Epoka e Cristiano Ronaldos me fanellën e kombëtares së Portugalisë duket se po shkon drejt fundit. Sipas motrës së tij, Kátia Aveiro, Kupa e Botës 2026 pritet të jetë turneu i fundit i legjendës portugeze me ekipin përfaqësues.
Vetëm pak orë përpara sfidës së Portugalisë ndaj Kroacisë në Toronto (sot, ora 01:00), Kátia Aveiro bëri një deklaratë që tërhoqi vëmendjen e opinionit sportiv.
"Sipas informacionit që kam, ai mund t’i thotë lamtumirë kombëtares. Jo sot, por besoj se kjo është përshëndetja e fundit. E kam fjalën për kombëtaren e Portugalisë. Sipas një burimi të besueshëm, Botërori do të jetë ‘vallja e fundit’ e tij", u shpreh ajo për Sport TV.
Nëse ky skenar konfirmohet, Ronaldo do ta mbyllë karrierën ndërkombëtare si futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares portugeze, me 232 ndeshje, duke përfshirë edhe atë ndaj Kroacisë. Ai mban gjithashtu rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Portugalinë, me 145 gola.
Gjatë 23 viteve me fanellën e kombëtares, 41-vjeçari ka fituar tre trofe të rëndësishëm: Kampionatin Europian 2016 dhe dy edicione të UEFA Nations League. Megjithatë, Kupa e Botës mbetet i vetmi trofe madhor që nuk ka arritur të fitojë me Portugalinë, objektiv që synon ta realizojë përpara se t’i japë fund karrierës ndërkombëtare.
Kátia Aveiro mbrojti gjithashtu vëllanë e saj nga kritikat, duke theksuar se askush nuk mund të zbehë atë që ai ka arritur gjatë më shumë se dy dekadave në futboll.
"Ata që e kuptojnë futbollin duhet ta vlerësojnë Ronaldon. Ai ka dominuar për më shumë se 20 vite. Shikoni nga kemi ardhur si familje dhe çfarë sakrificash ka bërë nëna jonë. A mendoni se kritikat do të ndikojnë në lumturinë tonë? Kurrë!", deklaroi ajo.
Në fund, motra e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” u shpreh krenare për rrugëtimin e Ronaldos me fanellën e Portugalisë.
"Më e rëndësishmja është të shijojmë këto mbi 20 vite që kemi përjetuar. Jam jashtëzakonisht krenare. Kam qenë në Katar dhe jam edhe këtu. Është një krenari e madhe. Kam besim se në fund do të buzëqeshim. Cristiano është më i qetë se ne dhe transmeton shumë besim. Kushdo qoftë kundërshtari, duhet të jemi të përgatitur për ta përballuar", tha ajo.
Lini një Përgjigje