TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Korrik 2026, 19:31

Kërkoi me ngulm Armando Brojën, Kaljari ndan përfundimisht mendjen për sulmuesin shqiptar

Shkruar nga Pamfleti
Kërkoi me ngulm Armando Brojën, Kaljari ndan përfundimisht
Armando Broja

Armando Broja nuk pritet të transferohet te Kaljari, pasi raportimet e ditëve të fundit për një kalim të mundshëm të sulmuesit shqiptar në Serinë A janë hedhur poshtë nga eksperti i merkatos, Alfredo Pedula.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetari italian sqaroi se klubi sard nuk ka zhvilluar asnjë negociatë konkrete për sulmuesin e Kombëtares shqiptare dhe se emri i tij nuk është pjesë e planeve aktuale të drejtuesve të Kaljarit.

Sipas Pedulës, objektivi kryesor i Kaljarit për repartin ofensiv mbetet Kieron Bovi, sulmuesi i Veronës. Megjithatë, arritja e një marrëveshjeje nuk pritet të jetë e lehtë, pasi Verona e vlerëson 23-vjeçarin rreth 10 milionë euro.

Për momentin, Broja nuk figuron mes objektivave të klubit sard, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, në pritje të zhvillimeve të reja gjatë merkatos së verës.

Ndërkohë, mediat italiane kanë raportuar ditët e fundit se Kaljari po ndjek me interes edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë, Stiven Shpendin dhe Kristjan Asllanin. Deri tani, nuk ka pasur zhvillime konkrete për asnjërin prej tyre, ndërsa mbetet për t'u parë nëse klubi italian do të avancojë me ndonjë lëvizje në javët në vijim.

Çdo transferim i mundshëm i këtyre lojtarëve do të kishte rëndësi të veçantë për legjionarët shqiptarë dhe për praninë e tyre në elitën e futbollit italian.

armando broja sulmuesi shqiptar kaljari

Lini një Përgjigje