Vetëm pak orë pasi Irani dhe Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje fillestare për armëpushim, tensionet janë rikthyer në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Përpara sulmit, Garda Revolucionare e Iranit lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për anijet që kalojnë nëpër ngushticë.
"Nëse ndonjë anije përpiqet të kalojë tranzit në Ngushticë pa lejen tonë… ose jashtë rrugës së caktuar, ajo është përgjegjëse për çdo pasojë", njoftoi Garda.
Vetëm pak orë më vonë, sipas një zyrtari amerikan, anija kontejnerësh me flamur të Singaporit "Ever Lovely" u godit nga një dron iranian. Ky është sulmi i parë ndaj një anijeje që nga nënshkrimi i marrëveshjes SHBA-Iran.
Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi incidentin si "një shkelje e pamend e Marrëveshjes sonë të Armëpushimit".
Pas sulmit, ushtria amerikane kreu të premten goditje ndaj objektivave ushtarake iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit. Nga ana tjetër, Irani deklaroi se kishte shënjestruar pozicione ushtarake amerikane në rajon, megjithëse një zyrtar amerikan tha për "CNN" se dronët iranianë u identifikuan dhe nuk arritën objektivat e tyre.
Ndërkohë, autoritetet detare raportuan se edhe një anije cisternë në Ngushticën e Hormuzit u godit nga një "predhë e paidentifikuar", duke treguar se situata në këtë rrugë strategjike mbetet tepër e brishtë.
Sipas marrëveshjes së arritur mes SHBA-së dhe Iranit, Teherani është angazhuar të përdorë "përpjekjet e tij më të mira" për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Pikërisht ky ishte një nga zotimet kryesore të Iranit në kuadër të armëpushimit.
Megjithatë, marrëveshja nuk nënkupton heqjen dorë të Iranit nga kontrolli mbi këtë korridor detar. Dokumenti parashikon që Irani dhe Omani të bashkëpunojnë për të "përcaktuar administrimin e ardhshëm" të Ngushticës së Hormuzit, duke i dhënë Teheranit një rol formal në menaxhimin e saj.
Lini një Përgjigje