TAGS-AT E JAVËS

Sport29 Qershor 2026, 08:17

Gjermania nën presion, Nagelsmann: Fokusi im është vetëm fitorja

Shkruar nga Pamfleti
Gjermania nën presion, Nagelsmann: Fokusi im është vetëm
Julian Nagelsmann

Gjermania përballet me Paraguain në ndeshjen e parë me eliminim direkt, ndërsa trajneri Julian Nagelsmann thekson se fokusi i tij është vetëm te skuadra dhe suksesi në fushë...

Gjermania do të luajë mbrëmjen e së hënës ndaj Paraguait në ndeshjen e parë të fazës me eliminim direkt të Kupës së Botës. Humbja në takimin e fundit të grupeve kundër Ekuadorit ka zbehur optimizmin e krijuar pas dy fitoreve në start të turneut, duke shtuar presionin mbi ekipin dhe trajnerin Julian Nagelsmann.

Eliminimi në këtë fazë ndaj Paraguait, që konsiderohet një nga skuadrat më pak të favorizuara, do të përbënte një zhgënjim të madh për përfaqësuesen gjermane dhe do të rriste edhe më shumë kritikat ndaj teknikut, pas eliminimit në çerekfinale të Kampionatit Evropian të zhvilluar në Gjermani.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, gazeta BILD e pyeti Nagelsmann nëse ndien se duhet t'u dëshmojë diçka kritikëve si trajner i kombëtares.

"Realisht, mendoj vetëm për skuadrën dhe suksesin tonë. Dua që fryma shumë e mirë që kemi brenda grupit të reflektohet edhe në fushë dhe të bëjmë gjithçka për ta fituar ndeshjen. Nuk ndiej se kam detyrim t'i dëshmoj diçka askujt, përveç lojtarëve. Detyra ime është të jem i përfshirë emocionalisht në vijën anësore, ashtu siç e kërkoj edhe prej tyre, dhe t'i ndihmoj sa më shumë gjatë lojës", deklaroi ai.

Nagelsmann shtoi se mbështetja e tifozëve dhe vlerësimet pozitive pas ndeshjes janë të mirëpritura, por theksoi se prioritet mbetet përgatitja sa më e mirë.

"Na gëzon kur tifozët na mbështesin. Na vjen mirë edhe kur ekspertët apo kritikët thonë pas ndeshjes se kemi luajtur mirë. Megjithatë, mbi të gjitha synojmë të përgatitemi sa më mirë dhe të jemi në gjendje të zhvillojmë një ndeshje të mirë", tha trajneri.

Përballja me Paraguain do të jetë vendimtare për vazhdimin e rrugëtimit të Gjermanisë në turne dhe një provë e rëndësishme për Nagelsmann në drejtimin e kombëtares.

nagelsmann gjermania paraguai

Lini një Përgjigje