TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Korrik 2026, 18:52

Nis “lufta dixhitale”/ Pas Ramës, Berisha porosit të vetët: Sa më shumë “Like” dhe “Share” në rrjetet sociale

Shkruar nga Pamfleti
Nis “lufta dixhitale”/ Pas Ramës, Berisha porosit të
Sali Berisha

Rama akuzoi blogerët dhe influencerët se nxitën protestat, ndërsa Berisha u kërkon demokratëve të mbështesin lëvizjen në çdo platformë sociale.

Përplasja politike mes mazhorancës dhe opozitës po zhvillohet gjithnjë e më shumë edhe në rrjetet sociale, ku secila palë i konsideron platformat dixhitale një mjet vendimtar për të ndikuar opinionin publik.

Prej ditësh, kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht se protestat e fundit janë nxitur nga mënyra se si funksionojnë algoritmet e rrjeteve sociale, duke akuzuar blogerë dhe influencerë se kanë ndikuar në përhapjen e thirrjeve për mobilizim. Në daljet e tij publike, kreu i qeverisë ka folur për ndikimin që, sipas tij, kanë platformat dixhitale në krijimin e klimës së protestës.

Burime politike bëjnë me dije se në takimet e zhvilluara me deputetët socialistë, Rama u ka kërkuar atyre të jenë më aktivë në rrjetet sociale dhe të angazhohen në komunikimin publik për të kundërshtuar narrativat që, sipas mazhorancës, po përhapen online.

Nga ana tjetër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është përgjigjur kësaj beteje duke u bërë thirrje strukturave të opozitës që të angazhohen maksimalisht në mbështetje të protestave edhe në hapësirën dixhitale.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha u kërkoi demokratëve që çdo person me një llogari në rrjetet sociale të kontribuojë në promovimin e protestave.

"Çdo person duhet të jetë në dispozicion të tyre. Çdo person që ka një rrjet social të postojë, të klikojë, në ndihmë të tyre. Rama ka marrë kompani dhe paguan pagesa marramendëse për të ndryshuar algoritmin. I përshëndes edhe ata blogerë dhe influencerë, sepse me shkathtësinë e tyre u bënë frymëzim për gjeneratën dixhitale të Shqipërisë. Ndaj dhe detyra më parësore, në gjithë bindjen time, është që si qytetarë të bëjmë gjithçka që lëvizja rinore të triumfojë", deklaroi Berisha.

Deklaratat e dy liderëve tregojnë se beteja politike nuk po zhvillohet vetëm në terren apo në institucionet politike, por edhe në rrjetet sociale, të cilat po konsiderohen gjithnjë e më shumë si një faktor me ndikim në mobilizimin qytetar dhe në formësimin e opinionit publik.

Ndërsa kryeministri Rama ka ngritur shqetësimin për ndikimin e algoritmeve dhe rolit të influencerëve në organizimin e protestave, opozita e sheh pikërisht hapësirën dixhitale si një mundësi për të zgjeruar mbështetjen ndaj lëvizjes protestuese, duke u bërë thirrje mbështetësve të saj të shtojnë praninë dhe aktivitetin online.

berisha keshilli

Lini një Përgjigje