedhje e vullnetit popullor. Mos i ngacmoni veprat artistike të vendosura nga populli. Ky është territor publik".
Ndërkohë, organizatorët kanë konfirmuar se protesta do të vijojë edhe sot, duke shënuar ditën e 29-të radhazi të tubimeve. Ata kanë ritheksuar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë.
Një ditë më parë u zhvillua protesta e 28-të kombëtare kundër qeverisë, e organizuar para Kryeministrisë. Edhe këtë herë, pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë përgjegjës për largimin e të rinjve nga vendi, korrupsionin dhe situatën ekonomike.
Gjatë protestës u mbajtën fjalime nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, ndërsa në shkallët e Kryeministrisë u vendosën dhjetëra palë këpucë, si simbol i emigrimit të të rinjve dhe i mungesës së shpresës për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore për dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve t'u bashkohen tubimeve të radhës.
Diten lereni te lire seQeveria do punoje
Duhet djegur kerpusha dhe ajo streha e shemtuar
Bravo rinija perpara vetem perpara shporreni ket kriminel hajdut maskara