
Gjatë gjithë periudhës afro 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, në të gjitha burgjet dhe kampet e punës së detyruar që gjendeshin pothuaj në të gjitha rrethet e vendit nga Jugu në Veri, ku vuanin dënimet me mijëra të burgosur politik, trajtimi dhe kushtet e jetesës, duke filluar nga ato të fjetjes, ushqimi, si dhe ato higjeno-sanitare, ishin në kufijtë e mizerjes. Por problemi më i madh nuk ishte vetëm ushqimi i pakët, ku pjesa më e madhe e të dënuarve që vuanin dënimet aty ishin vazhdimisht nën torturën e urisë, por edhe cilësia mjaft e dobët e gatimit dhe kushteve higjeno-sanitare, saqë shpesh herë të dënuarit kalonin në gjendje helmime prej ushqimit që ata konsumonin.
Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një dokument arkivor me siglën sekret i nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme cili i përket vitit 1978, ku bëhet fjalë për helmimin nga ushqimi të 160 të burgosurve që vuanin dënimin në kampin e Borshit të Sarandës, (i njohur si Kampi i Riedukimit Nr. 305) ngjarje e cila siç thuhet edhe nga dokumenti në fjalë, është mbajtur e fshehtë nga ana e Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës, nga e cila varej kampi i Borshit. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë i cili publikohet për herë të parë dhe me faksimilen përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË DATËS 18 MAJ 1978, LIDHUR ME NGJARJEN E NDODHUR NË BURGUN E BORSHIT.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 18.5.1978
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 115
DEGA E SHËNDETËSISË SË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Me datën 14 dhe 15 prill 1978, në Repartin e Riedukimit Nr. 305 Borsh, sektori Përparim, janë helmuar nga ushqimi, në gjendje të rëndë, të lehtë dhe të mesme, 160 të dënuar. Nga masat e marra gjendja u stabilizua dhe nuk u shtrua në spital asnjë i dënuar. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se kjo gjë ka ardhur nga mosrespektimi i kushteve higjenike dhe të ushqimit e shpërndarjen e tij me 12 orë vonesë.
Ngjarja nuk është njoftuar fare nga Dega e Punëve të Brendshme Sarandë dhe Dega e Shëndetësisë së Ministrisë u njoftua nga ndihmësmjeku i Repartit./ Memorie.al
KRYETARI
PILO SHNATO
Lini një Përgjigje