TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Korrik 2026, 19:29

Sot dita e 32-të e protestës, nis grumbullimi i qytetarëve: Nuk ka dialog, duam largimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Sot dita e 32-të e protestës, nis grumbullimi i qytetarëve: Nuk
Foto nga protesta

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin Skënderbej, nga ku pritet të nisë marshimi drejt Kryeministrisë në kuadër të ditës së 32-të të protestës qytetare.

Edhe këtë mbrëmje, protestuesit do të marshojnë në rrugët e Tiranës me kërkesën kryesore për largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa revolta që nisi kundër projektit në Zvërnec tashmë është shndërruar në një lëvizje kundër qeverisë dhe gjithë klasës së vjetër politike.

Tubimi i sotëm zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas përplasjeve të një dite më parë para Kuvendit, arrestimit të disa protestuesve dhe sulmeve të vazhdueshme verbale nga kryeministri Edi Rama dhe anëtarë të kabinetit qeveritar ndaj organizatorëve të protestës.

Në prag të nisjes së marshimit, reagime kanë ardhur edhe nga grupi i studentëve që pak ditë më parë shpalosën banderolën gjigante "Ju erdhi fundi! Shqipëria nuk është në shitje" në godinën e Universitetit Politeknik.

Studentët kanë përjashtuar çdo mundësi dialogu me qeverinë, duke theksuar se protesta nuk kërkon negociata, por ndryshim politik.

"Jemi një grup studentësh që nuk kemi kërkesa të veçuara. Nuk ka dialog si në vitin 2018. Kjo situatë zgjidhet vetëm me largimin e kryeministrit Edi Rama," u shpreh një prej tyre.

Ata kanë marrë përsipër edhe aksionin simbolik të zhvilluar pak ditë më parë, kur vendosën stikera në makinat e deputetëve, në shenjë proteste për gjobat që, sipas tyre, iu vendosën emigrantëve që erdhën në Shqipëri për protestën kombëtare.

"Stikerat i organizuam vetë, pa mbështetjen e askujt. I vendosëm te makinat e deputetëve sepse emigrantët u gjobitën, ndërsa makinat e tyre qëndrojnë të parkuara në shkelje të rregullave dhe nuk ndëshkohen", deklaroi një nga studentët.

Një tjetër studente përshkroi vizionin e saj për atë që protestuesit e quajnë "Shqipëria e re".

"Shqipëria e re është një Shqipëri pa korrupsion, ku je i lirë të flasësh, ku ke mundësi të barabarta dhe ku drejtësia funksionon për qytetarët. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe pse nuk do të largohemi", tha ajo.

Studentët treguan gjithashtu se grupi i tyre është krijuar spontanisht gjatë protestave dhe numëron tashmë rreth 50-60 të rinj, ndërsa synimi është që pjesëmarrja të zgjerohet në ditët në vijim.

Pas grumbullimit në Sheshin Skënderbej, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të zhvillohet tubimi i radhës me fjalime, ndërsa më pas do të vijojë itinerari i zakonshëm në rrugët e kryeqytetit. Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e sistemit politik.

 

protesta

Lini një Përgjigje