TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Korrik 2026, 09:01

Rusia sulmon sërish Kievin, Zelensky akuza Moskës: Po godasin objektiva politike!

Shkruar nga Pamfleti

Rusia sulmon sërish Kievin, Zelensky akuza Moskës: Po godasin

Lufta në Ukrainë vijon të marrë jetë njerëzish, ndërsa bilanci i viktimave nga sulmi masiv rus ndaj Kievit është rritur në 30.

Bilanci i viktimave nga sulmi masiv rus ndaj Kievit është rritur, ndërsa sulmet kanë vijuar edhe gjatë natës në rajone të tjera të Ukrainës, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur të tjerë.

Sipas autoriteteve ukrainase, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë edhe tre trupa nga rrënojat në Kiev, duke e çuar numrin e të vdekurve në 30. Më herët ishte raportuar për 27 viktima dhe 91 të plagosur.

Ndërkohë, në rajonin e Sumyt, një dron rus goditi një banesë, duke vrarë katër persona, mes tyre një vajzë nën dy vjeç. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur. Sulme u raportuan edhe në Kryvyi Rih, ku shtatë persona u plagosën pas goditjes së një zone të banuar me raketa.

Autoritetet ukrainase kanë shpallur ditë zie në Kiev pas sulmit, i cili konsiderohet më i rëndë ndaj kryeqytetit që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022. Bombardimet shkatërruan ndërtesa banimi, dëmtuan një objekt ku ishin vendosur ambulanca, një godinë ku banojnë diplomatë dhe një depo të Kryqit të Kuq Ukrainas me ndihma humanitare.

Gjatë vizitës në zonat e goditura, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën se po godet qëllimisht objektiva civile dhe politike.

"Rusia po godet objektiva politike vetëm për ta detyruar Ukrainën të heqë dorë nga shteti i saj", deklaroi Zelensky, duke shtuar se Ukraina do t'u përgjigjet sulmeve.

Edhe kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, e cilësoi bombardimin si më të rëndin që ka përjetuar kryeqyteti që nga fillimi i luftës.

"Ky është sulmi më masiv ndaj Kievit që nga fillimi i pushtimit rus", tha Klitschko, teksa njoftoi shpalljen e së premtes ditë zie.

Gjithashtu, Kremlini sinjalizoi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë.

"Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Ukrainës për të arritur objektivat e saj", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se sulmet ishin përgjigje ndaj, sipas saj, "akteve terroriste" të Ukrainës dhe se objektivat ishin ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe infrastruktura energjetike në Kiev dhe rajonet përreth.

Pas sulmeve, Zelensky u bëri sërish thirrje aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Reagime pati edhe nga SHBA, Gjermania, Franca dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, të cilat dënuan bombardimet dhe kërkuan uljen e tensioneve.

Lini një Përgjigje